Protestat në vend nga njëra anë dhe një situatë gjeopolitike e paqartë dhe e pasigurt nga ana tjetër, përbëjnë rreziqe për të ardhmen e ekonomisë shqiptare.
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, në përfundim të tij, vlerëson se zgjatja e trazirave sociale mund të dobësojë besimin, turizmin dhe investimet, si dhe të vonojë zbatimin e agjendës së reformave, ndërsa dobësitë strukturore afatgjata, të rënduara më tej nga plakja e popullsisë dhe emigracioni, kufizojnë rritjen ekonomike në periudhën afatmesme.
"Dobësimi i mjedisit të jashtëm, shtrëngimi i kushteve financiare globale dhe tensionet e shtuara gjeopolitike mund të rëndojnë mbi turizmin, investimet dhe rritjen ekonomike, me pasoja potencialisht të pafavorshme për sektorin financiar përmes një korrigjimi të çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe dobësimit të aftësisë paguese të huamarrësve. Zgjatja e trazirave sociale mund të dobësojë gjithashtu besimin, turizmin dhe investimet, si dhe të vonojë zbatimin e agjendës së reformave", thotë FMN.
Fondi vlerëson se ekonomia shqiptare ka vijuar të shënojë një ecuri të fortë. Shkalla e rritjes parashikohet të jetë 3,5 për qind në vitin 2026, në kushtet e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë. Konsumi privat dhe investimet pritet të vijojnë të mbështesin aktivitetin ekonomik.
"Nga viti 2027 e në vijim, rritja ekonomike parashikohet të shkojë drejt potencialit të saj afatmesëm prej rreth 3,2 për qind, krahasuar me një rritje mesatare vjetore prej 4 për qind gjatë periudhës 2022–2025", vlerëson FMN.
Sipas FMN-së, paketa fiskale e paraqitur nga qeveria e që pritet të miratohet në parlament, përmban hapa të mirëpritur për zgjerimin e bazës tatimore dhe reduktimin e trajtimeve preferenciale, por disa masa janë të patargetuara.
Ekspertët e Fondit thonë se ulja e përhershme e normës së TVSH-së për produktet ushqimore dhe heqja e taksës së qarkullimit janë të kushtueshme nga pikëpamja fiskale, shtrembërojnë sinjalet e çmimeve dhe i sjellin përfitim edhe segmenteve të popullsisë që nuk kanë nevojë për mbështetje.
“Mbështetja për familjet në nevojë do të ofrohej më mirë nëpërmjet ndihmës sociale të targetuar. Ndonëse paketa pritet të jetë përgjithësisht neutrale për buxhetin, vlerësimet si të të ardhurave shtesë, ashtu edhe të kostove fiskale, janë subjekt i pasigurisë”, thotë FMN
Lidhur me pensionet FMN preferon më së shumti reformimin e sistemit, përmes ruajtjes së natyrës kontributive të tij, nxitjes për punësim dhe formalizim, si dhe qëndrueshmërinë fiskale, në vend të përdorimit të bonuseve të posaçme ad hoc.
“Mjaftueshmëria e pensioneve duhet të përmirësohet brenda një kuadri të bazuar në rregulla, i cili ruan natyrën kontributive të sistemit, nxitjen për punësim dhe formalizim, si dhe qëndrueshmërinë fiskale, në vend të përdorimit të bonuseve të posaçme ad hoc. Lidhja e moshës së daljes në pension me jetëgjatësinë do të mbështeste më tej qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit të pensioneve”, thotë FMN.
FMN është po ashtu kritike ndaj zgjerimit të rolit të shtetit përmes krijimit të ndërmarrjeve shtetërore, duke vlerësuar se një nismë e tillë sjell rreziqe fiskale shtesë dhe mund të kufizojë aktivitetin e sektorit privat.

Banka e Shqipërisë duhet të ruajë pavarësinë në vendimmarrje që të mund ta mbajë inflacionin nën kontroll, vlerëson Fondi Monetar Ndërkombëtar. FMN "mirëpret dispozitat e ligjit të ri për bankën qendrore, të cilat forcojnë autonominë institucionale dhe mbrojnë vendimmarrjen e saj. Në përputhje me këto objektiva, roli i Bankës së Shqipërisë në Linjën e Kredisë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme duhet të ndërpritet gradualisht. Vënia e planifikuar në funksionim të sistemit TIPS Clone përbën gjithashtu një hap të mirëpritur modernizimi, duke mbështetur pagesa më të shpejta dhe me kosto më të ulët, si dhe integrim më të ngushtë evropian."

Lidhur me pensionet FMN preferon më së shumti reformimin e sistemit, përmes ruajtjes së natyrës kontributive të tij, nxitjes për punësim dhe formalizim, si dhe qëndrueshmërinë fiskale, në vend të përdorimit të bonuseve të posaçme ad hoc.
“Mjaftueshmëria e pensioneve duhet të përmirësohet brenda një kuadri të bazuar në rregulla, i cili ruan natyrën kontributive të sistemit, nxitjen për punësim dhe formalizim, si dhe qëndrueshmërinë fiskale, në vend të përdorimit të bonuseve të posaçme ad hoc. Lidhja e moshës së daljes në pension me jetëgjatësinë do të mbështeste më tej qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit të pensioneve”, thotë FMN.

