Zoti Frashëri, duke e ditur sot konkurrencën e studiove arkitekturore mbi planin e rregullimit të Tiranës si një kryeqytet metropolitan, më thoni ju lutem si konceptohet Tirana - kryeqytet me apo pa trashëgimi kulturore?
Gjergj Frashëri: Me siguri pyetja juaj lidhet aktualisht ose merr shkas nga fakti, se Bashkia e Tiranës ka nxitur kohët e fundit një projekt për ndërtimin e një "qyteti" me titull "Zgjatja e Bulevardit Zogu I". Në Gazetën Shqiptare 9 Mars, 2012, f. 15, kam lexuar se shtatë studio të huaja prezantojnë projektet e tyre për zgjatimin e Bulevardit "Zogu I" në Tiranë, nga Stacioni i Trenit deri në Lumin e Tiranës, në një gjatësi 6,7 km përfshirë një sipërfaqe ndërtimi marremendëse për nga shtrirja në të dy anët përreth aksit të kësaj rruge. Mësohet se Projektet paraqesin ndërtime qytetare në një hapësire prej segmentit verior të Unazës së sotme të Tiranës (Stacioni i Trenit) në drejtim të Lumit të Tiranës dhe deri në Paskuqan, duke përfshirë kodrat e Paskuqanit dhe shndrrimin në Park Natyror të Liqenit të Paskuqanit. Më falni, por sa herë që Tiranën e mbarsin politikanët për të pjellë një krijesë të stërmadhe urbanistike, specialistit të trashëgimisë historike e kulturore i duhet t'i kujtojë atyre, se kur dhe pse ka lindur Tirana si qytet, pse është bërë kryeqytet dhe si duhet të jetë sot një kryeqytet me fizionomi qytetare shqiptare dhe europiane.
Atëhere jemi kuriozë të dimë si dhe kur lindi Tirana si qytet?
Gjergj Frashëri: Studimin më të mirë historik për Tiranën e ka bërë historiani i njohur shqiptar Kristo Frashëri. Sipas tij Tirana përmendet si fshat (vendbanim) në shek. XV, por pamjen si qytet e mori në shek. XVII. Kushtet që favorizuan Tiranën për t'u bërë një qytet, ishin: së pari, pozita e saj gjeografike që ajo zinte në vendin ku ndërpriteshin damarë të rëndësishëm rrugorë në fushën e Tiranës. Tirana lindi si qytet në pikën ku takoheshin rrugët tregtare ndërkrahinore, njëra që vinte nga Shkodra për në Elbasan, tjetra nga Kavaja për në Dibër, dhe e treta nga Durrësi për në Shëngjergj. Së dyti, qetësia politike që u arrit në tërësi në vendin tonë në fillim të fund të shek. XI dhe në fillim të shek. XII nën perandorinë Otomane. Rezistenca popullore në shek. XV dhe luftrat kryengritëse kundra Perandorisë gjatë shek. XVI erdhën duke u shuar. Qytetet mesjetare të fortifikuara shqiptare si Shkodra, Berati, Lezha, Gjirokastra, Kruja, etj., në saj të kësaj qetësie politike, filluan qysh nga fundi i shek. XV dhe gjatë shek. XVI të dilnin jashtë mureve të kalasë, të formonin lagjet e reja - në fillim lagjen Varosh (lagjen më pranë kalasë) dhe më tej duke e zgjeruar qytetin jashtë mureve të fortifikimit me lagje të tjera të reja, gjithnjë e më shumë pranë fushës dhe ujit. Kjo qetësi politike dhe ky zhvillim ekonomik favorizoi zhvillimin e qyteteve shqiptare si dhe ato ballkanike në përgjithësi në zgjerimin e tyre me lagje të reja jashtë fortifikimit (kalasë) mesjetare. Paralelisht u themeluan edhe vendbanime të reja në mes të fushave pa patur nevojën e fortifikimit, siç është Tirana, Kavaja, etj.
