TIRANE - Dy porte të rëndësishme turistike pritet të ndërtohen në Shqipëri, njëri në qytetin e Sarandës, aktualisht në një port ekzistues në administrim shtetëror, dhe një port i ri pranë Kepit të Rodonit, të dy me koncension përmes partneritetit Publik-Privat, për një periudhë 35-vjeçare.
Porti turistik dhe i shërbimeve “Marina Limion”, do të ndërtohet në lagjen numër 4 në Sarandë, që aktualisht është në administrim të shtetit për anijet e peshkimit, jahte dhe riparimin e mjeteve të ujit.
Kjo është një foto aktuale e Portit, ku tashmë kanë fituar tenderin për ndërtimin e "Marina Limion" bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Kastrati” sh.a të biznesmenit Shefqet Kastrati dhe “Edil – AL – IT” sh.p.k.të biznesmenit Artan Dulaku, me vlerë investimi prej 1,374,984,000 Lekë, pa TVSH. Shpallja e fituesit është bërë në buletinin e Agjencisë së Prokurorimit Publik, ditën e djeshme.
Në fund të prillit 2018, qeveria i kaloi me qira portin e Limionit kompanisë "Concord Investment", të biznesmenit Dulaku kundrejt vlerës simbolike prej 1 euro për 20 vjet, me një investim në dy faza me një total prej 3.8 milionë euro. Por në atë kohë, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj më korrik 2018 e pezulloi koncensionin. Shkak u bë ankesa e agjencive turistike se koncensionari ‘Concord Investment’ vendosi një taksë 6 cent për çdo litër karburant që do të ngarkohej në jahte.
Vendimi per pezullimin e koncesionarit
Sot, me një tjetër kompani, dhe në bashkëpunim me Shefqet Kastratin, biznesmeni Artan Dulaku e rimerr me koncension portin e Limionit për 35 vite.
"Marina Rodon" është projektuar të ndërtohet në vijën bregdetare jugore të Gjirit të Drinit, rreth 7 km larg Kepit te Rodonit.
Fitues të tenderit në një garë pa konkurrentë, u shpall bashkimi i operatorëve “Praslin Investment” sh.p.k dhe “R&T” sh.p.k, me aksionerë Roland Ziun dhe Renis Tershana. Kohëzgjatja e kontratës së koncesionit/PPP është 35 vjet, ndërsa dy operatorët e shpallur fitues, në një garë që nuk pati konkurrentë, janë angazhuar sipas dokumenteve që të investojnë 883 milionë lekë pa TVSH për këtë port.
Këto janë foto të vendndodhjes së portit në vijë ajrore, ndërsa kompanitë do të paraqesin planin e tyre konkret brenda 60 ditëve nga shpallja e tenderit.
"Porti i jahteve "Marina Rodon" është parashikuar të ndërtohet në bregun lindor të Adriatikut të Jugut, në Gjirin e Rodonit i cili bën pjesë ne Gjirin e Drinit si njësia fiziografike me e madhe e bregdetit shqiptar.
Përgjatë vijës bregdetare të kësaj njësie, rreth 83 km e gjatë, që kufizohet në veri me Kepin Mendre (Ulqin) dhe ne jug me Kepin e Rodonit, ndodhen edhe grykëderdhjet e lumenjve Drin i Lezhës, Mat e Ishem si dhe lagunat e Vilunit, Kune-Vainit e Patogut. Pozicioni i propozuar ka thellësi të favorshme për strehimin e mjeteve lundruese me zhytje deri 5,5 metra. Porti do të ndërtohet krejtësisht i mbrojtur nga erërat dhe deti, duke krijuar një mbrojtje me anë të ndërtimit të dallgëpritëseve përkatëse dhe duke zbatuar standarde e norma me të cilat ndërtohen dhe shfrytëzohen aktualisht portet në Evropë dhe në vende të tjera të zhvilluara. Vendi i përzgjedhur kërkon ndërtimin e infrastrukturës përkatëse për zhvillimin e aktivitetit, ku përfshihet lidhja me rrjetin ekzistues rrugor me një gjatësi rreth 1,5 km, rrjeti furnizimit me energji elektrike, ujë, kanalizime", shpjegon Ministria e Infrastrukturëse.
O Telit mire Rama ja dha me demek trafikantit me qera token per 35 vjet qe te investoje, por mund te ma shpjegosh si ka mindesi qe gjysmen e Kepit e ka ne pronesi Fatbardh Islamaj ish Drejtor i UKT se bashkise se Bashes dhe vella me ish Kryetarin e Gjykates se Tiranes?????? Te dy rrigtare!!!!!! A mundet te ma shpjegoni..... o popull hajduti therret hajdutin
Përgjigju