Frangaj-Leka, Lesi: Si arrestoi
Berisha dy gazetarët në '94

Frangaj-Leka, Lesi: Si arrestoi <br />Berisha dy gazetarët në '94
TIRANE - Zef Brozi kujtoi në intervistën në Shqiptarja.com se një ndër arsyet që Sali Berisha e shkarkoi dhe persekutoi ishte pikërisht arrestimi i dy gazetarëve Aleksandër Frangaj, kryetedaktor i Koha Jonë në 1993 dhe Martin Leka, zv.kryeredaktor i kësaj gazete. Dy gazetarët bënë një shkrim për lëvizjen e forcave të ushtrisë në veri të vendit me një urdhër të Safet Zhulalit. Kjo u konsiderua si sekret shtetëror dhe për këtë arsye, u mor ndaj tyre një urdhër arresti. Zef Brozi në intervistën e tij e kujtoi më së miri këtë gjyq.
Unë, nëpërmjet mikut tim gazetarit Blendi Fevziu, kërkova një intervistë me botuesin e “Klan” Aleksandër Frangaj. Por botuesi dhe pronari i televizionit e refuzoi të kujtonte atë kohë, nën argumentin se nuk “jeton me të shkuarën”. Po ashtu, tentova të marr një intervistë me Martin Lekën, gazetarin që ka vite të tëra investimesh për pavarësinë e gazetarit dhe shtypin e lirë. Por Martini, në telefon, thoshte njëherë nuk kam kohë, njëherë se kam folur shumë për këtë gjyq, dhe unë shpejt kujtova se ai sot punon në TVSH, dhe paguhet me paratë e qeverisë.
Pastaj vendosa t’i drejtohem botuesit të “Koha Jonë”, Nikollë Lesi. Gjithmonë ka pasur shpirtin e rrebelit. Edhe pse sot është eksponent i qeverisë “Berisha”, zv.ministër i Kulturës, kisha përshtypjen se për këtë çështje, Nikollës, nuk ia mbyll “gojën” kush. Dhe Nikollë Lesi, në një intervistë për Shqiptarja.com, kujton moment pas momenti se çfarë ndodhi atë natë pas 2 marsit 1997 kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme, dhe kur u arrestuan dy gazetarët Frangaj e Leskaj në 1994.
Sot është 22 marsi, kanë kaluar 20 vjet nga zgjedhjet e para demokratike që kanë ndodhur në vend, por historitë për të arritur deri në ditët kur të konsiderohet një shtyp i lirë e i pavarur, nuk kanë mbërritur ende.

Zoti Lesi, në vitin 1994 e mbani mend pse u arrestuan dhe u burgosën dy gazetarët e "Koha Jonë", Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka?