Tiranën nuk e bëri qytet Sulejman Pashë Pargjini, i cili financoi rreth vitit 1614 kullën me emrin e tij (ansambël ndërtimor tipik otoman me qendër ndërtesën e xhamisë, përreth së cilës qëndronin objekte të tjera si imareti, banjat publike, etj.). Pranë xhamisë u ngrit Pazari me dyqanet dhe punishtet e ndryshme. Ky ishte vetëm ngujimi i parë i një bërthame qytetare, i cili u ngrit pikërisht në kryqëzimin e tre rrugëve të përshkruara më sipër. Kjo pikë kryqëzimi u kthye në zhvillimet ekonomike të fundit të shek. XV dhe gjysmën e parë të shek VII në një treg, ku takoheshin prodhuesit e fushës bujqësore me ata të malësisë blegtorale. Kjo ndikoi që Tirana të rritej shpejt dhe t'i tejkalonte brenda disa dhjetëvjeçarëve, për nga popullsia, qytetet më të moshuara të Shqipërisë së Mesme, siç ishin Durrësi, Kruja, Kavaja, Petrela dhe Preza. Më 1703-in Tirana kishte 5 mijë banorë, më 1870-n rreth 8 mijë, më 1912-n gati 10 mijë, më 1920-n, kur u bë kryeqytet, rreth 12 mijë, më 1938-n mbi 30 mijë, më 1980-n më tepër se 200 mijë, kurse sot ndoshta 800 mijë (?). Tirana u profilua si qytet gjatë fundit të shek. XVII pikërisht prej dy cilësive që fitoi, duke u bërë vendbanim i zejtarëve dhe i tregtarëve. Këto e dalluan atë nga një vendbanim fshatar që merrej me bujqësi e blegtori.
Si mund të përshkruhet Tirana si qytet me dëshmi kulturore deri në kohën e Pavarësisë?
Gjergj Frashëri: Faktorët ekonomikë që përcaktuan lindjen e Tiranës si qytet, përvijëzuan edhe tiparet e saj urbanistike. Tri rrugët e mëdha ndërkrahinore shërbyen si skeleti për planimetrinë e saj dhe si korniza për hartën e lagjeve. Pika ku ato u takuan u bë tregu i qytetit - Pazari i Vjetër, të cilin mjerisht nuk e kemi. Secila lagje mori një fizionomi të veçantë në përshtatje me strukturën ekonomike-shoqërore të popullsisë së saj. Siç u ngrit qendra me Xhaminë e Vjetër, u ngritën në Tiranë edhe shtatë lagje të tjera, secila me nga një xhami në qendër, sipas llojit të zejtarive, si Lagjia e Tabakëve, Terzive, etj. Prej fillimit të shek. XIX dhe deri në fillimet e shek. XX arkitektura e qytetit karakterizohet në tërësi nga stili shqiptaro-osman. Një nga veprat më tipike të kësaj dukurie ështe Xhamia e Haxhi Ethem beut në qendrën e sotme të kryeqytetit (filluar më 1794-n dhe mbaruar më 1821-n). Me xhaminë e H.Ethem beut në saj të elementëve vendas që përvetësoi kemi të bëjmë me variantin shqiptar më karakteristik të xhamisë ballkano-osmane, ose në qoftë se na lejohej ta quajmë - me pëfaqësuesen më tipike shqiptaro-islamike me ndikime të qarta të artit neoklasik perëndimor. Monument tjetër që ruhet sot është Kulla e Orës (Sahatit) në kompleksitet me xhaminë pranë, ndërtimi i së cilës filloi më 1821-22 menjëherë me mbarimin e xhamisë se H. Ethem beut dhe mbaroi rreth vitit 1830. Më 1928, Kulla e Orës u rrit edhe pesë metra në lartësi me pamjen e sotme dhe u pajis me orë. Monumente të tjera të veçuara janë Ura e Tabakëve, Tyrbja e Kapllan Pashës. Në mbrojtje janë edhe mbetjet e një vile romake në perëndim të qytetit, e cila në kohën e hershme të krishtërimit (shek. 4, P. Kr.) është pajisur me një mozaik. Ky objekt nuk ka një lidhje të mirëfilltë me themelimin e qytetit të Tiranës, por dëshmon se fusha e saj pjellore ka qenë populluar nga individë apo grup banorësh qysh në kohërat antike. Monumenti më i madh është Kështjella e Tiranës, ndërtuar në shek. XVII. Një numër i madh banesash qytetare kanë qenë në mbrojtje të shtetit, prej të cilave kanë mbetur ish Banesa e Toptanasve, ajo e Shijakasve dhe ndonjë tjetër.
Zoti Frashëri, duke iu falënderuar që na bëtë të qartë metamorfozën graduale të Tiranës për të fituar karakteristikat e një qyteti, a mund të na thoni, kur dhe si u shpall Tirana kryeqytet?
