PRISHTINË, 3 Mars/ATSH/.- Belgjika është vendi i parë që ka pranuar Kosovën si vend të pavarur dhe do të qëndrojë në mbështetje të Kosovës gjatë gjithë kohës pavarësisht çfarë probleme do të ketë, tha sot në Prishtinë sekretari i Shtetit për Azil dhe Migrim i Belgjikës, Theo Francken pas takimit me ministrin e Punëve të Bendshme, Skënder Hyseni.
Duke folur për azilin e kosovarëve në Belgjikë, Francken theksoi se "në Belgjikë kanë ardhur shumë familje kosovare. Mund të them se Belgjika nuk është vendi i mjaltit, nuk mund t'iu japim azil njerëzve nga Kosova, pasi ata janë refugjatë ekonomikë dhe nuk është ky kriteri për t'i pranuar",.
Sipas tij, qeveria belge do të vazhdojë të ketë raporte të mira me Kosovën e njerëzit e saj, ndërkohë që edhe zyrat e migrimit kanë një bashkëpunim shumë të mirë.
Ai foli edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, duke thënë se Belgjika do ta mbështesë Kosovën në këtë proces.
Ministri Skënder Hyseni tha se "ky ishte një takim përmbajtësor me miqtë nga Belgjika.Diskutuam për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, por mbi të gjitha ishte edhe një diskutim shumë i hapur dhe miqësor rreth problemit të migrimit ilegal, përkatësisht siç e quajti Hyseni rreth çështjes së azilkërkuesve kosovarë në Belgjikë. Është interesi i Kosovës po ashtu që numri i azilkërkuesve nga Kosova të ulet në mënyrë të shpejtë duke qenë se çështja e përqindja e azilkërkuesve është çështje e rëndësishme dhe kriter i rëndësishëm edhe në procesin e liberalizimit të vizave", tha Hyseni.
Ai nënvizoi se Kosova ka qëndrim shumë të qartë, që të gjitha kërkesat për azil të cilat refuzohen, kthimi i rregullt i atyre të refuzuarve të bëhet shpejtë, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos kalojnë nëpër peripeci të panevojshme të pritjes dhe ankthit që e përjetojnë derisa presin rezultatin përfundimtar.
Ministri Hyseni përsëriti apelin në emër të qeverisë së Kosovës që qytetarët të mos marrin rrugën e migrimit ilegal, sepse do të kthehen në Kosovë./KosovaPress/k.s/