Kanë kaluar shumë vite nga ajo ngjarje e rëndë për lirinë e medias dhe mbetet edhe pas kaq viteve ngjarja më dramatike për median, pothuaj paralel edhe me djegien e redaksisë së gazetës "Koha Jonë" natën e 2 marsit 1997 në kohën kur sapo ishte vendosur Ligji për Gjendjen e Jashtëzakonshme. Mbaj mend se nuk kam qenë në redaksi, isha duke ardhur nga Lezha për në Tiranë. Kishim disa radio që lidheshin me njëri tjetrin dhe sapo futem në zonën që kapte vala, diku nga udha e vjetër e Mamurrasit dëgjova zërin e një kolegu që erdhi policia dhe morën me pranga Aleksandër Frangajn dhe Martin Lekën. Rruga ishte gjithë gropa, porse e kemi bërë në kohë rekord si të ishim në Formula 1. Kur arrita tek hyrja e redaksisë shoh makinë policie dhe disa civile që ishin të SHIK-ut. Hyra në zyrat e vogla të gazetës. Ishin të shtangur. Në moment ka mbërritur avokat Spartak Ngjela me Frrok Çupin. U kishin vënë prangat dy gazetarëve për një artikull të botuar në gazetë se gjoja kishin nxjerrë sekretin ushtarak! Artikulli nuk kishte kurrfarë sekreti për shtetin e as për median. Ishte një urdhër i ministrit të mbrojtjes Safet Zhulali. Aleksandri ishte kryeredaktor dhe Martini zv/kryeredaktor, dy pena të fuqishme dhe emblematike të asaj kohe. Aleksandri kishte qenë edhe një vit më parë në arrest shtëpie për një shkrim fare të vogël, që nuk kishte lidhje aspak me atë çka akuzohej. Natyrisht që arrestimi i dy gazetarëve kryesorë ishte një ngjarje shokuese edhe për opinionin publik, porse reaguan ashpër ambasada amerikane në Tirane dhe trupi diplomatik i vendeve të Europës. Në gazetë tensioni ishte maksimal. Në të vërtetë nuk kishte frikë apo stepje për të shkruar përditë më shumë të vërtetën e hidhur kundër qeverisjes së asaj kohe. Natyrisht komenti ishte siç e mendonim se duhej më mirë e më drejt. Porse reagimi i shtetit ishte i ashpër dhe me një synim që ta bënim të tërhiqeshim me të gjitha mënyrat. Edhe me pranga. Përkundrazi sikur na karikuan edhe më shumë për të shkruar edhe më me kurajo. E çuditshme porse u bë një grup gazetarësh që nuk donin t'ia dinin për asgjë, as për rrahjet nga SHIK-u i Gazidedes, as për presionet kudo nga segmentet e shtetit ku dëgjohej fjala "gazetar i "Koha Jonë". Dy kolegët tanë ndodheshin në qelitë e ftohta të janarit '94, porse fjala e forcës tonë, e opinionit publik e gazetaresk u shkonte në qelitë e ftohta. Ne, në redaksi, sikur kishim marrë flakë e forcë dhe donim të hynim në qelitë e dy kolegëve tanë, Sandër Frangaj e Martin Leka, aqsa këmbenim letra si traktet partizane nëpërmjet avokatit dhe forma të tjera me dy të burgosurit për lirinë e medias. Ata, nga burgu na frymëzonin edhe më tepër me forcën me të cilën hanin hekurat e prangave. Ishte një situatë inkadenshente. Tani ky brez gazetarësh të sotëm as nuk mund ta përfytyrojë e besojë në atë çka kemi kaluar. Vetem bashkëkohësit dhe kolegët e dinë mirë.

A vazhdonte rrethimi i gazetës nga forcat e policisë dhe SHIK-ut ato ditë?

Edhe para arrestimit ishim nën survejim të plotë, kudo e sido. Porse pas arrestimit ishim si dy ushtri përballë njëra tjetrës; ne me stilolapsin dhe makinën e shkrimit për të çuar fjalën e lirë tek populli dhe shteti, me polici e SHIK për ta penguar këtë fjalë. Më saktë për të na dekurajuar, frikësuar dhe nënshtruar. Nuk ia arritën fare. Tirazhi i gazetës "Koha Jonë" shtohej, pasi e blinin në rradhë njerëzit e thjeshtë, dhe nga administrata e shtetit e merrnin, porse e fusnin brenda gazetës RD të partisë!

A patët ndonjë kontakt me shtetarët e lartë dhe si ishte gjendja në gazetë?

As që flitej të na priste njeri në zyrat e shtetit. U lodhëm për të hyrë tek Prokuroria e Përgjithshme, porse as që na lanë tek hekurat. Ambasada amerikane ishte promotore kryesore për lirimin, më vonë, të tyre. Organizata Ndërkombëtare e Gazetarëve, Reporterët pa kufij, Komiteti i Helsinkit, Këshilli i Europës, etj, reaguan në përkrahje të lirimit të gazetarëve dhe mos prekjes së lirisë së medias. Reaguan pro nesh shumica e gazetarëve shqiptarë, pasi ishte një gjë e drejtë dhe ishim akoma në fillimet e viteve të para të demokracisë. Ndërkohë ishte janar dhe kishte hyrë shkurti i atij viti të ftohtë '94 . Kolegët tanë mbaheshin në qelitë e akullta të Tiranës. Ishim shpirtërisht me ta, porse fizikisht ata vuanin, iu ishin privuar liritë e tyre, pasi ata punonin, si dhe ne jashtë qelive për fjalën e lirë. Ne, ashtu siç dinim asokohe, punonim me kurajo e ishim idealistë, pasi donim që për gjithçka të informohej populli, ndërkohë që media shtetrore ishte nën kontrollin e plotë të partisë në pushtet. Edhe më vonë, median shtetorore e kanë mbajt nën kontroll, edhe socialistët, pasi është i njëjti mentalitet, kur janë në pushtet, e duan gjithçka për vete e jo për njerëzit.

