TIRANE- Rreth 500 forca të njësive speciale të Policisë së Shtetit tashmë do të kenë një mbështetje të veçantë për sigurimin e shëndetit dhe të jetës së tyre. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi projektligjin “Për sigurimin shëndetësor të veçantë të punonjësve të strukturave speciale operacionale të Policisë së Shtetit”. Sipas këtij projektligji, shërbimet që do të përfshihen nga polica e sigurimit do të jenë të ndara në tre elementë kryesorë si parandalues, diagnostikues dhe kurues.

Sipas ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, është parashikuar një fond prej 90 mijë dollarë i cili do të bëjë të mundur sigurimin shëndetësor të këtyre efektivëve të policisë, pranë një kompanie private të sigurimeve. Por shuma e vënë në dispozicion është kundërshtuar nga opozita, pasi deputet e saj kanë theksuar se ku shërbim sot mbulohet edhe nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Sipas projektligjit polica e sigurimit për një person është mesatarisht 500 lekë në vit, ndërkohë që kompania private që do të zgjidhet me tender do të mbulojë parandalimin e sëmundjeve, nëpërmjet diagnostifikimit, por edhe kurimin e plotë në rast plagosje në aksionet kundër krimit.

“Polica e sigurimit për person në vit mesatarisht është 500 lekë. Kurse , kosto vjetore e sigurimit për kujdes shëndetësor të veçantë në grup për 500 vetë, pjesëtarë të forcave speciale është 92 milionë lekë”, tha Elona Gjebrea, zv/ministre e Brendshme. Kurse kreu i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka sqaruar se kjo është një policë sigurimi jete që punëdhënësi, që në këtë rast është shteti u jep punonjësve të vet, policë sigurimi kjo që iu ofrohet forcave speciale për mundësi më të shpejtë dhe cilësore në kurim. “Ne nuk kemi sot në paketa bazë përfshirjen e transportit me avion sanitar, të një rasti kur duhet kuruar jashtë shtetit.

Kemi marrëveshje me vende të ndryshme të cilat hyjnë në një procedurë, kërkese, liste pritje etj etj. Me këtë që duam të ofrojmë këtu nuk ka më çështje të marrëdhënieve dy palëshe të ministrisë tonë me shtete të tjera por kompania e sigurimit që do të përzgjidhet ofron dhe këtë gjë”, tha Beqaj. Por shifra e buxhetit ka sjellë edhe reagimin e fortë të ish-ministrit të Financave Ridvan Bode i cili e ka quajtur këtë projektligj si të dështuar.

“Ne nuk kemi institucion publik që merret me sigurimin e jetës në Shqipëri. Sigurimi i jetës kryhet nga kompanitë e sigurimeve. Këtu bëhet fjala për sigurim shëndetësor, për shërbim shëndetësor dhe ne kemi kompani një qendër, një institut, një fond publik”, tha Bode. Por pavarësisht debateve Komisioni i Ekonomisë e ka miratuar projektligjin në fjalë, dhe sipas këtij projekti siguruesi duhet të marrë përsipër të sigurojë në masën 100% shpenzimet e shërbimeve spitalore për 500 punonjësit.

Shkrimi u publikua sot (13.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)