Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë këtë të enjte disa pamje nga takimi i djeshëm me drejtuesit politikë dhe ministrat.
Në fokus të takimit në Vilën e Kuqe në Sauk ishte ‘Prania Besnike’, ku drejtuesit politikë dhe ministrat raportuan mbi takimet me qytetarët dhe çështjet e ngritura prej tyre.
“Njerëzit nuk vijnë aty as për t’u shfaqur në televizor ose në Instagram, madje as duke u identifikuar fare që ishin aty dhe kjo do u japë mundësinë të gjithëve që të ndihen të qetë kur vijnë të qajnë një hall”, u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë takimit.
“Prania Besnike” e prezantuar më herët nga kreu i qeverisë parashikon një modul me 100 pikë për performancën e tyre, nga puna parlamentare dhe prania në territor, te dëgjimi dhe ndjekja e problemeve të qytetarëve. Për të dëgjuar problematikat e tyre, çdo të premte në orën 17:00 deputetë dhe përfaqësuesit e qeverisë do të duhet të jenë në territor.
Ndërkohë në shërbim të qytetarëve është dhe platforma 'PasqyrëAlbania', e prezantuar nga kryeministri Edi Rama në Pogradec. Platforma do të funksionojë përmes dy sektorëve, “Flamingo Albania” dhe “Radar”.
“Flamingo Albania” do të mbledhë të gjitha problematikat e qytetarëve që nuk kanë marrë zgjidhje nga administrata. Ankesat dhe kërkesat do të kalojnë në këtë sistem për t’u adresuar tek institucionet përgjegjëse.
Ndërsa “Radar” do të shërbejë për gjurmimin e tyre. Qytetari do të mund të kontrollojë në çdo moment se ku ndodhet ankesa, cili institucion po e trajton dhe në çfarë faze është zgjidhja e saj.
Synimi është që problematikat e qytetarëve të marrin zgjidhje brenda dy javësh, duke krijuar njëkohësisht një komunikim më të drejtpërdrejtë mes ministrive, bashkive dhe drejtorive të përgjithshme.









Komente
Komento