Në rreshjet më të dendura të 60 viteve të fundit, natyra tregoi forcën e saj, duke përmbytur me mijëra shtëpi, bllokuar me dhjetëra mijëra njerëz dhe mbytur me qindra bagëti të imta jo vetëm në Jug të vendit tonë, por dhe në Greqinë Veriperëndimore, në Bullgari, etj. Tek ne, me qindra familje bujqish refuzuan thirrjen e policisë dhe ushtrisë për t’u larguar nga shtëpitë e bllokuara, me shpresë se mos shpëtonin një pjesë të bagëtive. Për fat nuk ka humbje në njerëz, por humbjet në kulturat bujqesore, shtëpi të rrënuara, mobilje e orendi të tjera të shkatërruara janë në nivele dhjetra miliona euro.

E gjithë komuna Novoselë, ndër më të populluarat e vendit(mbi 16 mijë banorë) është nën ujë. Forcat e rendit dhe ushtria e mobilizuar janë aty, për të shpëtuar jetë njerëzish, po të jetë rreziku. Por solidariteti duhet të shtrihet më gjerë, jo vetëm tek rezervat shtetërore që duhet të jenë në gjendje gadishmërie të plotë, për të dhënë ndihmat ushqimore si për popullsinë e bllokuar, ashtu dhe për bagëtinë e zonave të përmbytura. Të zhytësh thikën në disa vonesa të shërbimeve shtetërore, në këto momente nuk i ndihmon aspak ata mijëra njerëz me shtëpitë nën ujë.

Ka shembuj të neglizhencës dhe vonesave të pajustifikuara në veprimet e ndihmës shtetërore dhe ato duhen vënë përpara përgjegjësisë dhe dënuar fort. Por tani është koha, së pari, e solidaritetit njerëzor. Janë momentet të tregojmë se në rastet e fatkeqësive natyrore, rrimë të bashkuar. Shoqëria jonë civile duhet të zgjohet nga gjumi letargjik dhe të mos rendë vetëm pas fondeve të donatorëve. Ajo, ose nësë ajo vijon të jetë e përgjumur, Ministria jonë e Mirëqënies dhe Ndihmës Sociale duhet të hapin llogari bankare për ndihmë ndaj vëllezërve e motrave të përmbytur në jug të vendit.

Duke dhënë njëkohësisht dhe hollësi se si do të përdoren fondet e grumbulluara, që ata që duan të japin para për këtë kauzë, të jenë të bindur se këto shkojnë drejtpërsëdrejti në ndihmë të njerëzve më në nevojë sot, në fshatrat e Vlorës dhe Fierit. Qeveria duket se ka ndërmend të prekë Fondin e Emergjencës për të kompensuar të përmbyturit, dhe kjo është një gjë e mirë. Një lajm me shpresë për mijërat që kanë humbur aq shumë në përmbytje. Qeveria ka kërkuar edhe ndihmën e dhuruesve të huaj, institucione ndërkombëtare e fqinjë partnerë, pse paratë e Shtetit nuk mjaftojnë. Por dihet që ndihma e huaj vonon shumë.

Tani ia vlen që sidomos Ministria e Bujqësisë, në bashkëpunim me pushtetet vendore të zonave të përmbytura, të përgatitet e të ketë në gadishmëri ekipet e vlerësimit të dëmeve, sapo shirat të pushojnë dhe uji të nisë të tërhiqet. Është thelbësore që ndihma të jetë konkrete dhe kompensimet e dëmshpërblimet të vijnë në kohë, që puna e ekipeve vlerësuese të Shtetit të nisë menjëherë e të jetë e shpejtë. Kemi eksperienca shumë të hidhura nga fatet e ndihmës shtetërore pas përmbytjeve në veriun e vendit gjatë 5-7 viteve të fundit.

Shkodra dhe zonat e saj rurale në grykëderdhjen e Bunës janë përmbytur tre katër herë në 8 vitet e fundit, por ende ka familje shumë të goditura, që nuk kanë marrë një qindarkë shtetërore si kompensim. Vetëm po të kryhet e shpejtë dhe e saktë puna vlerësuese e dëmeve e këtyre ekipeve të vlerësimit, mijëra familjet e Jugut të vendit që kanë humbur jashtëzakonisht shumë(shtëpi gjysëm të rrënuara, bagëti e përgjysmuar, orendi shtëpiake të shkatërruara, etj.) do të mund të ndihmohen realisht. Një gjë që s’pret tani është groposja e menjëhershme e bagëtisë së ngordhur, sapo uji të nisë të tërhiqet, për të ëvituar epidemi e rreziqe infektimi në masë. Si dhe nisja nga pastrimi i kanaleve kulluese, që duhet thënë se ishin në gjendje të vajtueshme përpara përmbytjes.

Të gjitha këto ka shumë agronomë e inxhinerë të zotë që i dinë mirë dhe qeveria duhet të dëgjojë pikërisht zëra të tillë profesionalë e të ndershëm. Forca e njeriut do të arrijë ta mposhtë atë të egër të natyrës dhe këtyre mijërave familjeve t’u kthehet shpresa, vetëm nëse ndihmat vijnë në kohë dhe konpensimi e përmirësimi i gjendjes vjen nga strukturat përgjegjëse të Shtetit, e jo vetiu, ca nga natyra e ca nga puna meremetuese e njerëzve të prekur, sikurse ndodhi rëndom në Veri të vendit në vitet e përmbytjeve të mëdha 2008-2011.    


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)