Po çfarë ndodhi pas arrestimit? Si reaguat ju?

Po, të kthehemi tek situata pas arrestimit. Në shtypshkronjën "Demokracia" ku shtypej gazeta jonë na ndiqnin shërbimi sekret dhe na linin përherë për në fund që të mos botoheshin në kohë e të duhej dilnin në treg më përpara gazetat pro pushtetit. Një rraskapitje e tmerrshme fizike e psikologjike. Gazeta "Koha Jonë" shikohej, asokohe, si një shembull që vrau frikën e njerëzve pas marsit 1992 për të folur. Nëse gazeta RD, vrau frikën gjersa rrëzoi sistemin komunist, "Koha Jonë" largoi frikën për të folur në një demokraci të sapofilluar ku mbizotëronte psikologjia demokrate se "fitimtari demokrat nuk kritikohet"!

E ndërkohë, a vajtet t'i takonit në burg dy gazetarët?

As që të linte njeri, sidomos mua personalisht që quhesha, për pushtetin, si drejtuesi i këtij grupi gazetarësh të pavarur. Kemi ndjekur gjyqin e shkallës së parë ku u lirua zoti Frangaj nga presioni ndërkombëtar dhe më pas u gjet sebepi në ditën e lirisë së medias më 3 maj të lirohet me dekret presidencial zoti Martin Lekaj.

Ku ka qenë redaksia e gazetës Koha Jonë në atë kohë?

Tek rruga e ish-restorant Durrësit, pak më sipër se stacioni i trenit. Atje ishte foleja jonë e medias së parë të pavarur shqiptare. Kishim marrë me qera një shtëpi të vjetër me katër dhoma dhe një tarracë të vogël, në të cilën vendosëm dhe një kioskë-zyrë ku rrinin Adriatik Dosti me kolegët e sportit. Tek tuneli, para se të hynim në zyra kalonim nën siten e shërbimit sekret ku rrinin përherë tre policë të tyre. Vëzhgonin dhe rregjistronin gjithçka. I madhi dhe i ndrituri Teodor Keko, vinte e na jepte kurajo përmbi kurajon që kishim edhe vetë. Ai pasi bënte artikullin për botim kalonte para policisë sekrete dhe i kundronte me qesëndi. Më thoshte kur kalonim para tyre, tek dera e redaksisë së gazetës: "O Niko jepu ndonjë gotë raki këtyre të SHIK-ut se ngordhën ftohti duke na ruajt se mos na gjejnë gjë!". Në atëkohë ishtin Ben Blushi, Armand Shkullaku dhe Andi Bushati tre emra gazetarësh të njohur, që m'u gjendën krahë në atë situatë të vështirë për dy kolegët, gazetën dhe mua. Me Shkullakun shkonim ambasadë në ambasadë për çështjen e kolegëve tanë. Shkruanim, arrestoheshim, rriheshim, por prapë shkruanim!

Po të tjerë politikanë a vinin ato ditë në redaksi?

