FT/ Kosovë 0-1 Turqi (Akturkoglu 53')
PRISHTINË - Një gol i Akturkoglu në minutën e 53-të shoi shanset e Kosovës për të qenë për herë të parë në finalet e një Kupe Bote. 13 mijë shqiptarë panë ndeshjen në 'Fadil Vokrri', ndërsa mijëra të tjera e ndoqën sfidën jashtë stadiumit. Prishtina u kthye sot në kryeqendrën e shqiptarisë, teksa mijëra tifozë nga Shqipëria ishin pranë ekipit të Kosovës në një ndeshje që në fund nuk rezultoi historike.
Nga ana tjetër Turqia është në festë legjitime pasi merr pjesë për herë të katërt në histori në finalet e një Kupe Bote. Turqit mungonin prej 24 vitesh në Botëror, që nga viti 2002 kur në Japoni dhe Kore të Jugut dolën të tretët në botë.
NDESHJA - Ekipi turk e nisi më me dëshirë përballjen finale të play-off-it të Botërorit, duke provuar me Kokcu, por sfera përfundoi jashtë. Në minutën e 29-të Kosova u ndal nga trau i portës, pasi goditja e Fisnik Asllanit nga jashtë zone u devijua nga portieri dhe më pas u stampua në shtyllë.
Në minutën e 53-të erdhi goli që heshti stadiumin "Fadil Vokrri". Një dalje e shpejtë nga e majta e sulmit bëri që Kokcu të godiste topin nga brenda zonës, me sferën që u devijua nga Akturkoglu brenda rrjetës.
Paçka se Kosova pati dy raste të mira me Muslinë dhe Asllanin, Cakir në portë u tregua hero për Turqinë. Ndeshja në Prishtinë u gjykua nga arbitri anglez Michael Oliver.
Mes lotëve dhe dëshpërimit Kosova 'doli huq' në ndeshjen historike që në rast fitoreje do i dërgonte për herë të parë në fazën finale të Kupës së Botës, turne që këtë verë do zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada nga 11 qershori deri më 19 korrik.
Komentet më të rëndësishme:
90+6' Turqia fiton 0-1 në Prishtinë dhe eliminon Kosovën nga grupet e Botërorit 2026.
90' Gjashtë minuta shtesë.
86' Fisnik Asllani godet nga jashtë zone, Cakir devijon në këndore.
81' Muslija provon nga jashtë zone, sfera kalon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të portierit mik Cakir.
65' Hakan Calhanoglu ndëshkohet me karton të verdhë.
53' GOOL! Aksion i shpejtë nga miqtë. Kokcu pason për Akturkoglu, me këtë të fundit që kalon Turqinë në epërsi.
46' Pjesa e dytë nis pa zëvendësime te të dyja skuadrat.
45+2' Mbyllet 0-0 pjesa e parë.
45' Dy minuta shtesë.
45' Akturkoglu debaton me Hajdarin i cili ishte i shtrirë në fushë, tension mes futbollistëve. Të dy ndëshkohen me kartona të verdhë.
29' Fisnik Asllani ka shansin më të mirë të ndeshjes, goditja e tij preket nga portieri i Turqisë dhe ndalet në traun e portës. Kosova pranë golit
27' Kokcu provon nga distanca, Kosova me fat pasi sfera shkon pranë portës dhe përfundon jashtë.
10' Muric dhe Vojvoda nuk kuptohen si duhet, përfiton Yildiz, por Kosova është me fat në këtë moment.
5' Vedat Muriqi ndjen shqetësime në shpinë.
1' Nis ndeshja në stadiumin 'Fadil Vokrri' të Prishtinës.
Formacionet zyrtare:
Kosova (5-3-2): Muric; Vojvoda, Dellova, Hajrizi, Hajdari, Gallapeni; Hoxha, Rexhbecaj; Muslija; Asllani, Muriqi Trajner: Franco Foda
Turqia (4-2-3-1): Cakir, Çelik, Kokçu, Akturkoglu, Guler, Calhanoglu, Yildiz, Bardakci, Kabak, Yuksek, Kadioglu Trajner: Vincenzo Montella
Tensioni nuk mungon në stadiumin “Fadil Vokrri” para Kosovë - Turqi. “GazetaDemos” raporton se disa tifozë turq janë arrestuar nga policia për shkak të trazirave të shkaktuara. Kosova ëndërron të luajë në Botërorin e parë të saj. Ndërkohë Turqia kërkon të rikthehet në këtë kompeticion pas 24 vitesh mungesë, teksa ka qenë tre herë në Kupën e Botës.
