SOFJE/BEOGRAD/LUBJANË, 3 dhjetor /ATSH-MIA/ - Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, vendi i të cilit është përmendur nga Moska si përgjegjës për vendimin rus për anulimin e ndërtimit të gazsjellësit "South stream" deklaroi sot se Sofja ende nuk ka marrë njoftim zyrtar nga Rusia rreth këtij vendimi.
"Vendi ynë ende nuk ka marrë informacion për planet e Rusisë rreth këtij gazsjellësi", deklaroi Borisov në fjalimin para deputetëve në parlamentin bullgar duke shtuar se qeveria e tij për këtë vendim të Rusisë është njoftuar nga media.
Ai theksoi se për atë si kryeministër është shumë e rëndësishme që të marrë përkrahje nga parlamenti bullgar që të mund të shpëtohet "South stream"-i duke shtuar se për këtë temë nesër në Bruksel do të bisedohet me kryetarin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe me kryetarin e Parlamentit Evropian, Martin Shultz.
Borisov theksoi se për Sofjen është e papranueshme që gazi rus të mos kalojë në vend dhe të vijë përmes Greqisë. Borisov në fjalimin para deutetëve tha se nuk mund të thotë sesa do të jenë humbjet e Bullgrisë nga anulimi i "South stream"-it sepse nuk e ka shqyrtuar marrëveshjen për ndërtimin e gazsjellësit.
Ndërkohë, presidenti serb, Tomislav Nikoliç deklaroi se vendimi që Rusia të heqë dorë nga ndërtimi i gazsjellësit është i pakëndshëm për Serbinë, duke shtur se pret që dëmet e vendit nga ky vendim të jenë më të vogla sesa mund të jenë me vendosjen e sanksioneve drejt Rusisë.
Sipas Nikoliçit, joreale është ideja që Serbia të inkuadrohet dret një gazsjellësi eventual, që do të kalonte përmes Turqisë, Greqisë dhe Maqedonisë.
Edhe kryeministri slloven, Miro Cerar deklaroi se nuk është i habitur nga vendimi i Rusisë për anulimin e "South stream"-it. Sllovenia dhe Rusia në nëntor të vitit 2009 nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim për ndërtimin dhe eksploatimin e këtij gazsjellësi në territorin slloven.
Sipas marrëveshjes, përmes Sllovenisë duhet që të kalojë një tubacion prej 266 kilometrash, ndërtimi i të cilit do të sillte rreth një miliard euro investime të huaja./ a.jor.