Kryeministri Edi Rama është sot pjesëmarrës në eventin dedikuar fondit social për vitin 2026 ku do të prezantohen 14 shërbime të reja sociale për fëmijët dhe nënat në nevojë, për fëmijë dhe të rritur me aftësi ndryshe, për të moshuarit, për gra dhe vajza viktima të dhunës, si dhe për fëmijë pa kujdes prindëror.

Me bashkëpunim dhe me aktorët e Bashkimin Evropian, Rama tregon se tashmë dhënia e shërbimeve sociale është shtrirë dhe në nivel vendor me përfshirjen e bashkive.

“Përpjekja nisi në kushtet tejet të vështira me një borxh të akumuluar prej dhjetëra miliona eurosh ndaj personave me aftësi ndryshe dhe ndaj familjeve me ndihmë ekonomike. Ishte një borxh i madh në malin e borxheve të trashëguara që u desh adresuara më shumë përpjekje, reforma dhe më masa këmbëngulëse. Risia ka qenë shtrirja e shërbimeve në nivel vendor dhe përfshirja e pushtetit vendor në mënyrë aktive gjë që është në hapat e ara, por që tani na ka dhënë të gjitha arsyet për të besuar se kjo është rruga e drejtë. Çuarja e këtij procesi përpara nënkupton që të shkojmë përtej volumit dhe shifrave që janë inkurajuese se që sot Shqipëria të kujdeset në mënyrë të posaçme për 65 mijë individë është shumë domethënëse.

Nga ana tjetër, bazuar dhe në mënyrë sesi funksion shoqëria shqiptare, që nuk është akoma tërësisht e perëndimorizuar në pikën që njeriu nuk i thotë mirëmëngjes njeriut dhe pse jetojnë përballë, është e rëndësishme që me bashkitë të shtyjmë përfshirjen e familjeve në këtë sistem të përkujdesjes sociale. Këtu duhen gjetur mekanizmat e financimi me pushtetin vendor, kryetarët e bashkisë janë aktorët kryesorë për të arritur të përcjellin sensin e kësaj qasje dhe të bëjnë punën e nevojshme bindëse.

Buxheti është domethënë, është rritur 6 herë nga momenti që ne kemi nisur këtë përpjekje. Është 17% më i lartë këtë viti sesa vitin e shkuar, por buxheti nuk është i gjithi dhe as nuk i zgjidh dot të gjitha. Na duhet ta thellojmë këtë proces dhe të rrisim dhe cilësinë e jetës nën strehët e kujdesit shoqëror. Ne kemi nisur një proces në Tiranë me transformimin e kushteve për jetimoren e famshme Zyber Allulli. Kjo nuk do të ndodhte pa mbështetjen e Komisionit Evropian.”, tha Rama.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:38
‘Fondi Social 2026’, Gonzato: Shqipëria ka marrë 100 mln euro për të mbështetur zhvillimet e kapitalit njerëzor! Duhet harmonizim i legjislacionit me atë të BE

Ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, pjesëmarrës në eventin “fondi Social 2026 – Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”, theksoi rëndësinë e investimit në mirëqenien sociale, të minimizimin e varfërisë dhe të cenueshmërisë në shoqëri.

Gonzato tha se mirëqenia sociale është një ndër kriteret kryesore për anëtarësimin në BE, ndërsa foli për nevojën e harmonizimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian lidhur me përkujdesjen sociale.

"Mirëqenia sociale është vetë forca e një kombi. BE-ja ka një traditë të gjatë dhe jemi krenarë për investimin në kapitalin njerëzor. Fondi Social Evropian është po aq i vjetër sa vetë BE-ja dhe unë kam punuar për të. Ai është i përqendruar tek ata që janë më shumë në rrezik për t’u përjashtuar nga shoqëria.

Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen Sociale në Shqipëri ka për qëllim të trajtojë varfërinë dhe cenueshmërinë. Fondi Social i Shqipërisë, që ka 7 vite që funksionon, ka financuar më shumë se 70 projekte dhe shërbime. Mbështetja e BE-së për mbrojtjen sociale në Shqipëri është nga më të lartat në Ballkanin Perëndimor. Po investojmë më shumë se 100 milionë euro përmes projekteve të BE-së për gjithëpërfshirjen dhe punësimin social. Këto plotësohen edhe nga Plani i Rritjes i BE-së, nga i cili Shqipëria ka marrë 100 milionë euro për të mbështetur zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Kemi mbështetur 41 bashki për të krijuar planet e tyre vendore sociale, me qëllim që të hartojnë reagimet e duhura për nevojat që kanë analizuar.

Duhet të ketë një harmonizim të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Duhet të ketë një rishikim të ligjit për përkujdesjen sociale për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Shqipëria mund të frymëzohet nga debatet që zhvillohen në BE. Duhet të përqendrohemi tek zbatimi: harmonizimi i legjislacionit me atë të BE-së është i rëndësishëm, por nuk mjafton pa zbatim. Duhet të ketë zbatim efektiv, që kërkon buxhet, burime të duhura njerëzore dhe sisteme të forta të përkujdesjes", tha Gonzato.