Forcat e Armatosura të Shqipërisë analizuan punën e gjashtëmujorit të parë të këtij viti, duke vlerësuar realizimin e objektivave kryesore dhe duke përcaktuar prioritetet për periudhën në vijim.
Analiza u zhvillua në prani të ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, si dhe komandantëve e drejtuesve të strukturave të FA-së.
Sipas analizës, krahas ruajtjes së sigurisë dhe gatishmërisë operacionale, është shënuar progres në rekrutim, stërvitje, operacione, modernizim, infrastrukturë dhe administrimin e burimeve.
Po ashtu, u vlerësua se riorganizimi i strukturave ka përmirësuar efektivitetin e komandimit dhe përdorimin e burimeve, ndërsa bashkëpunimi me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët rajonalë ka forcuar përgatitjen dhe ndërveprueshmërinë e Forcave të Armatosura.
Një tjetër fokus ishte modernizimi i kapaciteteve ushtarake përmes pajisjes me sisteme të reja dhe zhvillimit të projekteve strategjike. Si prioritet për muajt në vijim u përcaktua integrimi i plotë operacional i këtyre kapaciteteve, përmes përgatitjes së personelit, stërvitjes dhe zhvillimit të infrastrukturës, me synim rritjen e aftësive operacionale dhe forcimin e kontributit të Shqipërisë në mbrojtjen kolektive.










Komente
Komento