Max Verstappen me Red Bull ka dominuar sot në garën e parë sezonale të Formula 1, atë të zhvilluar në Bahrein, duke nisur kështu ‘gjuetinë’ për titullin e tretë.  Një garë tërësisht e dominuar nga piloti holandez dhe makina Red Bull, me dy pilotët e saj që zunë dy vendet e para, ndërsa rivalët ishin shumë larg, pa dueluar dot për fitore.

Pra, gara e para e sezonit nuk pati shumë histori. Sa i takon pjesës tjetër të pilotëve, Charles Leclerc provoi të rezistonte dhe të mbante podiumin. Në fillimi piloti monegask ia doli të parakalonte Sergio Perez duke u ngjitur në vendin e dytë, por në vijim meksikani e rifitoi pozicionin e tij ndërsa numri një i Ferrarit u dorëzua në xhiron e 41-të me makinën kokëkuqje që duhej të tërhiqej para kohe nga gara. Kështu, Perez ishte ai që zuri vendin e dytë në Bahrein.

Ndërkohë, surpriza e madhe ishte Fernando Alonso i cili edhe pse u nis nga vendi i pestë, ia doli ta mbyllte garën në podium. Aston Martin iu përgjigj në mënyrën e duhur spanjollit që parakaloi Sainz dhe u rendit në vendin e tretë duke lënë pas në vendin e katërt pilotin e dytë të Ferrarit.

RENDITJA:

Verstappen, Red Bull

Perez, Red Bull

Alonso, Aston Martin

Sainz, Ferrari

Hamilton, Mercedes

Stroll, Aston Martin

Russell, Mercedes

Bottas, Alfa Romeo

Gasly, Alpine

Albon, Williams