Një në 5 kredi të aprovuar përgjatë këtij viti është marrë për ndërtim ose për investim apo blerje pasurie të paluajtshme. Janë mbi 44.5 miliardë lekë të dhëna nga bankat nga janari deri në fund të tetorit, për këta dy sektorë, me rritje 7.2 miliardë lekë krahasuar me vjet. Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë nga 218.8 miliardë lekë kredi e re në total, 20% është vetëm nga këto dy sektor.
“Në pamje mund të duket si një sektor që lulëzon por në të vërtetë sjell një sërë problematikash”, shprehet eksperti Klodian Muço.
Së fundmi edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar Bankës Qendrore të marrë masa për rritjen e shpejtë të kreditimit të sektorit të pasurive të paluajtshme, dhe të bëjë analiza bazuar tek huamarrësi, për të ndihmuar me zbutjen e rreziqeve nga rritja e shpejtë e kreditimit të sektorit të pasurive të paluajtshme. Kjo thirrje sipas ekspertit i ekonomisë Klodian Muço, kërkon të parandalojë përsëritjen e një krize në të ardhmen që buron nga ky sektor.
“Kur shikon që ndërtimi po kalon sektor i parë apo i dytë i ekonomisë ka diçka që nuk shkon, që lidhet edhe me kriza të vazhdueshme. Sektori imobiliare ka pasur problematika edhe në vende më të zhvilluara. Në 2007-2009, kriza ka filluar nga sektori financiar. Kriza në Kinë nisi nga sektori imobiliare”, pohon eksperti.
Edhe vetë Banka e Shqipërisë po vlerëson kufizimin e kredidhënies në sektorin e pasurive të patundshme, madje po analizon ekspozimin e bankave në kredidhënien për investime apo blerje pronash, dhe nëse do të jetë e nevojshme do të caktojë tavane për masën e kredisë që do të japin bankat për blerje pronash si dhe mund të aplikohen kushte shtesë në forcimin e kreditimit për shtëpitë e dyta ose më shumë.
“Kemi një pritshmëri të një flluskë në këtë sektor, dhe bankat janë shumë të ekspozuara në këtë sektor, dhe rrezikohen. Duhen rritur barrierat në dhënien e kredive në këtë sektor apo duke diversifikuar sektorët që kreditojnë”, thotë Muço.
Referuar shifrave zyrtare të Bankës së Shqipërisë në 5 vitet e fundit afro 51% e pronave të shitura janë blerë me kredi bankare që ka mbuluar 60-80% të vlerës së pronës.
“Kryeqyteti i Malajzisë kishte nisur bumin e ndërtimeve në vitet 80’ por aktualisht është në një rënie të vazhdueshme, dhe bankat janë në vështirësi për shkak të ekspozimit në këtë sektor”, thotë eksperti.
Por përtej frikës së një krize bumi i ndërtimeve nuk ka të ndalur.
“Një bum kaq i madh ndërtimesh është i pashpjegueshëm nga këndvështrimi ekonomik, në kushtet kur të dhënat e CENS-it tregojnë që ke 400 mijë më pak se para 11 viteve, të dhënat e CENS tregojnë se ke mbi 40 mijë apartamente bosh. Të gjitha këto shifra tregojnë që është e palogjikshme që ky sektor të vazhdojë të rritet në këto ritme, dhe çmimet po ashtu rritet”, tha Muço.
Mbi 2 milionë metra katrorë është sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të miratuara nga bashkitë përgjatë 9 muajve të këtij viti me rritje prej 493 mijë metra katrorë krahasuar me vjet. Sipas INSTAT gjatë këtij viti janë miratuar 1019 leje ndërtimi.