Të dhurosh gjak, është dhurata më e çmuar për fëmijët talasemikë, në këtë prag fundviti. Një dhuratë të tillë u kanë bërë fëmijëve të Tiranës dhe Lushnjes, punonjësit e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Në ambjentet e FSDKSH, punonjësit së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Fondit dhuruan gjak, duke iu përgjigjur edhe kërkesës së shoqatës së talasemikëve, pasi nevojat për gjak në këtë periudhë janë edhe më të larta.

Po në kuadër të festave , një ditë më parë një përfaqësi e Fondit gëzoi fëmijët talasemikë të zonës së Lushnjes me dhurata të veçanta.

Sakaq drejtori i FSDKSH-së Astrit Beci, ka risjellë në vëmendje një nga vendimet e fundit të fondit për rimbursimin 100 % të barnave të shtrenjta për fëmijët talasemikë në zonën Fier – Lushnje.

"Dëshiroj gjithashtu të rikthej në vëmendje një prej vendimeve të fundit të FONDI-t, i cili tashmë është funksional në zonën e Lushnjes: Barnat e shtrenjta për fëmijët talasemikë që rimbursohen 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, pacientët tashmë i marrin më pranë vendbanimeve të tyre. Pas kërkesave të vazhdueshme të shoqatës së talasemikëve prej 5 vitesh - Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Ministria e Shendetesise miratuan liberalizimin e ofrimit të këtij sherbimi edhe në një prej zonave ku është mbi gjysma e kontigjentit të fëmijëve talasemikë që trajtohen, siç është zona e Fier-Lushnjes", u shpreh drejtori Beci.

fondi i sigurimit

Në total janë rreth 230 paciente talasemikë qe mbulohen 100% nga Fondi i Sigurimeve Shendetesore. Vetëm për një pacient, kosto mujore e mjekimit është rreth 250 mijë lek të reja.

fondi i sigurimit

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)