Armando Broja ka bërë një rrëfim për faqen zyrtare të Chelsea. Sulmuesi shqiptar i Bluve të Londrës ka zbuluar një tjetër anë të trajnerit të ri Graham Potter, duke thënë se tekniku ka folur me të gjithë lojtarët për t'i njohur sa më mirë edhe jashtë fushe. Në rrëfimin e tij 21 vjeçari flet për tifozët, emocionet e të qenit pjesë e ekipit të parë të Chelsea prej Akademisë dhe raportin që ka me familjen.
"Trajneri Potter - Sa herë që kemi nevojë për ndihmë, ai është aty për të na ndihmuar, gjithashtu edhe stafi i tij. Ai dëshiron të zhvillojë të gjithë lojtarët dhe t'i ndihmojë të gjithë. Është shumë mirë që e kemi këtu, për të folur me të. Ka qenë një atmosferë shumë e mirë dhe ne jemi duke bërë shumë mirë për momentin, kështu që ne thjesht duam të vazhdojmë kështu", tha fillimisht Broja.
Broja ka folur edhe për situatën që ka me tifozët, duke thënë se është e pabesueshme për të që të kontribuojë për klubin e fëmijërisë.
"Tifozët - Të kesh atë mbështetje pas teje më jep shumë besim si lojtar i ri. Më jep ambicie të dal atje dhe të bëj mirë për ta, për veten, familjen, shokët e skuadrës dhe menaxherin. Unë u jam shumë mirënjohës atyre për mbështetjen dhe shpresoj se do të vazhdoj. Për mua dhe familjen time është e pabesueshme të luash në Stamford Bridge para tifozëve dhe të shënosh një gol për klubin tënd të fëmijërisë është edhe më mirë", tregoi sulmuesi.
Së fundmi 21 vjeçari u ndal edhe te familja, duke thënë se është mbështetja e madhe që e mban të balancuar. Për të atin, Broja shton se e ka kritikun më të madh.
"Familja - Mamaja dhe babai përpiqen të më mbajnë si një djalë modest brenda dhe jashtë fushës. Përpiqem të zbatoj atë që më kanë mësuar. Është e rëndësishme të keni familje dhe njerëz të mirë pas jush për t'ju mbajtur të vendosur, të balancuar dhe të fokusuar në atë që keni përpara. Ata janë gjithmonë në çdo ndeshje, më japin mendimet e tyre. Edhe nëse ndihem sikur kam pasur një lojë të mirë, babai im do të kthehet dhe do të zgjedhë disa momente negative nga loja, sepse ai gjithmonë dëshiron që unë të përmirësohem", shtoi 21 vjeçari.