Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mori pjesë sot në Forumin Ekonomik të Delfit që po zhvillohet në Tiranë.

Spiropali theksoi se "Tirana mirëpret Forumin Ekonomik të Delfit në kohën kur Shqipëria është aktor aktiv dhe i besueshëm në marrëdhëniet bilaterale me partnerët, në forumet ndërkombëtare, në aleancat e sigurisë dhe mbrojtjes dhe në të gjitha platformat e investimeve e bashkëpunimit ekonomik për zhvillim."

Për Shqipërinë, sipas Spiropalit, pozicioni i vetëm koherent strategjik mbetet kontributi për sigurinë, zhvillimin dhe integrimin rajonal dhe atë kontinental.

Ajo shtoi se Shqipëria po e përdor pozicionin e saj gjeografik për të forcuar lidhjet mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në Adriatik e Mesdhe, veçanërisht në fushat e energjisë, infrastrukturës dhe sigurisë kibernetike.

Ministrja Spiropali theksoi se "stabiliteti rajonal mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë, duke rikujtuar mbështetjen e vendit për dialogun Kosovë–Serbi dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në rajon."

Ministrja Spiropali rikonfirmoi ambicien e Shqipërisë për të qenë një aktor dhe faktor proaktiv dhe konstruktiv në rajon:

“Qëllimi ynë është i qartë: të thellojmë bashkëpunimin me fqinjët tanë, të forcojmë hapësirën tonë të përbashkët adriatike dhe të avancojmë rajonin drejt së ardhmes europiane.”


Lajmi kryesor:

‘Tirana Economic Forum’, kryeministri Rama: Investimet e huaja arritën rekordin 1.58 mld euro në 2024! Shqipëria një korridor zhvillimi nga veriu në jug