'Foltorja' shkon në Korçë, Berisha do të rimarrë sërish PD: Ta vendosë anëtarësia rolin tim! Basha po është burrë të vij këtu, 'pupël opozita' e tij largoi të rinjtë nga vendi

Sali Berisha nuk e besonte kurrë që do të përjashtohej nga PD pikërisht nga personi që e solli vetë dhe e vendosi po vetë në krye të partisë që themeloi. Kjo ka shkaktuar një zemëratë të madhe te Berisha, i cili rrugëzgjidhjen e vetëm që sheh është të rimarrë sërish drejtimin e partisë. Edhe pse thotë se situata e ka detyruar të rimarrë drejtimin e partisë, Berisha shton se do të jetë anëtarësia që do të vendos rolin e tij.

Përmes 'Foltores' së tij qytet më qytet, ku sot qëndroi në Korçë, Berisha u kërkon ndjesë demokratëve se ka përgjegjësinë e tij që solli në PD, Lulzim Bashën.

"Mbledhja e Kuvendit është jetike për të shpëtuar PD. Përpjekja ime nuk është personale, qëllimi madhor është të rikthejmë vlerat te PD, votën e lirë. Besoj vetëm, në një PD sovrane që respekton dinjitetin njerëzor. Ti vetë ku e sheh veten?  Me datën  20 maj pyeta veten pse e bënë këtë punë, pse më sanksionuan? Çfarë kam bërë këto 8 vite se para 8 vitesh i kam të gjithë deklaratat me lavdërimet më të mëdha, me çmime ndërkombëtare për luftë kundër korrupsionit nga OKB. Unë kisha kundërshtuar ndryshimin e kufijve, dhe shumë mirë kam bërë, kisha denoncuar korrupsionin, krimin dhe drogën. Një thirrje e brendshme ishte për mua që ti do të rikthehesh. U deklarova gazetarëve se tani do të rikthehem i hapur për çdo funksion në harkun kushtetues të këtij vendi. Duke thënë  këtë do të respektoj çdo garë dhe çdo verdikt, do mirëpres çdo rival me vlerësimin më maksimal. Ne kurrë rivalët përpara nuk i kemi larguar pse kanë rivalizuar për kryetarë apo funksione të tjera. Se cili do të jetë pozicioni i Sali Berishës do ta përcaktojë anëtarësia e PD", tha Berisha

Madje Sali Berisha i ka bërë thirrje kryedemokratit Lulzim Basha që të shkojë në takimet me demokratët nëpër qytete dhe të japë mendimet e tij për situatën e krijuar brenda Partisë Demokratike

"Kryetari përjashton deputetin nga funksionet. Pse? Sepse tha që je shprehur në këtë mënyrë në mbledhje. Ish-kryetari nuk vjen dot këtu. Hajde more zotëri këtu edhe thuaj të gjitha mendimet. Ju garantoj që pjekuria juaj politike është shumë herë më e madhe nga ajo që mendon kryetari", tha Berisha.  

Berisha bëri edhe një analizë se pse PD-ja humbi zgjedhjet e 2021-shit, ku tha se Basha nuk arriti të fitonte zgjedhjet madje ai nuk u bë do as lideri i parisë pasi mori vetëm 19 % të votave. Berisha tha se Basha e çoi partinë më keq se në 97' kur partia ishte bërë copë-copë. Për Berishën, Rama nuk fitoi më 25 prill, dhe nuk i mori 74 mandate, por ata ia dhuroi PD që nuk diti të mbronte votën. Opozitën e Lulzim Bashës, Berisha e konsideron një “pupël opozitë" dhe se  për shkak të opozitës së dobët të Bashës, janë larguar nga vendi edhe një pjesë e të rinjve për shkak se nuk shohin të ardhme.

“Në mos suksesin tonë qëndron dhe përgjegjësia jonë. Po pse ky mos sukses? Në qoftë se do ishte një opozitë e fortë, jo një pupël opoizitë, Edi Rama s’mund të bënte kurrë këto që ka bërë. Po pse ikin çdo ditë të rinjtë? Sepse s’kanë besim as tek ai as tek ne, se po të na shihnin ne si forcën e fitores nesër, do prisnin. PD këto vite për fat të keq kontraktoi një borxh të madh ndaj shqiptarë. Në vitin 2021, diferencës në vota mes PS dhe PD është qartësisht më e madhe se në vitin 1997. PD këto vite për fat të keq kontraktoi një borxh të madh ndaj shqiptarëve. Në 2021, në 25 prill, diferenca në vota mes PS dhe PD është qartësisht më e madhe se në 1997. Votat që ka marrë PD me koalicionin e vetë janë 71 mijë vota më pak se në 2013-ën. Rezultati në fund sepse kryetarit aktual si besuan më shumë se 19%. Ai nuk arriti që të ndërtonte një figurë lideri, por as një marrëdhënie të përshtatshme me ju. A ka përgjegjësi Sali Berisha për këtë? Më shumë se ju të tjerët këtu. Sepse e njoh më shumë se ju, fushatën elektorale, thelbin e opozitarizmin, mi ka bërë puna të thellohem edhe më shumë. Pse unë kam toleruar, dhe ju kërkoj ndjesë për këtë. Pse Sali Berisha nuk foli pas zgjedhjeve? Nuk fola se besova se detyra më imediate ishte që të mbronim votën tuaj. Nëse do të flisja, ndihmoja kundërshtarin. Këtë nuk e bëja. 19% e zgjedhësve votuan për kryetarin, ashtu nuk bëhet. Nuk fitohet ashtu. Edi Rama nuk fitoi, si mori kurrë 74 mandate, ja dhuruam ne. U morëm me zgjedhjet në parti. Ky përbën për mua një akt po aq të rëndë, sa mosmbrojtja e votës. Çdo zgjedhje zotohej se do të mbronte votën, dhe vota nuk mbrohej. Këto ndodhën por luftëtarin, njeriun që beson dhe ka ideale është detyrë që kur e sheh shpresën t’ia vrasin para syve, ta krijojë përsëri. Kështu jemi ne! Ne nuk dorëzohemi. Përkundrazi bëjmë një analizë të ndershme, të sinqertë të këtyre zhvillimeve dhe shohim të ringrihemi shumë më fuqishëm. A mund të ringrihemi ne?! Po! Jemi ringritur ne në vitin 97 kur u bëmë copë-copë, por u ngritëm fuqishëm. Tani do ngrihemi edhe më shpejt, edhe më fuqishëm. Tani ne i kemi gjërat të qarta se çfarë duhet të bëjmë, jemi më të vetëdijshëm. Kemi eksperiencë. Fituam në 2005 se u bashkuam. Nuk është se nuk kishim sherre, pasi kishim bërë gabime. Kishim përçarje, por u ngritëm mbi të gjitha këto dhe u bashkuam”, tha Berisha.