Paçka se sot janë rival në fushë, tifozët e Kosovës dhe Turqisë kanë festuar së bashku në rrugët e Prishtinës. Nuk ka munguar flamuri i UÇK-së, ai kombëtar dhe ai i Kosovës. Hyrja për në stadium vijon, ndërsa të dyja skuadrat kanë mbërritur në 'Fadil Vokrri'.
Trajneri Franco Foda nuk e ka ndryshuar formacionin fitues nga ndeshja e pesë ditëve më parë në Sllovaki (3-4). Edhe për sot kundër Turqisë ekipi startues është i njëjtë, ndërsa në stol kanë mbetur emra si Edon Zhegrova dhe Milot Rashica.
Formacioni zyrtar i Kosovës:
Kosova (5-3-2): Muric; Vojvoda, Dellova, Hajrizi, Hajdari, Gallapeni; Hoxha, Rexhbecaj; Muslija; Asllani, Muriqi Trajner: Franco Foda
Presidenti Bajram Begaj ka uruar fitoren për Kosovën, e cila sonte përballet me Turqinë për të siguruar një vend në Botëror.
“Me zemër në Prishtinë. Forca, Kosovë!”, shkruan Begaj krah një postimi në rrjetet sociale.
Sfida nis në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku janë drejtuar mijëra tifozë edhe nga Shqipëria.
Kosova do të synojë të zgjasë serinë e pamposhtur në shtëpi në të gjitha garat, e cila aktualisht është tetë ndeshje; që nga humbja 0-3 ndaj Rumanisë në Ligën e Kombeve në shtator 2024. Pritet të shihet nëse turqit do ta 'marrin' stadiumin.
Prishtina sot është kthyer në qendrën e shqiptarisë, pasi shqiptarët nga çdo vend i botës kanë udhëtuar për në kryeqytetin e Kosovës. 'Dardanët' kanë mundësinë që me fitoren kundër Turqisë të jenë në grupet e Kupës së Botës 2026.
Interesi ka qenë i madh, teksa shqiptarët i sheh me veshje patriotike, tupana dhe flamuj kombëtar. Mes tyre nuk mungojnë as tifozët e Turqisë dhe deri në këto momente nuk raportohet për incidente. Çdo rrugë në Prishtinë duket se është në festë, me ndeshjen që nis në orën 20:45 në stadiumin 'Fadil Vokrri'.
Stadiumi 'Fadil Vokrri' ka afërsisht 14 mijë ulëse dhe sot do duket shumë i vogël krahasuar me interesin e madh të shqiptarëve për të ndjekur nga pranë përfaqësuesen e Kosovës e cila luan kundër Turqisë për një vend në Kupën e Botës 2026.
Ndeshja finale ka zgjuar interesin e mijëra shqiptarëve të Shqipërisë, të cilët janë bashkuar me shqiptarët e Kosovës dhe jo vetëm, në Prishtinë. Tanimë ka nisur festa dhe tifozët dëgjohen në kor të thonë 'Kosova është zemra e Shqipërisë'. Me flamujt kombëtar, ato të Kosovës dhe këngë e valle tradicionale, shqiptarët janë në festë.

Kosova e futbollit është një ndeshje larg nga ëndrra për të marrë pjesë në grupet e Kupës së Botës 2026. Sot në Prishtinë luhet finalja kundër Turqisë, ndërsa mijëra tifozë nga Shqipëria kanë udhëtuar drejt kryeqytetit të Kosovës.
Edhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka motivuar 'Dardanët'.
"Ndoshta sot mund të ishim dy… por edhe kështu, jemi një. Me krenarinë që na dha Shqipëria dhe shpresën që na jep Kosova, Forca djemtë tanë", shkruan Duka.
Kujtojmë se sot luan edhe kombëtarja e Shqipërisë, por një miqësore kundër Ukrainës (20:45 në Valencia), kjo pasi kuqezinjtë u eliminuan në gjysmëfinalen play-off nga Polonia pesë ditë më parë.
