TIRANË, 18 Qershor/ATSH/- Qeveria franceze ofron mbështetje ndaj institucioneve shqiptare që luftojnë korrupsionin dhe parandalojnë pastrimin e parave.
Në një takim që ambasadori i Francës, Bernard Fitoussi, zhvilloi me Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Genti Gazheli u diskutua për mbështetjen e mëtejshme e të pakursyer të qeverisë së Francës ndaj institucioneve shqiptare, në dobi të luftës kundër pastrimit te parave dhe antikorrupsionit.
Ambasadori francez, Fitoussi theksoi se integrimi i Shqipërisë përfshin disa prioritetete të rëndësishme, një ndër të cilat është efikasiteti i luftës kundër korrupsionit dhe lufta e gjithanshme për parandalimin e pastrimit të parave.
Nga ana e tij, kreu i DPPPP-së, Gazheli shprehu vlerësimin për mbështetjen e gjithanshme e të vazhdueshme të institucioneve të BE-së dhe veçanërisht Francës, në ndihmë të rritjes së kapaciteteve të institucioneve shqiptare kundër këtij fenomeni.
Z. Gazheli bëri më pas një pasqyrë të punës, arritjeve, bashkëpunimit ndërinstitucional, por edhe të problematikave që hasen e ndikojnë në efikasitetin e zbatimit të legjislacionit, sidomos atij penal.
Ambasadori Fitoussi theksoi se mbështetja ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave do vijojë pa asnjë rezervë./a.gjonaj//m.m/











