PERTH, Australi - Milani dhe Interi barazuan 1-1 në miqësoren verore të zhvilluar këtë të mërkurë në stadiumin 'Optus' në Perth, ku të pranishëm ishin 53 mijë tifozë. Të dyja skuadrat ndodhen në Australi për fazën përgatitore, teksa ditët në vijim do të lëvizin në disa shtete të Azisë.
Ndeshja nisi me homazhe për ndarjen nga jeta të Franco Baresit, legjendës së Milanit, i cili mbylli sytë më 31 korrik në moshën 66-vjeçare pas problemeve me mushkëritë. Veç minutës së heshtjes, futbollistët e Milanit mbanin veshur fanellat me numrin 6 të Baresit.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola, duke rezervuar gjithçka për fraksionin e dytë. Në minutën e 53-të një pasim final i Barellas bëri që Dimarco të kalonte Interin në epërsi pa shumë probleme, thuajse me portën të boshatisur.
Trajneri Ruben Amorim bëri shumë ndërhyrje nga stoli dhe gjithçka u reflektua në fushë. Milani fitoi një 11 metërsh në minutën e 84-t, teksa Nkunku e ndali sferën në rrjetë me dy 'kushërinjtë' e Milanos që barazuan 1-1 shumë larg qytetit të tyre.
Për Ruben Amorim kjo ishte përballja e parë në 'Derbin e Madoninës' si trajner i Milanit. Kuqezinjtë vinin pas barazimit ndaj Celtic në miqësore. Ndërkohë, Mike Maignan dhe Adrien Rabiot mungojnë ende, pasi janë në pushime pas pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2026.
Zikaltrit, që vijnë pas fitimit të dy trofeve, Serie A dhe Kupës së Italisë, në sezonin e parë të Cristian Chivut në stol, ishin pa Lautaro Martinez dhe Marcus Thuram, të cilët janë rikthyer vonë pas angazhimeve në Kupën e Botës.
Formacionet zyrtare:
MILAN (3-4-2-1): Torriani; Tomori, Gabbia, Pavlovic; Chukwueze, Fofana, Musah, Bartesaghi; Loftus-Cheek, Cisse; Camarda. Trajner: Ruben Amorim
INTER (3-5-2): J. Martinez; Pavard, Bisseck, Bastoni; Diouf, Barella, Stankovic, Zielinski, Dimarco; Pio Esposito, Iddrissou. Trajner: Cristian Chivu

Për derbin kundër Interit i cili u zhvillua në Australi, futbollistët e Milanit dolën në fushë me fanellën me numrin 6, atë të Franco Baresit. Ky ishte një homazh nga klubi kuqezi për legjendën e ekipit i cili u nda nga jeta më 31 korrik në moshën 66-vjeçare. Veç numrit 6, i cili është tërhequr nga Milani për nder të Baresit që në vitin 1997, fanella kishte edhe mbiemrin 'Baresi'. Në stadium u mbajt një minutë heshtje në nder të tij.








Komente
Komento