TIRANE, 2 Mars/ATSH/.- Njësitë e qeverisjes qendrore dhe vendore do të mund të aplikojnë tashmë për të përfituar nga fondi 1 miliardë lekë, pjesë e fondit për zhvillimin e rajoneve për vitin 2015.
Në Fletoren Zyrtare është bërë botimi i thirrjes së dytë për të përfituar nga ky fond. Prioritet i këtij fondi këtë vit janë projektet që synojnë përmirësimin e lëvizshmërisë, përmirësimin e infrastrukturës vendore,
përmirësimin e infrastrukturës me interes turistik, përmirësimin e infrastrukturës së transportit si ura, terminal autobuzash etj si dhe projektet që synojnë ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Institucionet aplikuese janë njësitë e qeverisjes qendrore, vendore e partneritetet rajonale, si edhe institucionet dhe organizatat për zhvillim, agjencitë zbatuese e zhvillimore qendrore e vendore.
Aplikimi për projektet nga ana e njësive vendore apo organet e qeverisjes vendore duhet të bëhet në ministrinë e Zhvillimit Urban, ku sekretariati teknik do të vlerësojë projektet mbi bazën e kritereve të përcaktuara./a.gjonaj/f.n/