Në vlerësimin për ekonominë shqiptare, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon inflacion prej 3,4% në fund të vitit 2026 dhe 2,7% në fund të vitit 2027.
Parashikimi për 2027-ën merr parasysh ndryshimet në TVSH dhe në taksën e qarkullimit mbi karburantin. FMN-ja rekomandon rritje graduale të normës bazë të interesit.
“Inflacioni në fund të vitit parashikohet të jetë 3,4 për qind në 2026 dhe 2,7 për qind në 2027, ku parashikimi për vitin 2027 është më i ulët se norma e inflacionit që do të rezultonte në mungesë të efekteve nga ndryshimi i tatimit mbi vlerën e shtuar dhe të taksës së qarkullimit në karburant.
Perspektiva e inflacionit për vitin 2027 është gjithashtu subjekt i pasigurisë lidhur me shkallën e përcjelljes së ndryshimeve të njoftuara tatimore në çmimet e konsumit.
Ndërkohë që aktiviteti ekonomik është mbi potencial dhe inflacioni mbi objektiv, kthimi i parashikuar i inflacionit në objektiv brenda fundit të vitit 2027 mbështetet në tërheqjen graduale të lehtësimit monetar të mbetur. Kjo do të kërkojë rritjen e normës bazë të interesit. Politika monetare duhet të mos reagojë ndaj ndikimit të njëhershëm të ndryshimeve tatimore në nivelin e çmimeve, ndërsa komunikimi duhet të dallojë qartë këto efekte të përkohshme nga presionet bazë inflacioniste”, thotë FMN.

Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkon qeverisë të shmangë ndryshimet e shpeshta të buxhetit me akte normative. Sipas Fondit, kjo dobëson besueshmërinë e buxhetit. Fondi mirëpret disa ndryshime në paketën fiskale, por kritikon uljen e TVSH-së për ushqimet dhe heqjen e taksës së qarkullimit nga karburanti.
Sipas FMN-së, këto masa ulin të ardhurat e buxhetit dhe përfitojnë prej tyre edhe familjet që nuk kanë nevojë për ndihmë. FMN-ja sugjeron ndihmë të drejtpërdrejtë për familjet në nevojë.
FMN-ja mirëpret uljen nga 10 në 5 milionë lekë të pragut të xhiros vjetore për regjistrimin në TVSH.
“Një politikë fiskale më pak ekspansioniste është e nevojshme në vitin 2027. Suficiti primar parashikohet të mbetet në rreth 0,3 për qind të PBB-së në vitin 2026, përgjithësisht i pandryshuar nga viti 2025, dhe të bjerë në zero në vitin 2027. Qëndrimi fiskal u bë ekspansionist në vitin 2025 dhe pritet të mbetet lehtësisht i tillë deri në vitin 2027. Duke pasur parasysh se ekonomia po operon mbi potencialin e saj dhe inflacioni mbetet mbi objektiv, stafi i FMN-së rekomandon që buxheti i vitit 2027 të përfshijë masa me efekt fiskal prej 0,3 për qind të PBBsë, krahasuar me politikat aktuale. Duhet të shmanget përdorimi i përsëritur i akteve normative1 për të rialokuar të ardhurat mbi parashikimin ose fondet nga mosrealizimi i shpenzimeve kapitale drejt shpenzimeve korrente të një natyre ad hoc, pasi kjo dobëson besueshmërinë e buxhetit dhe mund të përforcojë karakterin prociklik të politikës fiskale.
Paketa fiskale përmban hapa të mirëpritur për zgjerimin e bazës tatimore dhe reduktimin e trajtimeve preferenciale, por disa masa janë të patargetuara. Ulja e pragut të regjistrimit për TVSH-në, përafrimi i tatimit mbi dividendin me tatimet e tjera dhe reduktimi i trajtimit preferencial për shërbimet e akomodimit janë hapa të mirëpritur drejt një sistemi tatimor me bazë më të gjerë dhe më neutral. Këto masa duhet të mbështeten nga forcimi i kapaciteteve zbatuese për të luftuar informalitetin. Megjithatë, ulja e përhershme e normës së TVSH-së për produktet ushqimore dhe heqja e taksës së qarkullimit janë të kushtueshme nga pikëpamja fiskale, shtrembërojnë sinjalet e çmimeve dhe i sjellin përfitim edhe segmenteve të popullsisë që nuk kanë nevojë për mbështetje. Mbështetja për familjet në nevojë do të ofrohej më mirë nëpërmjet ndihmës sociale të targetuar. Ndonëse paketa pritet të jetë përgjithësisht neutrale për buxhetin, vlerësimet si të të ardhurave shtesë, ashtu edhe të kostove fiskale, janë subjekt i pasigurisë”, thotë FMN në vlerësimin për ekonominë shqiptare për vitin 2026.
Fondi mirëpret edhe ngritjen e Këshillit Fiskal dhe kërkon që ai të ketë burimet e nevojshme për të vlerësuar në mënyrë të pavarur rreziqet për buxhetin dhe respektimin e rregullave fiskale.
“Ngritja e Këshillit Fiskal është një hap i mirëpritur për rritjen e mëtejshme të besueshmërisë fiskale. Këshillit duhet t’i sigurohen kapacitetet e nevojshme për të ofruar vlerësime të pavarura të rreziqeve fiskale dhe të respektimit të rregullave fiskale, si dhe për të vlerësuar çdo ndryshim në kuadrin e përgjithshëm”, theksohet në vlerësim.








Komente
Komento