Gjergj Frashëri: Më 1920-n Kongresi i Lushnjës vendosi të bëhej Durrësi kryeqytet, sepse më 1913-n Fuqitë e Mëdha e kishin shpalluar atë të tillë. Por qeveria e Lushnjës u pengua nga italianët të hynte në Durrës, të cilët e mbanin atë të pushtuar. Për qeverinë e Lushnjës lindi pyetja: Ku do të vemi? Erdhi si variant për të zgjidhur këtë çështje Shkodra që e meritonte nga shumë pikëpamje, por u gjykua se ajo ndodhej shumë në anë të hapësirës së trojeve shqiptare, jo në qendër të tyre. U mendua për Vlorën, ku ishte shpallur pavarësia, por edhe aty ishin italianët. Pastaj u mendua Kruja si qytet i Skënderbeut, por si vend malor u gjykua se nuk ishte e përshtatshme për një qytet të madh. Mbetën dy variante të tjera, Elbasani dhe Tirana. E fitoi Tirana, sepse Elbasani nuk afroi banesat e nevojshme, hotelet, etj., ku duheshin të akomodoheshin përfaqësitë e ambasadave të huaja dhe qeveritare. Gadishmëria e Elbasanit u zbeh edhe nga fakti se Shefqet Vërlaci (kryetari i Bashkisë) ishte kundra Lushnjës, ndërsa Abdi Toptani (Kryetari i Bashkisë së Tiranës), i cili doli një çerek mbreti nga Kongresi i Lushnjës ofroi gjithçka. Tirana ofroi banesa, hotele, banesa për parlament dhe për ambasadën amerikane. Kështu, më 11 Shkurt 1920, Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës me në krye Sulejman Bej Delvinën, e shpalli Tiranën kryeqytet të përkohshëm. Më 31 Janar 1925 Tirana u shpall përfundimisht kryeqytet.
Pyetje: Çfarë ndërtimesh u bënë në Tiranë për t'i dhënë fizionominë respektive pas shpalljes së saj kryeqytet?
Gjergj Frashëri: Me shpalljen kryeqytet filluan natyrisht ndërtimet. Më 1922-shin u zhdukën të gjitha vorrezat nga qyteti që qëndronin pranë çdo xhamije, gjë që u bë për rregullimin e urbanistikës së qytetit (por edhe për higjenën e ujit të puseve). Po atë vit u hap rruga e re e Durrësit në trajektoren e sotme. Më 1923-shin u bë Plani Rregullues i qytetit prej Inxh. Eshref Frashërit, i cili u pasua nga rilevimet e sakta topografike të Inst. Gjeografik të Firences. Po atë vit u hap rruga "28 Nëntori". Më 1924-n u ndërtua Shtëpia e Oficerëve, e cila shumë shpejt u kthye në ndërtesën e Parlamentit, ndërtesë historike (sot Teatri i Kukllave). Pas shpalljes së saj kryeqytet dhe deri në mbarim të Luftës Dytë Botërore, Tirana mori tipare të ndjeshme të urbanistikës, arkitekturës dhe artit perëndimor, kryesisht të neoklasiçizmit italian, të barokut fashist. Prej vitit 1927 deri në vitin 1941 u kryen nga arkitektë austriakë dhe italianë në bashkëpunim edhe me ata shqiptarë tri segmentet e bulevardit të madh të Tiranës, njëherazi segmenti i Ministrive bashkë me qendrën (Bashkinë), pastaj segmenti në drejtim te Stacionit të trenit (rruga Zog I) dhe së fundi sheshi i sotëm "Nënë Tereza", përfshirë edhe Stadiumin.
A morën pjesë në atë kohë arkitektët shqiptarë në këto projekte?
Gjergj Frashëri: Jo vetëm në projektet, por edhe në planifikimin urbanistik nuk munguan edhe arkitektët dhe inxhinierët dhe teknikët shqiptarë, një nga më të shquarit Inxh-Ark. Qemal Butka, mbaruar Shkollën e Lartë Teknike të Vjenës duke marrë diplomë me titullin Inxh.në Fakultetin e Arkitekturës më 1931-shin. Ai punoi më tej si Inxh-Arkitekt në Ministrinë e Punëve Botore dhe më vonë 1935-36 si Kryetar i Bashkisë së Kryeqytetit dhe më tej përsëri në Ministrinë e Punëve Botore deri më 1938. Më tej ai punoi për pak vite në Liban dhe më tej si kryarkitekt i New York-ut. Konceptet e tij për profilizimin dhe zhvillimin e urbanistikës së Tiranës i ka lënë të shkruara.
Cili ishte modeli arkitekturor që u përvijua pas Çlirimit të vendit?
Në vitet '50 shumë arkitektë të vendit mbaruan shkollat profesionale në vëndet e Lindjes dhe kryesisht në ato të Bashkimit Sovjetik. Si kudo në vendet e Bllokut të Lindjes edhe në Tiranë erdhi e ashtuquajtura arkitekturë staliniste, baroku stalinist. Vepra të tilla janë sot Ndërtesa e Kuvendit (ish Komiteti Qendror i PPSH-së) ndërtesa e Parlamentit, ajo e ish-Muzeut Lenin-Stalin, Fakulteti Histori-Filologji, etj.).
Pas viteve '60 u zhvillua arkitektura post-staliniste ose më saktë arkitektura socialiste. Kjo ishte e lidhur ngushtë me nevojat imediate të vendit, kryesisht në banesën e qytetarëve, të cilat për kushtet e vendit u bënë të vogla, thjesht për zgjidhjen e problemeve akute sociale. Arkitektura e periudhës prej viteve '60 deri në fund të viteve '80 mund të ndiqet në vepra të veçanta si Pallati i Kulturës (1965), Galeria e Arteve, Muzeu Kombëtar, Pallati i Kongreseve dhe deri te Piramida. Në këto vepra erdhi duke u futur ndikimi i arkitekturës gjeometrike perëndimore, por gjithsesi ato dallojnë si dëshmi të epokës së diktaturës.
Po pas viteve nëntëdhjetë çfarë modeli u ndoq?
Gjergj Frashëri: Mbas viteve '90 urbanistika, arkitektura si dhe arti në tërësi fitoi një liri nga kanonet e ngurtësuar të epokës së mëparshme. Ajo mund të quhet arkitektura post-diktatoriale. Tendenca e parë ishte kontestimi i asaj që ishte më përpara e ndaluar. Si rrjedhim, prej viteve '90 e deri sot janë shfaqur lloj-lloj eksperimentesh, multistilesh, konglomerat stilesh, të cilat në përgjithësi, sipas mendimit tim, e kanë dëmtuar trashëgiminë në fushën urbanistike dhe arkitektonike. Shembull është hapësira ndërtimore e zgjeruar e kryeqytetit në këto 20 vjetët e fundit, ku urbanistika e këtyre lagjeve të reja është krejtësisht e papërshtatshme për një jetë qytetare. Mund të sjellim shumë shembuj, por e gjithë kjo hapësirë e qytetit pret të rregullohet rrënjësisht, qysh nga rrugët, trotuare, infrastruktura dhe ndërtimet e panumërta pa leje. Ndërkohë në Tiranë janë bërë edhe ndërtime të veçanta, ndërtesa në vetvete janë arritje arkitektonike të stileve të ndryshme, që tregon se në vend ka arkitektë të aftë. Por ato nuk qëndrojnë në harmoni me të tërën, dhe ky është një aspekt i kërkuar urbanistik dhe arkitektonik i një qyteti. Duhet të mendohet mirë se si do të korrigjohet arkitektura e banesës së dekadave '60-'80, por edhe si do të rregullohet urbanistika e Tiranës së dy dekadave të fundit. Ka shumë për të bërë.
Paralelisht me projektet e studiove të huaja, a ka projekte që lidhen me trashëgiminë, të cilat janë propozuar për zhvillimin e Tiranës në vitet e fundit?
Gjergj Frashëri: Para së gjithash është harruar Kështjella e Tiranës. Në vitin 2007-2008 studioja ime kreu sondazhe arkeologjike dhe punime gjurmimi brenda dhe jashtë kështjellës me shpenzimet e saj. Përgatiti edhe një projekt për restaurimin dhe kthimin në zonë muze me qëllime përdorimi për nevoja turistike të kështjellës dhe veprave arkitekturore që ruhen brenda saj. Projekti u aprovua në parim në Ministrinë e Kulturës. Madje u paraqit edhe në Bashkinë e Tiranës. Fatkeqësisht, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Delegacionin Europian nuk e përfillën punën tonë, madje e shfrytëzuan atë në mënyrë të pasjellshme për qëllimet e projektit të tyre që përgatitën me një studio greke, i cili i ka dëmtuar vlerat e kështjellës së Tiranës.
Tani janë në diskutim dy projekte për zgjerimin e Tiranës, ndër to ai për zgjatjen e Bulevardit "Zogu I", çfarë mendimi keni për to?