Ditëlindja e 27-të e ka gjetur Edon Zhegrovën në një ditë që mund të jetë historike për futbollin e Kosovës. Ylli dardan i Juventusit mbush 27 vjeç dhe te Kosova ka pasur festë para ndeshjes kundër Turqisë e cila luhet sot në orën 20:45 në 'Fadil Vokrri'.
Kapiteni Vedat Muriqi i ka sjellë tortën e festës Zhegrovës, e këtë të fundit që ka fikur 'qirinjtë'.
'Shpresoj që sot të marrim një dhuratë të madhe, për mua dhe për të gjithë ne në Kosovë, siç do ishte kualifikimi në Botëror', tha Zhegrova, ndërkohë që shokët e ekipit dhe stafi e uruan në kor.
Sot në pikën kufitare të Morinës kanë dalë 17,539 qytetarë shqiptarë të cilët kanë hyrë në Kosovë prej orës 08:00-16:00. Gjithashtu janë regjistruar 7,816 automjete në këtë interval kohor. Shifra e lartë lidhet me ndeshjen Kosovë-Turqi ku shumica janë tifozë.
Ndërkohë janë regjistruar 5,207 qytetarë që kanë hyrë në Shqipëri dhe 2,213 automjete.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll luan sot kundër Turqisë në Prishtinë, në një ndeshje që mund të jetë historike për 'Dardanët'. Të gjithë shqiptarët sot janë me sytë nga futbollistët e Kosovës, ndërsa edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë bën tifo për djemtë e Franco Fodës.
"Nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, po ju brohorasim, luani fuqishëm dhe bëjeni Kosovën krenare", shkruan Ambasada e SHBA-së në Kosovë në kanalet e komunikimit. Përfaqësuesit e SHBA-së në Prishtinë mbajnë veshur edhe fanellat e Kosovës teksa pozojnë.
Qindra tifozë nga Shqipëria janë nisur drejt Prishtinës për të ndjekur nga afër dhe për të përkrahur Kombëtaren e Kosovës në ndeshjen ndaj Turqisë që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Të pajisur me flamuj kombëtarë dhe flamuj të UÇK-së, tifozët shqiptarë kanë krijuar një atmosferë entuziazmi dhe mbështetjeje të madhe që në rrugëtimin e tyre drejt kryeqytetit të Kosovës.
Aktualisht, shumë prej tyre ndodhen në pikën kufitare të Vërmicës, në anën kosovare të doganës, ku po presin për të hyrë në Kosovë dhe për të vijuar udhëtimin drejt Prishtinës.
Fluksi i madh i automjeteve që vijnë nga Shqipëria ka sjellë krijimin e radhëve në kufi, megjithatë burime nga terreni bëjnë të ditur se pritjet deri tani nuk janë të gjata dhe lëvizja po vijon normalisht.
Prania e madhe e tifozëve nga Shqipëria edhe në këtë sfidë dëshmon edhe një herë lidhjen e fortë shpirtërore dhe sportive mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit, duke e kthyer këtë ndeshje në një festë të përbashkët kombëtare.
Komente










Minuta e 53..!!?? Ju e dinit qe ne oren 11.26 u vendos rezultati i ndeshjes. Pagesa ishte si per min 53..Meditje burgu, e perkthej une. Nese Kosova do te dilte nga kornizat e grackes se Shqiperise do te fitonte, por e pate ndeshjen??! Edhe Shqiperia humbi.. P.S. Zakonisht humbesit duan shoqeri, ne momentin qe je humbes konsiderohesh i paafte, ne nivel jo te duhur per te mare shperblimin qe meriton. E fitoi Kosova shperblimin ose bonusin e premtuar nga qeveria??! Shqiperia ka kohe qe thur grackat per vetveten, por me mire me shoke sesa vetem!!!!
PërgjigjuTE DYJA EKIPET SI KOSOVA SI TURQIA..LUAJTEN SIKUR PO LUANIN NJE NDESHJE MIQESORE....NDESHJE SHUME E DOBET....KETO 2 EKIPE NUK E MERITONIN TE SHKONIN NE BOTEROR...
PërgjigjuImagjino te kishim nje kombetare SHQIPERI-KOSOVE, do kishim shkuar ne boteror me siguri.
PërgjigjuGol Zhegrova sonte
Përgjigjumos shani mor turkit! jeni vllezen mor!
PërgjigjuSonte fiton kosova
Përgjigju