Fondet nuk ezaurohen 100%, kërkimi shkencor në udhëkryq! Laboratorët nuk përdoren, megjithëse ka projekte

Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit e ngritur në vitin 2015, detyrohet që një pjesë të fondeve ta kthejë të paprekur, pasi kërkuesit shkencorë nuk arrijnë t’i përdorin. Drejtoresha e përgjithshme e kësaj agjencie i tha BIRN-it se edhe pse ka fonde, cilësia ka mbetur në vendnumëro.

“Për fat të keq, ne kthejmë para në buxhet të pashfrytëzuara, por edhe për projektet që ne financojmë, kërkuesit shkencorë nuk arrijnë t'i përdorin 100%. Kjo më jep mua indikacion që tani para ka, por duhet të ketë kërkim të mirë dhe cilësor,” u shpreh Muça.

Shqipëria vazhdon të renditet në vendin e fundit në Europë dhe në rajon për numrin e botimeve shkencore të publikuara edhe sipas një studimi të vitit 2023 të “Science”. Në vitin 2024, buxheti për shkencën kapi vlerën 586 milionë lekë,  poshtë rekomandimit të Komisionit Europian për 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, drejtoresha e AKKSHI, Mirela Muça vlerëson se rekordet e ulëta lidhen më shumë me metodologjinë e punës se sa me mungesën e fondeve.

“Anketa apo fokus grupi janë një instrumente ndihmës, por nuk është kërkimi vetë. Nuk përdorin laboratorët dhe nuk kanë një produkt mirëfilli shkencor,” tha Muça, duke shtuar se gati 80% e kërkimeve nga shkencat sociale dhe albanologjia ishin të bazuara në anketa.

“Duhet t'i hapim shumë sytë tek cilësia. Nuk kemi financuar shumën që ata kanë kërkuar, pasi me dashje kemi hequr shpenzimet që kanë çuar paratë tek shpenzimet administrative dhe jo tek pjesa kërkimore,” shtoi ajo.

Ndryshe nga përfaqësuesja e AKKSHI, pedagogia e Astrofizikës dhe Mekanikës Kuantike në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Mimoza Hafizi thotë se mes aplikimeve ka projekte shumë të mira. Por ajo thekson se problemet me kërkimin shkencor në Shqipëri janë të diktuara sa nga buxhetet, ashtu edhe nga prioritetet.

“Po të shihen përqindjet që i jepen shkencës nga buxheti i shtetit, është një shifër pothuajse inekzistente,” tha Hafizi.

Cilësia e ulët e kërkimit shkencor ka bërë që Shqipëria të përfitojë pak nga programet ndërkombëtare. Nga më i madhi prej tyre, Horizon 2020, Shqipëria arriti të përfitojë vetëm 5.8 milionë euro në 7 vjet, duke mos qenë asnjëherë lider projekti.

G.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Pasdite në kopshtin e shtëpisë', 'Servili i Grave' dhe 'Hana, vajza që kapi diellin', tre librat e rinj në rubrikën 'Në librari'

'Pasdite në kopshtin e shtëpisë', 'Servili i Grave' dhe 'Hana, vajza që kapi diellin', tre librat e rinj në rubrikën 'Në librari'