Forcimi i Lekut, kur mund t’i shohim efektet te çmimet?

Forcimi i Lekut, kur mund t’i shohim efektet te çmimet?

Forcimi i Lekut po i bën gjithmonë e të lira importet shqiptare, pavarësisht se një gjë e tillë nuk është ende shumë e prekshme në ecurinë e çmimeve të konsumit.

Kursi zyrtar i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka rënë me pothuajse 4% vetëm në 10 ditët e para të muajit qershor, ndërsa rënia krahasuar me vitin e kaluar është më shumë se 12%.

Banka Qendrore ka theksuar disa herë se forcimi i Lekut ka qenë një nga arsyet pse Shqipëria pati nivele inflacioni më të ulëta krahasuar me pjesën tjetër të rajonit dhe Europës.

Në fakt, leku i fortë ka filluar të japë një ndikim në rënien e inflacionit të importuar gjatë tremujorit të parë të vitit 2023, në nivelin 8.7%. Inflacioni i importuar për herë të parë pas një viti, shënoi vlerë njëshifrore, i ndikuar nga tkurrja vjetore e çmimeve të karburanteve dhe nga ngadalësimi i inflacionit të ushqimeve të përpunuara.

Inflacioni i importuar vlerësohet të ketë kontribuuar me rreth 25% apo me rreth 1.6 pikë përqindje më pak se një tremujor më parë në formimin e inflacionit total. Ky zhvillim ka përcaktuar ngadalësimin e inflacionit në ekonominë shqiptare në muajt e parë të këtij viti. Në muajin prill, inflacioni zbriti në 4.6%, niveli më i ulët në më shumë se një vit, ndërsa për majin u regjistrua një rritje e lehtë në 4.7%.

Por, vala e re e forcimit të lekut, sidomos në periudhën maj-qershor, pritet të sjellë efekte të reja në ecurinë e çmimeve të konsumit. Nga analizat e lidhjes të treguesve përkatës me vonesa kohore të ndryshme, Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundimin se Treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste në ekonomi paraprin zhvillimet në komponentin e inflacionit të importuar me rreth tre deri në pesë muaj. Ky tregues llogaritet si rritja vjetore e indeksit të çmimeve të huaja dhe indeksit së Kursit Nominal Efektiv të Këmbimit për muajin përkatës. Duke qenë se çmimet në tregjet ndërkombëtare paraqiten më të stabilizuara, forcimi i Lekut pritet të sjellë një ulje të ndjeshme në Treguesin e Presioneve të Huaja Inflacioniste.

Duke marrë në konsideratë kohëvonesën e llogaritur për përcjelljen e lëvizjeve të kursit në inflacionin e importuar, është e arsyeshme të besohet se pas vjeshtës këto efekte mund të jenë më të prekshme për konsumatorët shqiptarë.

Megjithatë, inflacioni i importuar është vetëm një komponent i inflacionit në ekonomi. Banka e Shqipërisë ka theksuar vazhdimisht se presionet e brendshme inflacioniste ngelen të larta, të lidhura sidomos me rritjen e kostos së punës.

Banka e Shqipërisë konstaton se presionet e brendshme inflacioniste vazhdojnë të ushqehen nga një kërkesë e qëndrueshme dhe treg pune i fortë. Vrojtimet e bizneseve sugjerojnë një kërkesë të fortë për punëtorë dhe presione për rritjen e pagave në vijim. Sipas Bankës së Shqipërisë, qëndrueshmëria e aktivitetit ekonomike dhe kushtet e shtrënguara në tregun e punës krijojnë premisa për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në vijim, por edhe të presioneve të brendshme inflacioniste./ Monitor

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic