Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me asistencën teknike të Institutit Demokratik Amerikan (NDI) dhe mbështetje të Ambasadës Britanike, trajnoi kandidatët për kryetarë bashkie në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore dhe financierët e tyre, lidhur me deklarimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara gjatë fushatës zgjedhore.
Në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, për herë të parë edhe kandidatët për kryetarë bashkie do të raportojnë financat e fushatës nëpërmjet partive politike që ata përfaqësojnë.
Trajnimet u zhvilluan në 12 qarqe të Shqipërisë, dhe patën për qëllim që kandidatët për kryetarë bashkie të njihen me detyrimet ligjore për raportimin financiar, të rrisin kapacitetet e tyre për të siguruar një zbatim efektiv të ligjit, të akteve të KQZ-së dhe të kërkesave të raportimit bazuar në formatet e reja të miratuara nga Komisioni.
Aktualisht KQZ-ja ka trajnuar kandidatët për kryetar bashkie të 59 bashkive, ndërkohë për kandidatët që garojnë për bashkinë e Tiranës dhe të Durrësit, trajnimi do të zhvillohet ditën e Mërkurë dhe të Enjte të kësaj jave.