PARIS, 7 maj /ATSH-AFP/ - Kreu i ministrave të Financave të zonës euro, Jeroen Dijsselbloem theksoi në një intervistë për të përditshmen "Le Monde" publikuar sot se do të ishte e pamundur politikisht fshirja e vlerës nominale të borxhit grek, edhe pse është i mundur rregullimi i kredive.
"Diskutimi për uljen e borxhit nuk është tabu. E vetmja gjë e pamundur politikisht është një fshirje e vlerës nominale prej rreth 320 miliardë euro", theksoi Jeroen Dijsselbloem, i cili si president i Eurogrupit luan një rol kyç në diskutimet e ndërmarra me Athinën.
Hollandezi kujton se një ulje e tillë e borxhit është diskutuar që prej nëntorit 2012 në nivel evropian, me kusht që qeveria greke të përmbushte kushtet e kërkuara nga partnerët e saj.
Një fshirje e borxhit do të ishte një iniciativë më radikale duke detyruar kreditorët e Greqisë, mes të cilëve shtetet evropiane, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Qendrore Evropiane, të regjistrojnë humbje në llogaritë e tyre.
E majta radikale Syriza në pushtet në Athinë bëri fushatë për një fshirje të pastër dhe të thjeshtë të një pjese të borxhit grek, që përbën më shumë se 175 për qind të PBB-së sç saj, domethënë të vlerës së krijuar nga ekonomia e saj në një vit./
/ec/