Në Korçë, Berishës iu bashkuan edhe Gent Strazimiri, Edmond Spaho, Klevis Balliu, Tritan Shehu si dhe deputetja e PD e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, Sorina Koti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:05
Berisha: Basha i largon rivalët e tij, unë se kam bërë kurrë! Agron Shehaj duhet të ishte në Kryesi, mori 20% të votave të demokratëve

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur edhe për votimet e bëra për zgjedhjen e Kryesisë së PD, ku tha se Agron Shehaj e meritonte të ishte në këtë kryesi pasi mori 20 % të votave të demokratëve kur kandidoi për kryetar partie. Berisha tha se Basha i përjashton rivalët e tij në parti, ndërsa ai vetë nuk e ka bërë kurrë një gjë të tillë.

“Duhet të bashkohemi. Po ju them hapur cdo njeri që largohet nga partia na pakëson. Kryetari duhet të jetë shumë tolerant, cdo njeri që nuk shkon përshtat do të gjendet mënyrë të largohet. ja unë e them këtu që Agron Shehaj e meritonte të ishte në Kryesi sepse e votuan 20% të demokratëve që ta shikonin aty. Po ta shikosh historikun, ai që konkurruar për kryetar nuk ka dalë jashtë kryesie, ka mbetur anëtar kryesie kryesore. Sali Berisha ka fituar me 75% kryetar edhe në 1991, ata që rivalizonin mbeteshin në kryesi”, tha Berisha.

Ora 19:22
Demokrati e vë Berishën ‘me shpatulla pas murit’: S’e ndihmojmë PD duke thënë ‘marsh nga ditët tona’! Kërkuat ndjesë për Bashën, pas 8 vitesh kur dëmi u bë

 

Një prej demokratëve e ka vënë me “shpatulla pas muri” Sali Berishën, i cili tha se ndjesa e tij, nuk kishte asnjë vlerë pasi ka lejuar Lulzim Bashën 8 vite në krye të PD-së kur ndërkohë kjo parti është dobësuar.

Demokrati: Nuk e ndihmojmë dot PD duke thënë “marsh nga ditët tona”. Në aspektin politik uroj dhe ne e duam më shumë kur ti del i nderuar dhe në aspektin  njerëzor familjes suaj nuk i ndodh asgjë. Por unë kam nevojë për disa përgjigje, Bashën e kam kritikuar 8 vjet para. Ju keni kërkuar ndjesë, po ndjesë pas 8 vitesh gabime të njëpasnjëshme të Bashës dëmi është bërë dhe unë do ish ai lindur sikur në 2013 e emëruar se ishte djalë i ri europian, por në2017 ai bëri një marrëveshje me Ramën kokë më kohë, pastaj doli nga parlamenti.

Sali Berisha: Të falenderoj për ndërhyrjen, do të saktësoj vetëm një moment. Unë e kam mbështetur me të gjithë mundësitë e mia Lulzim Bashën në këto 8 vite, por nuk jam unë që e kam sjellë atë, për këtë të garantoj. Pse? Unë dhashë dorëheqjen, kisha konceptin njeriu për shumë gjatë nuk duhet të rrijë, dhe asnjë tjetër përveç 2 personave nuk u paraqit për t’u kandiduar, dhe asnjërit nuk i kam thënë unë që kandidoni, kur u thashë që gara ishte e hapur, e mbështeta plotësisht. Në 2017 i kam thënë jep dorëheqjen se kjo humbje është poshtrim, kemi rënë më keq se 1997, dhe mënyra se si u mashtrua nga Rama, që i thoshte është “çun i mirë” dhe elektorali i djathtë u largua. Unë nuk kisha Project, isha betuar të mos kthehesha nëse dilja dhe do i thoja  “jep dorëheqjen” do e ndiqja këtë problem, vetëm sepse isha i betuar se nuk do kthehesha më.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Në kërkim pas shpalljes non grata, Artan Grubi dyshohet se fshihet në Shqipëri! Dëshmia e biznesmenit: E dërgova me makinë deri në Tiranë

Në kërkim pas shpalljes non grata, Artan Grubi dyshohet se fshihet në Shqipëri! Dëshmia e biznesmenit: E dërgova me makinë deri në Tiranë