Humbja me Partizanin në fundjavë (1-0) duket se është hedhur pas dhe në Korçë i janë rikthyer përgatitjeve për raundin e parafundit të Superligës. Në kërkim të pikëve vendimtare për një vend në "Final 4", korçarët janë rikthyer paraditen e sotme në fushë ndryshe nga herët e tjera.
Lojtarët dhe stafi kanë marrë vezët e Pashkëve orthodhokse që u kremtuan të dielën, duke krijuar një ambient pozitiv mes urimeve. Sipas klubit bardhekuq, mjeku i ekipit, Jorgo Pantazi solli vezët e kuqe në ditën që përkoi me festën emrit.
Të ndodhur në vendin e pestë (me pikë të barabarta me Dinamon e vendit të katërt) me 47 pikë, korçarët kërkojnë që të mërkurën në 16:00 të marrin tri pikë kundër Laçit dhe të jenë më pranë objektivit "Final 4", zonës që të dërgon në ndeshjet shtesë për të garuar për titullin kampion në Superligë.