Kombëtarja është mposhtur me rezultatin e ngushtë 2-1 në miqësoren kundër Spanjës të zhvilluar në Katalonjë. Edhe pse rezultati nuk ishte në favor të kuqezinjve në këtë 90 minutësh ra në sy organizimi dhe fryma e grupit që kombëtares i mungonte në ndeshjen me Anglinë.

Në stadiumin e Espanyol, ku Spanja nuk luante që prej 17 vitesh për shkak të problemeve në rajonin e Katalonjës, pjesa e parë u mbyll me shifrat 0-0. ‘La Roha’ diminoi me rastet dhe mbjatjet e topit, por edhe të besuarit e Rejës me Cikalleshin dhe Brojën prodhuan shanse tejet të rrezikshme.

Në pjesën e dytë, pas një këmbëngulje të gjatë dhe pritjeve të mrekullueshme të Berishës Spanja mori avantazhin me Ferran Torres. Gjithsesi kuqezinjtë nuk u dorëzuan dhe në minutën e 85 barazuan me Uzunin, duke rikthyer baraspeshën dhe shpresën. Fati e bëri beratasin shqiptarin e parë që shënon në tokën spanjolle për kombëtaren, por që gjithsesi nuk mjaftoi. Në minutën e 90 Dani Olmo realizoi një supergol për të vulosur fitoren.

Kjo ishte ndeshja e tetë në histori kundër Spanjën dhe të gjitha fatkeqësisht të humbura, por Shqipëria do tentojë të ngrejë kokën 3 ditë më pas kur më 29 mars të përballet me Gjeorgjinë në një tjetër miqësore.

Formacioni i trajnerit Reja

Nga ajo se çfarë ishte parashikuar Edy Reja ka habitur pak ose thuajse aspak me formacion zyrtar të kombëtares në ndeshjen me Spanjën. Trajneri italian në portë ka vendosur Berishën dhe jo Strakoshën siç u mendua në fillim, duke qenë se Hysaj doli si kapiten në konferencën zyrtare për shtyp.

Ndërkohë asnjë surprizë në mbrojtje ku janë Gjimshiti, Kumbulla dhe Ismajli, ndërsa nga krahët janë zgjedhur Hysaj dhe Balliu. Në mesfushë Gjasula dhe Bare do mbështet nga Laçi, ndërkohë që Broja më në fund e nis titullar në sulm së bashku me Cikalleshin.

Shqipëria 3-5-2: Berisha, Gjimshiti, Kumbulla, Ismajli, Hysaj, balliu, Gjasula, Laçi, Bare, Broja dhe Cikalleshi

Spanja: 4-3-3: Raya Marttin, Carvajal, Eric Garcia, Pau Torres, Alonso, Gavi, Pedri, Rodri, Ferran Torres, Morota dhe Sarabia

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:02
‘Shqipëria është gjaku im’, Broja: Gjynah që nuk morëm barazimin kundër Spanjës

Sulmuesi i kombëtares Armando Broja ka folur me superlativa për paraqitjen e kombëtares.

“Më vjen shumë keq. Për mendimin tim deri në 80 e ca kemi luajtur mirë, kemi pasur raste. Patëm shanse në fund. Na ndëshkuan me gol të bukur. Është gjë e vogël që të dhëmb. Deri në fund kemi luajtur mirë, por duhet edhe më shumë.

Jam shumë i kënaqur për numrin 9, Shqipëria është gjaku im. Desha ta fitonim ndeshjen të gjithë bashkë. Gjynah që nuk kemi marrë barazim. Duhet të punojmë më shumë si ekip në stërvitje. Nuk kam pengje. Nuk ndryshon dot gjë mbrapa ndeshjes. Cikalleshi kishte rast flagrant në pjesën e parë, kemi pasur disa raste, edhe mund ta fitonim ndeshjen. Mungoi fati dhe pasimi i fundit. Mundemi të luajmë edhe më shumë.

Jam shumë i kënaqur që luajta titullar. Trajneri e bën formacionin, detyra ime është të stërvitem mirën. Kam patur shumë kënaqësi. Jam i mërzitur që nuk barazuam pse jo edhe të fitonim, duhet të nxjerrim mësim”, u shpreh Broja për “RTSH”.

Ora 21:38
Goli i Uzunit nuk mjafton! Kombëtarja mposhtet nga ‘yjet’ e Spanjës, por tregon karakter në Katalonjë

90+3’ Përfundon me fitoren e Spanjës 2-1 miqësorja e kombëtares në Katalonjë. Edhe pse humbën kuqezinjtë treguan një formë dhe lojë shumë të mirë.

Ora 21:34
Dani Olmo shokon me një supergol, Spanja rikthehet në avantazh kundër Shqipërisë

90’ Dani Olmo realizon një eurogol dhe rikthen shpejt Spanjën në avantazh. 2-1 kundër Shqipërisë.

Ora 21:31
Goli i parë kombëtar në tokën spanjolle, Uzuni rikthen baraspeshën në Katalonjë

85’ Kombëtarja shënon golin e parë në tokën spanjolle dhe sjell barazimin në Katalonjë. Autor Myrto Uzuni pas një devijimi.

Ora 21:20
Pritjet mbreslënëse të Berishës marrin fund, Torres kalon në avantazh Spanjën kundër Shqipërisë

75’ Pas disa pritjeve të mrekullueshme mposhtet Etrit Berisha. Ferran Torres kalon në avantazh Spanjën.

Ora 20:32
45 minuta pa gola! Spanja dominon miqësoren, por kombëtarja rrezikon frikshëm me Cikalleshin dhe Brojën

45+1’ Pjesa e parë rezultoi shumë voluminoze ku ashtu siç pritej Spanja mbajti qarkullimin e topit, duke krijuar disa raste të befasishme. Por edhe pse përballë kishte një kombëtare të madhe kuqezinjtë e Rejës tentuan të linin shenjën e tyre, duke rrezikuar në dy raste tepër të volitshme. Njëherë ishte Sadiku që nuk arriti të godinte, ndërsa më pas një top në zonë nga Broja nuk u shfrytëzua siç duhej.

Ora 20:18
VIDEO/ Sfida me Spanjën, tifozët ngjyrosin kuqezi Barcelonën! Momenti i këndimit të himneve

 

Me mijëra janë tifozët kuqezi në Barcelona që kanë shkuar të ndjekin ekipin në sfidën kundër Spanjës. Report Tv ka siguruar pamje edhe të këndimit të himnit. 
 

Ora 19:44
Nis përballja e prestigjit për Kombëtaren, Spanja rikthehet pas 17 vitesh në Katalonjë për të sfiduar ‘shqiponjat’

1’ Në Katalonjë ka nisur sfida miqësore e kombëtares kundër Spanjës, kundërshtarit ndaj të cilit kuqezinjtë kanë humbur të 7 ndeshjet e zhvilluara. Ndërkohë kjo është ndeshja e parë që Spanja luan në territorin e Katalonjës pas 17 vitesh.