Forumi 'eTransport', Veliaj: Në 2023 do për transportin interurban të juglindjes do të përdoret Terminali Lindor

Tirana e së ardhmes do të ketë një transport publik model, i cili do të disiplinojë si trafikun, ashtu edhe këtë shërbim të rëndësishëm për qytetarët, që lëvizin brenda kryeqytetit dhe nëpërmjet linjave interurbane dhe hekurudhore.

Dy kanë qenë risitë që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka nënvizuar si investime drejt asaj që ai e quajti Kryeqytet Europian i Transportit: Digjitalizimi i shërbimit aktual, si dhe hapja e dy megaterminaleve për autobusët, që bashkë me linjën hekurudhore do t’i japin frymë lëvizshmërisë në Tiranë.

I pranishëm në forumin “eTransport”, Veliaj tha se paralelisht me modernizimin e këtyre shërbimeve, bashkia ka ecur edhe me subvencionimin, si të qytetarëve, ashtu edhe të operatorëve të transportit urban në kryeqytet që, tashmë me futjen e sistemit GPS, bëhet edhe më e lehtë. 

“Ne kemi kemi thyer një tabu me subvencionimin e transportit publik, por ama konteksti i luftës në Ukrainë e kërkoi këtë ndërhyrje. Në një botë globale, ku të gjithë jemi të lidhur, sigurisht e ndjen impaktin e çmimit të naftës dhe të karburanteve. Një mënyrë ishte ajo që bëmë në Bashkinë e Tiranës si zgjedhje e përkohshme, ku çdo autobusi t’i vihet një GPS dhe përmes kësaj bëjmë subvencionim për kilometrat e bëra, saktësinë dhe disiplinën e mbërritjes në stacion,” u shpreh Veliaj. 

Pika tjetër, më e rëndësishme, shtoi kryebashkiaku, është terminali lindor i autobusëve, i cili është drejt përfundimit, si dhe terminali i linjave të tjera, për të cilin më në fund, tha Veliaj, pas 27 gjyqesh, bashkia fitoi të drejtën edhe të ngritjes së këtij kantieri të ri. 

“Duke filluar nga viti tjetër, për të gjithë transportin interurban të juglindjes do të përdoret Terminali Lindor. Ndërkohë, sapo kemi fituar gjyqin e 27-të, - për të gjithë ata që ulërasin se si do të zgjidhet trafiku në Tiranë, kur e kishin në dorë ia lanë ta copëtonin njerëz që nuk kishin lidhje me tokën dhe projektet e bashkisë përfunduan në hipotekat e lloj-lloj spekulanti, - dhe më në fund do të hapet kantieri te kthesa e Kamzës, kantieri historik për terminalin e perëndimit, të jugut dhe të veriut. Besoj se ai megaterminal aty, bashkë me shërbimet, duke qenë se është dhe pranë një nyjeje të komunikimit, do na zgjidhë njëherë e mirë çështjet e transportit interurban që futet brenda në Tiranë,” nënvizoi Veliaj. 

Kryebashkiaku i Tiranës tha se ndërkohë, ka filluar traseja e stacionit të trenit. Bëhet fjalë për një lidhje të terminalit perëndimor me Stacionin e Trenit, ku linja hekurudhore do të vazhdojë elektrike, apo siç quhet ndryshe “light rail”, pra hekurudha e lehtë, deri ku ka qenë ish-Stacioni i Trenit, tek fillimi i Bulevardit të Ri. “Duke pasur një platformë që na integron të gjitha sistemet, si ato që janë me binarë, hekurudhën, ashtu dhe ato mbi rrota, që janë autobusët dhe mjetet e tjera të transportit publik, unë besoj se kemi sot një sistem të integruar dhe mund të themi që, për sa i përket transportit, kemi edhe një Kryeqytet Europian të Transportit me një filozofi të tillë dhe me një hapësirë digjitale që na bashkon,” e mbylli Veliaj fjalën e tij. 

Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja vlerësoi mbështetjen e Bashkisë së Tiranës. “Asnjë projekt në nivel kombëtar s’do të kishte vlerë pa Bashkinë e Tiranës. Bashkia e Tiranës është qendra e Shqipërisë. Kemi 9.5 milion udhëtarë që nisen nga kjo bashki”, tha Gonxhja. Ndërsa ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro u shpreh se sivjet Tirana ka pasur një bum turistësh, ku grupmosha kryesore ka qenë 20-25 vjeç. “Ne kemi pasur 6.5 milionë të huaj në vend. Tirana sivjet ka qenë bum i turizmit dhe me të rinj. Grupmosha nga përgjithësisht që ishin 50 e sipër, turistët e Tiranës sivjet kanë qenë të rinj midis 20 dhe 35 vjeç. Të gjitha këto tregojnë për publik të shtuar, mobilitet, dëshirën për lëvizje”, tha Kumbaro.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:01
Prezantohet platforma eTransport për lëvizjen ndërqytetase, Kumbaro: Një mundësi e re informacioni për Shqipërinë Turistike

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e pranishme në prezantimin e platformës “eTransport” nga DPSHTRR, e cila lejon aksesin digjital në transportin rrugor ndërqytetas, u shpreh se kjo alternativë zgjidh problemin e turistëve të huaj për të udhëtuar brenda Shqipërisë duke u ofruar informacionin e duhur për vendodhjen e terminaleve, aksesimin e biletave online dhe intineraret e transportit.

“Ky nuk është një shërbim vetëm për 2.8 milionë banorë, por për shumë më shumë,

sepse deri më 30 shtator të këtij viti ne shënuam 6.5 milionë vizitorë të huaj, shifër e barabartë me atë të vitit 2019.

Jo vetëm kaq, por Tirana sivjet ka pasur një fluks turistësh të rinj, të grumposhave 20−35 vjeç. Të gjitha këto tregojnë për një publik të shtuar, mobilitet, dëshirë për lëvizje. Ky shërbim, jo vetëm na jep më shumë informacion, por na shërben për të kuptuar se nuk ka nevojë të kesh makinën tënde për të lëvizur, por falë transportit ndërqytetas që po e rrit cilësinë e shërbimit, reduktojmë ndotjen urbane dhe ndërurbane”, u shpreh ministrja.

Në marrëveshjen e nënshkruar mes Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, qëllimi është promovimi i platformës “eTransport” lançimi i së cilës do të shënojë fillimin e një epoke të re të digjitalizimit të transportit ndërqytetas.

Gjatë panelit të organizuar nga DPSHTRR, pjesëmarrës ishin drejtori Blendi Gonxhe, kryetari i bashkisë Erion Veliaj, Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali.

Me përfundimin e fazës së parë të projektit të platformës, përmes aksesit në telefonët tyre, udhëtarët do të mund të njihen me destinacione eksperienca, site dhe zonat e mbrojtura, evente me interes për të pasuruar jetën kulturore, artistike të turistëve në nivel qendror dhe lokal. Gjithashtu do të njihen edhe me infrastruktura mikpritëse në qytete të ndryshme që përmban platforma.

“Jo të gjithë turistët vijnë me makina apo marrin makina me qera dhe kanë dëshirë të lëvizin e të zbulojnë Shqipërinë në të përditshmen e saj. Ne në Shqipëri, sipas disa shifrave, kalojmë 5 orë në ditë me telefon në dorë, duke hapur dhe mbyllur të gjitha kanalet e komunikimit. Çdo kanal komunikimi është gjithashtu një kanal promovimi nëse duam ta përdorim kështu. Së bashku me drejtorin e DPSHTRR Blendi Gonxhe,  gjetëm konsensusin që ta përdorim së bashku këtë platformë si një mënyrë promovimi të Shqipërisë turistike, të qyteteve, peizazheve tona sepse është një mënyrë shumë e mirë t’i shoqërojmë udhëtarët me informacion turistik duke krijuar një mundësi të re informacioni të Shqipërisë turistike brenda kësaj platforme”, u shpreh Kumbaro.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Krijoi një nga ‘perandoritë’ më të mëdha të prodhimit të motorëve dhe makinave, vdes në ditën e Krishtlindjes Osamu Suzuki

Krijoi një nga ‘perandoritë’ më të mëdha të prodhimit të motorëve dhe makinave, vdes në ditën e Krishtlindjes Osamu Suzuki