Fondet për çdo institucion
cilët marrin pjesën e luanit

Fondet për çdo institucion<br />cilët marrin pjesën e luanit<br>
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, mega-dikasteri që u krijua nga bashkimi i dy ministrive të deritanishme, do të ketë më 2018 buxhetin më të madh në dispozicion, krahasuar me gjithë ministritë e tjera. Kjo del nga shifrat që përmban Projektbuxheti për vitin e ardhshëm, sipas të cilit dikasteri që drejton Arben Ahmetaj parashikohet të ketë në dispozicion 60.86 miliardë lekë, apo afro 458 milionë euro.

Ministria me buxhetin e dytë më të madh do të jetë ajo që drejtohet nga Ogerta Manastirliu, me buxhet, që gjithashtu e kalon “stekën” e 60 miliardë lekëve. Konkretisht, në dispozicion të ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale qeveria ka menduar të vejë 60.12 miliardë lekë, ose 452 milionë euro.

Vetëm këto dy ministri do të kenë gati 910 milionë euro fonde gjatë vitit të ardhshëm. Kjo shifër është më e madhe se sa 25 për qind e gjithë buxhetit të shtetit.

E treta vjen ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila, ndonëse u krijua gjithashtu si një super-dikaster, do të ketë një buxhet më të vogël nga dy të parat: 47.85 miliardë lekë, ose gati 360 milionë euro.

Më poshtë në renditje vjen ministria e Brendshme, me 21.1 miliardë lekë, buxheti i së cilës mund të krahasohet me vitin e kaluar, pasi ky dikaster nuk ka ndryshuar krejtëisht nga reforma qeveritare, por i është hequr vetëm Emergjenca Civile, që kalon tek Mbrojtja. Krahasuar me vitin 2017, buxheti i ministrisë së Fatmir Xhafajt rritet në masën 8.6 për qind.

Ministria e Mbrojtjes merr, gjithashtu, një buxhet ndjeshëm më të rritur nga viti i kaluar, duke kaluar nga 13.44 miliardë lekë, në afro 19.8 miliardë lekë, ndonëse sërish nuk e kap angazhimin e vendeve të NATO-s për të shpenzuar të paktën 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar për mbrojtjen.

Ministria e Bujqësisë do të marrë 10.95 miliardë lekë, e ndjekur nga ajo e Drejtësisë me 10.13 miliardë. Vijojnë me buxhete shumë më të vegjël ministria e Evropës dhe Punëve të jashtme me 2.96 miliardë lekë, Turizmi e Mjedisi me 2.12 miliardë dhe Kultura me pak më shumë se 2 miliardë lekë.

Sa u përket tre institucioneve kryesorë të shtetit shqiptar, buxhetet e tyre do të jenë si më poshtë: në dispozicion të Presidencës do të jenë 217 milionë lekë më 2018, nga 211 milionë që janë dhënë për këtë vit. Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë do të ketë një buxhet më të reduktuar, duke kaluar nga 1 miliard e 124 milionë lekë, në 1 miliard e 113 milionë lekë vitin e ardhshëm.

Këshilli i Ministrave ka parashikuar një ulje drastike edhe për buxhetin e vet, që do të kalojë nga 3.86 miliardë lekë, në vetëm 960 milionë, por kjo ka të bëjë me faktin që shumë institucione, të cilat kanë qenë deri tani në vartësi direkte të Kryeministrtisë, do të jenë të pavarur, ose në vartësi të dikastereve të caktuara.    

tabelat e ministrive

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS