LIVE/ Kosovë 0-1 Turqi (Akturkoglu 53')

PRISHTINË - Sytë e të gjithë shqiptarëve janë sot në stadiumin 'Fadil Vokrri' të Prishtinës, aty ku në orën 20:45 nisi finalja play-off mes Kosovës dhe Turqisë. Ndeshja teke do vendos se cila mes dy skuadrave do jetë pjesë e Grupit D të Botërorit. Vetëm dhjetë vite pas pranimit në FIFA dhe UEFA, Kosova sheh një nga arritjet më të mëdha në futboll, teksa grupet e Kupës së Botës do ishin realizimi i një ëndrre të kahershme për 'Dardanët'.

Komentet më të rëndësishme:

 

65' Hakan Calhanoglu ndëshkohet me karton të verdhë.

53' GOOL! Aksion i shpejtë nga miqtë. Kokcu pason për Akturkoglu, me këtë të fundit që kalon Turqinë në epërsi.

46' Pjesa e dytë nis pa zëvendësime te të dyja skuadrat.

45+2' Mbyllet 0-0 pjesa e parë.

45' Dy minuta shtesë.

45' Akturkoglu debaton me Hajdarin i cili ishte i shtrirë në fushë, tension mes futbollistëve. Të dy ndëshkohen me kartona të verdhë.

29' Fisnik Asllani ka shansin më të mirë të ndeshjes, goditja e tij preket nga portieri i Turqisë dhe ndalet në traun e portës. Kosova pranë golit

27' Kokcu provon nga distanca, Kosova me fat pasi sfera shkon pranë portës dhe përfundon jashtë.

10' Muric dhe Vojvoda nuk kuptohen si duhet, përfiton Yildiz, por Kosova është me fat në këtë moment.

5' Vedat Muriqi ndjen shqetësime në shpinë.

1' Nis ndeshja në stadiumin 'Fadil Vokrri' të Prishtinës.

Ekipi i Franco Fodës mposhti 3-4 Sllovakinë pesë ditë më parë në Bratislavë, aty ku ra në sy loja sulmuese. Sot përballë është Turqia, një ekip që prej vitit 2002 nuk merr pjesë në Botëror, teksa në Japoni dhe Kore të Jugut u renditën të tretët në botë.

Kosova ka një mbështetje të madhe sot, ndërsa stadiumi "Fadil Vokrri" duket shumë i vogël për kërkesat e shumta për bileta. Diçka më pak se 14 mijë tifozë do jenë në stadium, ndërsa 700 prej tyre janë nga Turqia. Edhe pse pa bileta, mijëra tifozë udhëtuan edhe nga Shqipëria drejt Prishtinës, duke treguar një mbështetje për vëllezërit që mund të shkruajnë historinë.

Sa i takon formacionit, trajneri Foda nuk ka bërë asnjë ndryshim nga ndeshja e fundit. Me skemën 5-3-2 që mund të kthehet edhe në 4-4-2, bie në sy sulmi shumë i mirë me Muriqin e Mallorcas dhe Fisnik Asllanin e Hoffenheim.

Kosova sot i ka mbledhur të gjithë djemtë e shpërndarë 'në fole', aty ku rrënjët flasin dhe historia është vetëm një faqe larg kapitullit më të ndritur të saj. "Nëse kualifikohemi, kjo do jetë festa më e madhe pas Pavarësisë", u shpreh Muriqi, dukshëm duke shprehur rëndësinë e ndeshjes.

'Koka' e Turqisë vlen 1 milion euro për futbollistët dhe stafin e Kosovës, pasi kjo është shuma e shpërblimit të premtuar nga kryeministri Albin Kurti. Për ecurinë e mirë deri tani, futbollistët dhe stafi i Kosovës kanë përfituar 750 mijë euro shpërblime.

Përballjet mes tyre

Kosova dhe Turqia do të përballen me njëra-tjetrën për herë të katërt në historinë e tyre. Tre përballjet e mëparshme janë dy ndeshje zyrtare dhe një miqësore e luajtur përpara se Kosova të bëhej anëtare e FIFA-s. Ekipi kombëtar i Turqisë i ka fituar të treja ndeshjet (dy jashtë fushe dhe një në shtëpi), duke shënuar 12 gola dhe duke pësuar vetëm 2.

Ndeshja në Prishtinë gjykohet nga arbitri anglez Michael Oliver.

Formacionet zyrtare:

Kosova (5-3-2): Muric; Vojvoda, Dellova, Hajrizi, Hajdari, Gallapeni; Hoxha, Rexhbecaj; Muslija; Asllani, Muriqi Trajner: Franco Foda

Turqia (4-2-3-1): Cakir, Çelik, Kokçu, Akturkoglu, Guler, Calhanoglu, Yildiz, Bardakci, Kabak, Yuksek, Kadioglu Trajner: Vincenzo Montella

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:24
Tensione në stadiumin 'Fadil Vokrri', policia arreston disa tifozë turq

1774981511_prishtine.JPG

Tensioni nuk mungon në stadiumin “Fadil Vokrri” para Kosovë - Turqi. “GazetaDemos” raporton se disa tifozë turq janë arrestuar nga policia për shkak të trazirave të shkaktuara. Kosova ëndërron të luajë në Botërorin e parë të saj. Ndërkohë Turqia kërkon të rikthehet në këtë kompeticion pas 24 vitesh mungesë, teksa ka qenë tre herë në Kupën e Botës.

Ora 19:24
VIDEO/ Tifozët e Kosovës dhe Turqisë festojnë së bashku në Prishtinë, nuk mungon flamuri i UÇK-së

Paçka se sot janë rival në fushë, tifozët e Kosovës dhe Turqisë kanë festuar së bashku në rrugët e Prishtinës. Nuk ka munguar flamuri i UÇK-së, ai kombëtar dhe ai i Kosovës. Hyrja për në stadium vijon, ndërsa të dyja skuadrat kanë mbërritur në 'Fadil Vokrri'.

 

Ora 19:19
Formacioni zyrtar/ Ekipi fitues nuk ndryshon, mësohen titullarët e Kosovës! Foda lë në stol Zhegrovën dhe Rashicën

1774977593_kosova.JPG

Trajneri Franco Foda nuk e ka ndryshuar formacionin fitues nga ndeshja e pesë ditëve më parë në Sllovaki (3-4). Edhe për sot kundër Turqisë ekipi startues është i njëjtë, ndërsa në stol kanë mbetur emra si Edon Zhegrova dhe Milot Rashica.

Formacioni zyrtar i Kosovës:

Kosova (5-3-2): Muric; Vojvoda, Dellova, Hajrizi, Hajdari, Gallapeni; Hoxha, Rexhbecaj; Muslija; Asllani, Muriqi Trajner: Franco Foda

Ora 18:50
‘Me zemër në Prishtinë’, presidenti Begaj uron fitore për Kosovën

Presidenti Bajram Begaj ka uruar fitoren për Kosovën, e cila sonte përballet me Turqinë për të siguruar një vend në Botëror.

“Me zemër në Prishtinë. Forca, Kosovë!”, shkruan Begaj krah një postimi në rrjetet sociale.

Sfida nis në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku janë drejtuar mijëra tifozë edhe nga Shqipëria.

 

Ora 18:18
'Fadil Vokrri' është një 'fortesë' e pathyeshme, Kosova ka tetë ndeshje radhazi që nuk humbet në shtëpi

1774973993_fadilvokrri.JPG

Kosova do të synojë të zgjasë serinë e pamposhtur në shtëpi në të gjitha garat, e cila aktualisht është tetë ndeshje; që nga humbja 0-3 ndaj Rumanisë në Ligën e Kombeve në shtator 2024. Pritet të shihet nëse turqit do ta 'marrin' stadiumin.

Ora 17:49
FOTOT/ Me veshje tradicionale, flamurin kombëtar dhe tupana! Shqiptarët 'ndezin' Prishtinën, me ta bashkohen edhe tifozët turq

Prishtina sot është kthyer në qendrën e shqiptarisë, pasi shqiptarët nga çdo vend i botës kanë udhëtuar për në kryeqytetin e Kosovës. 'Dardanët' kanë mundësinë që me fitoren kundër Turqisë të jenë në grupet e Kupës së Botës 2026.

Interesi ka qenë i madh, teksa shqiptarët i sheh me veshje patriotike, tupana dhe flamuj kombëtar. Mes tyre nuk mungojnë as tifozët e Turqisë dhe deri në këto momente nuk raportohet për incidente. Çdo rrugë në Prishtinë duket se është në festë, me ndeshjen që nis në orën 20:45 në stadiumin 'Fadil Vokrri'.

Ora 17:24
Nis festa në Prishtinë, tifozët në kor: Kosova është zemra e Shqipërisë (VIDEO)

Stadiumi 'Fadil Vokrri' ka afërsisht 14 mijë ulëse dhe sot do duket shumë i vogël krahasuar me interesin e madh të shqiptarëve për të ndjekur nga pranë përfaqësuesen e Kosovës e cila luan kundër Turqisë për një vend në Kupën e Botës 2026.

Ndeshja finale ka zgjuar interesin e mijëra shqiptarëve të Shqipërisë, të cilët janë bashkuar me shqiptarët e Kosovës dhe jo vetëm, në Prishtinë. Tanimë ka nisur festa dhe tifozët dëgjohen në kor të thonë 'Kosova është zemra e Shqipërisë'. Me flamujt kombëtar, ato të Kosovës dhe këngë e valle tradicionale, shqiptarët janë në festë.

Ora 16:55
Armand Duka motivon Kosovën mes keqardhjes: Ndoshta sot mund të ishim dy

1774968966_kosova.jpg

Kosova e futbollit është një ndeshje larg nga ëndrra për të marrë pjesë në grupet e Kupës së Botës 2026. Sot në Prishtinë luhet finalja kundër Turqisë, ndërsa mijëra tifozë nga Shqipëria kanë udhëtuar drejt kryeqytetit të Kosovës.

Edhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka motivuar 'Dardanët'.

"Ndoshta sot mund të ishim dy… por edhe kështu, jemi një. Me krenarinë që na dha Shqipëria dhe shpresën që na jep Kosova, Forca djemtë tanë", shkruan Duka.

Kujtojmë se sot luan edhe kombëtarja e Shqipërisë, por një miqësore kundër Ukrainës (20:45 në Valencia), kjo pasi kuqezinjtë u eliminuan në gjysmëfinalen play-off nga Polonia pesë ditë më parë.

Ora 16:36
VIDEO/ Tortë te Kosova para Turqisë, Edon Zhegrova feston ditëlindjen në grumbullim

 

Ditëlindja e 27-të e ka gjetur Edon Zhegrovën në një ditë që mund të jetë historike për futbollin e Kosovës. Ylli dardan i Juventusit mbush 27 vjeç dhe te Kosova ka pasur festë para ndeshjes kundër Turqisë e cila luhet sot në orën 20:45 në 'Fadil Vokrri'.

Kapiteni Vedat Muriqi i ka sjellë tortën e festës Zhegrovës, e këtë të fundit që ka fikur 'qirinjtë'.

'Shpresoj që sot të marrim një dhuratë të madhe, për mua dhe për të gjithë ne në Kosovë, siç do ishte kualifikimi në Botëror', tha Zhegrova, ndërkohë që shokët e ekipit dhe stafi e uruan në kor.

Ora 16:21
Ndeshja Kosovë-Turqi/ Shifra të çmendura në Morinë, 17,539 qytetarë kanë hyrë në Kosovë në 8 orë!

 

Sot në pikën kufitare të Morinës kanë dalë 17,539 qytetarë shqiptarë të cilët kanë hyrë në Kosovë prej orës 08:00-16:00. Gjithashtu janë regjistruar 7,816 automjete në këtë interval kohor. Shifra e lartë lidhet me ndeshjen Kosovë-Turqi ku shumica janë tifozë.

Ndërkohë janë regjistruar 5,207 qytetarë që kanë hyrë në Shqipëri dhe 2,213 automjete.

Ora 16:15
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë: Ne të gjithë brohorasim për ju, bëjeni Kosovën krenare

1774966618_prishtine.jpg

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll luan sot kundër Turqisë në Prishtinë, në një ndeshje që mund të jetë historike për 'Dardanët'. Të gjithë shqiptarët sot janë me sytë nga futbollistët e Kosovës, ndërsa edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë bën tifo për djemtë e Franco Fodës.

"Nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, po ju brohorasim, luani fuqishëm dhe bëjeni Kosovën krenare", shkruan Ambasada e SHBA-së në Kosovë në kanalet e komunikimit. Përfaqësuesit e SHBA-së në Prishtinë mbajnë veshur edhe fanellat e Kosovës teksa pozojnë.

Ora 16:06
Festë në të dy anët e kufirit! Me flamuj kuqezi e të UÇK-së, tifozët nga Shqipëria plot entuziazëm drejt Prishtinës

 

Qindra tifozë nga Shqipëria janë nisur drejt Prishtinës për të ndjekur nga afër dhe për të përkrahur Kombëtaren e Kosovës në ndeshjen ndaj Turqisë që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Të pajisur me flamuj kombëtarë dhe flamuj të UÇK-së, tifozët shqiptarë kanë krijuar një atmosferë entuziazmi dhe mbështetjeje të madhe që në rrugëtimin e tyre drejt kryeqytetit të Kosovës.

Aktualisht, shumë prej tyre ndodhen në pikën kufitare të Vërmicës, në anën kosovare të doganës, ku po presin për të hyrë në Kosovë dhe për të vijuar udhëtimin drejt Prishtinës.

Fluksi i madh i automjeteve që vijnë nga Shqipëria ka sjellë krijimin e radhëve në kufi, megjithatë burime nga terreni bëjnë të ditur se pritjet deri tani nuk janë të gjata dhe lëvizja po vijon normalisht.

Prania e madhe e tifozëve nga Shqipëria edhe në këtë sfidë dëshmon edhe një herë lidhjen e fortë shpirtërore dhe sportive mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit, duke e kthyer këtë ndeshje në një festë të përbashkët kombëtare.