RAMA: BERISHA FOLI ME ZOTIN SI ME NARD NDOKEN
Kryetari i PS-së ironizoi Berishën për ëndrrën dhe takimin me Zotin. “Ah po, kjo ishte ndërkohë një javë e jashtëzakonshme, sepse në fillim të kësaj jave kryeministri ynë foli drejtpërdrejtë me Zotin. Madje, mori mbështetje prej tij. Natën. Në orët e para të ditëlindjes. Nuk i’u lut Zotit as për popullin e vet. As për zbutjen e dhimbjeve të shpirtit të këtij populli prej plagëve të panumërta sociale, që qeveria e tij i ka hapur. As për pak dritë në rrugën e udhëheqjes së këtij populli. Jo, foli me zotin njësoj si të ishte duke folur me Nard Ndokën. Dua të jemi aleatë për një mandat tjetër, i tha. Dhe, siç e tregoi vetë nga tribuna e grupit të tij parlamentar që është bërë si salla blu e Portokallisë, Zoti pranoi.
Imagjinojeni sa gabim e pati ambasadori amerikan kur tha se kjo qeveri nuk ka aftësi të dialogojë me të burgosurit të politikë, ndërkohë që kryeministri jo vetëm komunikon me Zotin me po atë lehtësi që Doktori i Fiksit komunikon me Saimirin, po edhe e bën Zotin krah të djathtë për fushatë. “- tha Rama .
RAMA GRAVE SOCIALISTE: ME NDIHMONI TE SJELLIM RILINDJEN
Në këtë kongres merrnin pjesë gra dhe vajza nga e gjithë Shqipëria por nuk mungonte edhe prezenca e ndërkombëtarëve, si ajo e ambasadorit të BE-së, Ettore Sequi. Gjatë fjalës së saj, Xhaçka deklaroi se me pjesëmarrjen e grave në politikë do të kemi një të ardhme më të mirë.
Nga ana e tij Rama u shpreh i bindur që 2013 do të jetë Viti i Ndryshimit. "Viti që do ta çelë rrugën e një Rilindjeje Shqiptare" dhe ftoi gratë socialiste të japin kontributin e tyre dhe të mbrojnë votën në zgjedhjet e 2013 . "Unë kam nevojë për ju për t’u shpjeguar të tjerëve, në çdo qytet e fshat, rilindjen që duam të sjellim për Shqipërinë."- tha Rama.
"Kam parë cinikët që rrudhin buzët me shpoti kur them se duam një Rilindje Shqiptare. I kam dëgjuar kur thonë se ky është një slogan naiv pa lidhje me politikën. I kam lexuar të shkruajnë se madje është megallomani e pafalshme që ne socialistët dashkemi të përsërisim Rilindjen Kombëtare të etërve themelues të shtetit shqiptar.
S’më shqetësojnë cinikët. Më shqetëson nevoja e ngutshme për ta çuar mesazhin tonë për një Rilindje Shqiptare në çdo vesh e zemër, nga Tropoja deri në Konispol. Një Rilindje Shqiptare sot nuk do të thotë kurrsesi një kapitull i dytë i librit të artë të Rilindjes sonë Kombëtare, por një kapitull i parë i politikës dhe qeverisjes siç e duam dhe siç e meritojmë mu në mes të Europës pas 100 vjetësh pavarësi."- shtoi më tej kryesocialisti Rama.
Rama premtoi se në strategjinë e qeverisjes socialiste do të jetë sigurimi shëndetësor dhe i pushimit të lindjes për të gjitha gratë e të rejat e Shqipërisë që janë apo nuk janë në punë.
Kryetari i Partisë Socialiste i ka bërë thirrje Kryeministrit të vendit që të dëgjojë kërkesat e ish-të burgosurve politikë. Duke hedhur poshtë sulmet e mazhorancës e cila akuzon opozitën si organizatore e grevës, Rama deklaroi se greva nuk eshte politike por ka te bejë me nje kapitull tallës të Berishës ndaj kësaj shtrese e cila e ka mbeshtetur gjithmone. Cfare tha Rama per greven mund ta lexoni ketu
(sg/shqiptarja.com)