Roma ka zyrtarisht trajnerin e ri pasi shoqëria verdhekuqe ka komunikuar arritjen e akordit me portugezin Paulo Fonseca për dy sezonet e ardhshme me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit.
“Jam entuziast dhe i motivuar dhe besoj se së bashku me drejtuesit mund të ndërtojmë diçka të rëndësishme” ka deklaruar ish-trajneri i Portos dhe Shakhtar Donetsk ndërsa Presidenti Pallotta i ka uruar mirëseardhjen me këto fjalë: “Trajneri i ri, por ambicioz dhe me një mentalitet fitues”.
Nuk janë bërë me dije shifrat e akordit, por thuhet se Roma ka paguar rreth 2 mln euro për ta liruar 46 vjeçarin nga ukrainasit e Shakhtar- Donetsk ndërsa vetë Fonseca do të përfitojë 2.5 mln euro në sezon.
Edhe pse një trajner i ri, në palmaresin e portugezit Paulo Fonseca janë një sërë trofesh. 7 tituj ai i ka fituar me Shakhtar-Donetsk në Ukrainë 3 kampionate, 3 Kupa dhe një Superkupë ndërsa në Portugali ka fituar një Kupë e një Superkupë./Përgatiti Andi Kapxhiu