Plot. Vinte e shkruante Kiço Blushi, me vrap hynte Spartak Ngjela, furishëm mbërrinte Azem Hajdari që ishte një ndër miqtë më të mirë të gazetës "Koha Jonë". I jashtëzakonshemi Azem Hajdari rrinte me ne deri vonë. Mbaj mend njehërë, ato ditë, që kur erdhi Azemi me një foristradë dhe sapo zbriti tek tuneli para se të hyjë në gazeë bërtiti me të madhe dy njerëzve trupmëdhenj që rrinin në qoshe: "Ikni ore se nuk keni punë tjetër, por vini e spiunoni këta te Koha Jonë!". Ata ulën kokën e ikën. Siç duket Azemi i njihte mirë se kush ishin. Azem Hajdari, ndonëse ishte pjesë e pushtetit të asaj kohe si deputet, por shpirtërisht, me fjalë e me vepra ishte me kurajon tonë. Ai na dha forcë edhe më tepër asokohe. Ishte tribun dhe kur hynte një tribun në redakasinë tonë me dy gazetarë të arrestuar e në burg sikur fluturonim nga gëzimi. Na jepte kurajo civile. Kanë ardhur nga ambasadat e huaja, plot e përditë. Qytetarë, gazetarë, kolegë të mediave të tjera. Pa dashje pushteti e ktheu "Koha Jonë" si një vend peligrinazhi ku tuneli bllokohej nga njerëzit që na donin. Por dhe SHIK-as plot kishte! Spartak Braho një ndër miqtë e përditshëm të gazetës, ato ditë na ndihmonte si avokat e si njeri që njihte ligjet për të gjetur mbrojtjen e tyre. Neritan Ceka dhe Prec Zogaj tre herë në ditë vinin në zyrat tona. Arben Imami e Gramoz Pashko ishin si të shtëpisë në redaksi.
Duhej bërë gazeta e rradhës, si përditë, duhej të mbanim kontaktet me dy kolegët tanë në qeli, duhej të merrnim makina me qera për të shpërndarë gazetën në rrethe pasi policia na i bllokoi për gjoja "mungesë dokumentash" gjithë automjetet e shpërndarjes së gazetës, duhej të duronim grushtat që u jepnin edhe gazetarëve që ishin jashtë qelisë në punën e tyre. Ishte kohë e madhe, por dhe kohë çmendurie. Ishte çmendur shteti, por dhe ne si staf sikur çmendeshin pas çmendurisë së pushtetit!

Zoti Zef Brozi tregon se Berisha e kishte thirrur në zyrë dhe i kishte deklaruar se pse nuk e kishte pyetur Berishën për këtë çështje. Ndërkohë që Zef Brozi i pat deklaruar se i jepte dorëheqjen po t'ia kërkonte këtë gjë. Po ju? Keni kontaktuar me Zef Brozin në Gjykatën e Kasacionit?

Nuk e di se çfarë i ka thënë zoti Berisha, zotit Brozi. Por di të saktë se kur kam kërkuar takim me kryetarin e Gjykatës së Lartë Zef Brozi më ka pritur menjëherë në zyrë. Më ka thënë se sa të jem unë në këtë zyrë nuk lejoj arrestim gazetarësh, porse janë disa shkallë para meje që nuk i komandoj dot. Tani unë fjalë për fjalë nuk mbaj mend gjithçka, pasi janë 18 vite e kusur në mes.

Pas kaq vitesh për shkak të rrethanave të reja, Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka nuk duan të flasin për këtë ngjarje. Sigurisht mbi botuesin dhe gazetarin rëndon frika se ç'mund të ndodhë. Edhe ju zoti Lesi jeni zv.ministër, po ju si botues i kohës pse nuk keni frikë të flisni për këtë çështje?

Nuk e di. Besoj i keni pyetur vetë. Për mua mbeten miqë të mirë të një kohe të papërsëritshme.

A shikoni dhunë ndaj gazetarëve sot? A ka presion ndaj medias?

Pas vitit 1997, me ardhjen e socialistëve në pushtet, u duk sikur u largua presioni ndaj medias disa kohë, porse e vërteta mbetet se pushteti tani nuk bënte presion direkt mbi gazetarin apo botuesin, i cili në vitet e para ishte dhe vetë gazetarë. Pushteti futi në lojë një grup biznesmenësh që kishin interesa me pushtetin për tendera e privatizime dhe i bëri të botonin sa më shumë gazeta. Kështu edhe zhvlerësohej kritika e disa gazetave serioze e të pavarura kundër pushtetit, porse në morinë e shumtë të titujve të gazetave pushteti thoshte indirekt se nga 20 tituj gazetash është normale që dy ose tre gazeta na kritikojnë! Kjo ishte një djallëzi që u ideuan socialistat dhe që u shkoi për shtat dhe demokratëve kur erdhën në pushtet në vitin 2005. Pushteti bën presion mbi botuesin dhe nuk bën direkt, si dikur, mbi gazetarin. Eshtë vetë botuesi që bën presion apo censurë se çfarë duhet të botohet. Natyrisht se sot ka edhe botues të respektuar, të cilët e kanë ruajtur gazetën nga ndikimi indirekt i pushtetit. Megjithatë janë më të sofistikuara presionet e sotme. Atëherë kishte dajak, pranga, qeli, djegie gazete dhe prapë dajak!

(Ne foto: Aleksandër Frangaj, Frrok Çupi, Martin Leka, Nikollë Lesi dhe Preç Zogaj)

(ab/im/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë