Pas takimit zyrtar në nivel delegacionesh në Ministrinë e Brendshme, u mbajt një konferencë për shtyp e ministrit Tahiri dhe ministrave francez dhe gjerman.
"I falenderova për bashkëpunimin e deritanishëm, siç i informova edhe për rezutatet e deritanishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Siç i konfirmova edhe se statusi i vendit kandidat në BE nuk është për eufori, por një shtysë për të nxitur luftën kundër krimit dhe korrupisonit", u shpreh ministri Tahiri.
"Shkëmbyem përvoja nga agjencitë e ligjzbatimit për të patur rezultate në luftën kundër korrupsionit. Informova kolegët për masat konkrete që janë marrë nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit në luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore", tha Tahiri.
Ndërkohë, vijoi ministri Tahiri, "Shqipëria në listen e fundit të DASH ka dalë nga lista e vendeve të rrezikshme për trafikun njerëzor, por dhe kjo është një shtysë më shumë për të pasur rezultate në luftën efektive kundër trafikimit njerëzor".
Ministri i Brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve, në fjalën e tij theksoi se, "kriminaliteti është një fenomen që nuk njeh kufi dhe për ta ndalur duhet që të gjithë së bashku të bashkëpunojmë. Duhet një bashkëpunim i ngushtë mes partnerëve ndërkombëtarë".
"I dimë shumë mirë përpjekjet e shumta që ka bërë qeveria shqiptare në luftën kundër trafikut të drogës, prandaj duam të bashkojmë forcat tona në luftën kundër trafikut të drogës", tha Cazeneuve.
"Jemi të vendosur të luftojmë edhe kundër trafikut të qenieve njerëzore. Tashmë Shqipëria është vendosur në listën e vendeve të sigurtë. Të japim ndihmën tonë që Shqipëria të vijojë rrugën e saj drejt integrimit evropian", theksoi Cazeneuve.
Ndërsa Ministri i Brendshëm i Republikës Federale të Gjermanisë, Thomas de Mazière, u shpreh se, "vijmë për të përcjellë gatishmërinë tonë për ta ndihmuar Shqipërinë, sidomos në këtë periudhë, pas marrjes së statusit të vendit kandidat".
"Në këtë rrugë do të bashkojmë forcat tona në luftën kundër krimit, korrupsionit, drogës, trafikut të qenieve njerëzore", tha de Mazière, duke vënë theksin tek rrija e numrit të azilkërkuesve.
Lidhur me mundësinë e një heqjeje të regjimit të vizave, de Mazière u shpreh se, "nisur nga numri i kërkesave aktuale ky rrezik nuk ekziston".
Ndërsa ministri francez Cazeneuve, lidhur me këtë çështje u shpreh se "nuk kemi ardhur në Shqiëpri për të vënë në dyshim atë që është arritur, por kemi ardhur që të gjejmë mjetet për të rritur bashkëpunimin tonë".
Ndërsa, Ministri i Brendshëm Tahiri theksoi se, "Sot kuptoni që ne jemi bashkë dhe bashkojmë përpjekjet për ta çuar në një stad tjetër luftën tonë të përbashkët për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe çdo krimi tjetër që shkon përtej kufijve".
Pas kësaj konference ministrat e Brendshëm do të kenë një takim me Kryeministrin Edi Rama.
Në fund të vizitës së tyre në Shqipëri, dy ministrat e Brendshëm do të zhvillojnë një vizitë në Komisariatin e Policisë së Rinasit, të shoqëruar nga zv/Ministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea. /ATSH/