Foshnja 2-muajshe që ndodhej në gjendje shumë të rëndë në spitalin rajonal të Korçës është nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Sipas burimeve spitalore, gjendja e saj vijon të mbetet kritike.

Fëmija u dërgua mesditën e së premtes në spital me probleme të rënda shëndetësore si pasojë e kequshqyerjes. 

Nga ekzaminimet rezultoi se parametrat jetësorë ishin në kufijtë minimalë, ndërsa mjekët thanë se në momentin kur foshnja ka mbërritur në pediatri ka qenë në gjendje shumë të rënduar, me probleme të theksuara respiratore.

Një tjetër detaj shqetësues lidhet me peshën e tij. Foshnja peshonte vetëm 1 kilogram, njësoj si në momentin kur ka lindur dy muaj më parë, çka sipas mjekëve tregon se nuk ka pasur zhvillim apo ushqyerje të shëndetshme gjatë kësaj periudhe.

Foshnja ka lindur parakohe rreth dy muaj më parë, kur nëna ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë. Nëna dhe bebi janë trajtuar fillimisht në spitalin e Korçës dhe më pas në Tiranë, nga ku raportohet se kishin dalë në gjendje të mirë shëndetësore.

Megjithatë, pas kthimit në shtëpi gjendja e bebes dyshohet se është përkeqësuar. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se nëna nuk është kujdesur për ushqyerjen e foshnjës me gji, gjë që mund të ketë ndikuar në rëndimin e situatës.

Po ashtu, burimet bëjnë me dije se dyshohet që nëna të ketë probleme të shëndetit mendor, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë nëse ajo ka shfaqur probleme pas lindjes së fëmijës.

Policia po kryen verifikimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit.

Kequshqyerja mbetet dyshimi kryesor, megjithatë sipas burimeve nuk përjashtohen edhe faktorë të tjerë që lidhen me lindjen e parakohshme.

Lajmi në përditësim

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë