Janë artefakte dhe objekte nga fondi prej rreth dhjetra mijë objektesh, që ruhen në mjediset e Institutit Arkeologjik në Tiranë. Me gjasë, shumë prej tyre do të jenë pjesë e Muzeut Arkeologjik më të ri nëntokësor. Idea e bërë publike nga ministri i Kulturës Blendi Gonxhja synon realizimin e tij në nëntokën e sheshit “Nënë Tereza”, në atë zonë ku sot ndodhet edhe Instituti i Arkeologjisë.

“Është një nga lajmet më të gëzueshme të kohëve të fundit, vendimi për hapjen e një muzeu të ri arkeologjik, i cili do të jetë underground, rreth 5000 metra katrorë. Unë besoj që kjo erdhi menjëherë pas vizitës së kryeministrit në muzeun tonë në janarin e vitit 2025, i cili bëri një vizitë të detajuar dhe edhe vizitoi dhe fondet e muzeut. Kjo vjen si nevojë emergjente për zgjerimin e hapësirave tona.”, thotë për “Report TV”, drejtuesi i Institutit të Arkeologjisë, Adem Bunguri.

Muzeu Arkeologjik në Tiranë në varësi të Institutit të Arkeologjisë është krijuar që në vitin 1948. I vendosur në godinën aktuale që prej vitit 1981, ai përballet prej vitesh me mungesë hapësire, ndërsa zbulimet e reja arkeologjike shtohen çdo vit. Objektet që ruhen në fondet e institutit përfshijnë artefakte unike, që nga periudhat prehistorike deri në mesjetë, duke përbërë një pasuri të jashtëzakonshme kombëtare.

“Muzeu ynë përmban mbi 2000 objekte të ekspozuara në pesë salla, që përfshijnë periudhat nga paleoliti deri në mesjetën e hershme. Të gjitha objektet janë origjinale.”, thotë përgjegjësja e Muzeut Arkeologjik, Gema Kraja.

 Përveç vlerës shkencore, muzeu aktual është kthyer edhe në një pikë të rëndësishme për edukimin dhe turizmin kulturor, me mijëra vizitorë çdo vit, veçanërisht nxënës dhe student. Ndërkohë, një pjesë e madhe e objekteve të paekspozuara ruhen në fondet arkeologjike në Tiranë dhe në qytete të tjera, si: Korça, Durrësi, Apollonia dhe Butrinti.

“Ne kemi rreth 45 mijë objekte në fondin themelor dhe rreth 100 mijë objekte provizore për studim. Hapësirat aktuale janë të kufizuara dhe zgjerimi është i domosdoshëm.”, thotë përgjegjësi i Fondit Arkeologjik, Sami Hasa.

Projekti i muzeut të ri pritet të përmirësojë ndjeshëm kushtet e ruajtjes dhe ekspozimit të trashëgimisë arkeologjike shqiptare, duke e kthyer atë edhe në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit kulturor në vend.