Pas datës 20 të çdo muaji, në Spitali Rajonal i Lezhës nuk mund të kryhen analizat mjekësore të rekomanduara nga mjekët. Fondi i përcaktuar për realizimin e këtij shërbimi, të dhënë me koncesion, është i pamjaftueshëm, pasi kërkesat janë shumë herë më të mëdha. Në këto kushte, qytetarët duhet të presin 2 deri në 3 muaj për të kryer analizat mjekësore ose t’u drejtohen laboratorëve privatë. Ata e konsiderojnë të papranueshme këtë situatë, e cila është kthyer në shqetësim për ta, pasi nuk kanë mundësi financiare që ta kryejnë shërbimin në privat.

“Nëse s’ke shoqëri duhet të presësh 2-3 muaj. Ka njerëz që presin aty tek dera çdo ditë. Ka njerëz që janë me diabet të cilët duhet të bëjnë analiza 2-3 herë në ditë “ tha një banore e Lezhës.

“Takimet caktohen me datë dhe vonojnë. Doktorët janë të mirë, po ska edhe kushte. Lezha është shumë e populluar dhe ka shumë vështirësi’ thotë një banor.

“Nëse i bën analizat në shtet, zgjat shumë deri në 2-3 muaj. Nuk kemi mundësi t’i bëjmë tek private. Vjet mu desh të bëja një rezonancë dhe prita 4-5 muaj. S’pata lek. Ata që s’kanë mundësi, s’kanë çfarë të bëjnë do të presin. Ata që kanë mundësi të paguajnë shkojnë në spitale private. Duhet të ketë më shumë tolerancë për njerëzit në nevojë” shprehet një banor tjetër për mediat.

“Është shumë vështirë, shumë vështirë. Ka fluks të jashtëzakonshëm. Duhen para, para, dhe vetëm para” thotë një tjetër.

Në lidhje me këtë çështje, Drejtoria e Spitalit Rajonal te Lezhës bën të ditur se fondi vjetor i përcaktuar për kryerjen e analizave nga koncesionari është 650 milionë lekë të vjetra, i ndarë në 55 milionë lekë për çdo muaj. Por kërkesat për këtë shërbim janë më të larta, ndaj dhe krijohet kjo situatë.Por sipas spitalit urgjenca nuk ka probleme, pasi mbulohet non stop me analiza ku kryhen deri ne 168 lloje.