Deri në 10% e kursimeve të verifikuara nga tenderët publikë do të mund të përdoren për blerjen e veprave të artit. Kjo parashikohet në projektligjin për krijimin e Fondit Kombëtar për Artin, i cili u shqyrtua këtë të martë në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.

Zv.ministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, tha se fondi synon t'i japë shtetit mundësinë të blejë vepra dhe koleksione me vlera të veçanta historike e kulturore, të cilat deri më tani mund të mos jenë siguruar për shkak të mungesës së një mekanizmi financiar.

“Fondi Kombëtar për Artin do të sigurojë që veprat me rëndësi kombëtare për vendin të mos mbeten jashtë vëmendjes për shkak të pamundësisë së institucioneve publike për të pasur një instrument financiar”, u shpreh ajo.

Sipas projektligjit, fondi do të jetë pjesë e buxhetit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe do të menaxhohet nga një komision me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë. Veprat do të mund të blihen përmes ankandeve ose drejtpërdrejt nga pronarët.

“Kemi të bëjmë me krijimin e një pasurie publike të qëndrueshme, ku vlera e fondit nuk matet vetëm me shumën që vihet në dispozicion, por me veprat që bëhen asete të pasurisë kombëtare”, deklaroi Pipa.

Përveç kursimeve nga prokurimet publike, financimi mund të sigurohet edhe nga sponsorizimet dhe grantet, përfshirë ato të Bashkimit Europian.

Pipa sqaroi se fondi do të përdoret vetëm për blerjen e veprave të artit me interes publik dhe do të auditohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Projektligji parashikon gjithashtu regjistrimin, ruajtjen dhe administrimin e veprave të blera, me synimin që ato të bëhen pjesë e koleksioneve publike.

“Krijimi i këtij mekanizmi synon të forcojë mbrojtjen e pasurisë artistike kombëtare, duke i dhënë shtetit mundësinë jo vetëm të sigurojë vepra me vlera të veçanta, por edhe t’i ruajë, restaurojë dhe promovojë ato si pjesë të trashëgimisë kulturore të vendit”, tha ajo.