Gjergj Frashëri: Në të vërtetë Projekti në fjalë është ndërtimi i një qyteti të ri, i cili nuk ka ekzistuar më parë. Në këto njëzet vjetët e fundit Tirana është rritur më se dy herë në shtrirje, në mos më shumë. Ka ardhur koha, që kur një politikan përdor fjalën "Zgjerim i hapësirës urbanistike" për Tiranën, të dridhet shpirti (jo më trupi). Urbanistika e Tiranës ka nevojë të rregullohet, jo të zgjerohet (si vaji në lakrat-thuhet në gjuhë popullore). Gjysma e Tiranës ku jetojnë gati 400 njerëz nuk ka sistem urbanistik dhe infrastrukturë të rregullt. Përse duhet të zgjerohet më tej?!
Cila mendoni se është alternativa më e mirë?
Propozimi i projektit me përmasat që ka bën fjalë për një qytet të ri. Më lind pyetja si qytetar: Përse ka dalë nevoja e tij, që ngjan si një planifikim për lëvizje demografike? Do të prishet një copë e Tiranës së ndërtuar pa leje duke i bërë vend popullsisë atje apo ky "qytet i ri" i rezervohet një popullsie që do të vijë? Në se dikush ka vendosur që të rrisë popullsinë e Tiranës , ajo mendoj unë nuk duhet të pushtojë më tej fushën (jo betonizimin e tokës pjellore, tokës së bukës siç thotë populli), por kodrat shterpë. Ky projekt nuk ka pjesëmarrjen e specialistëve shqiptarë. Jam i sigurtë se specialistët vëndas janë prej kohësh të mendimit se Tirana jo vetëm nuk duhet të zgjerohet, por duhet të rregullohet dhe mundësisht të rrudhet duke u pajisur me urbanistikë të rregullt dhe infrastrukturën normale për një qytet. Me paratë që janë parashikuar për projektin e propozuar do të mjaftonte për rregullimin e asaj që është ndërtuar keq deri sot. Unë nuk kam parë kryeqytet të Evropës që t'a nxjerrë stacionin e trenit jashtë zemrës së vet dhe ta çojë te këmbët.
12.Si mund të ruhet identiteti i qytetit sipas jush? Ku duhet ndërhyrë dhe ku nuk duhet të ndërhyhet?
Gjergj Frashëri: Identiteti ruhet kur dëgjohet mendimi i vendasit, i qytetarit të rregullt që jeton në Tiranë, kur respektohet dhe përpunohen nevojat e tij, dashuria e tij për qytetin, lagjen, rrugën ku jeton. Këtë mendim e mbledhin specialistët, studiot e specializuara të urbanistikës dhe të arkitekturës. Ata skicojnë zhvillimin urbanistik të qytetit, njëherazi përsosjen dhe përmirësimin e asaj që ekziston, zgjerimin kur është domosdoshmëri jetike dhe kërkesë e një perspektive të largët. Sot qytetari i Tiranës nuk pyetet, ose bëhet sikur pyetet vetëm në prag të zgjedhjeve. As ankesat e tij nuk i dëgjohen kur bie ndesh me interesat private të dikujt tjetër. Këtë e them nga përvoja ime e viteve të fundit. Ne jemi në fazën kur ndeshjen midis politikanëve dhe specialistëve (qytetarëve) e fiton politikani, interesi privat në dëm të interesit të përgjithshëm qytetar. Në një vënd të varfër, identiteti është në rrezik të madh.
A kemi ne sot specialistë dhe studio të afta që mund të japin mendimin e tyre për të ardhmen e urbanistikës dhe të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë së Tiranës?
Gjergj Frashëri: Kemi patur dhe kemi. Ne kemi specialistë që nuk jetojnë më, të cilët e kanë dhënë mendimin e tyre prej profesionistësh, që i ka rezistuar kohës. Mendimet dhe vizionin e tyre tyre i kemi mbi tavolinë, po të duam t'i marrim parasysh. Specialistë të tillë e kanë menduar edhe Tiranën si do bëhej, si ata e dëshëronin atë, por që nuk mundën, kjo është diçka tjetër. Eshtë i njëjti vizion si ai i Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit, të cilët si delegatë të Komitetit Shqiptar në takimin që patën në Janinë, në gusht 1877 me diplomatin grek Ep. Mavromatis, përfaqësuesi i qeverisë së Athinës, deklaruan qysh atëhere pikëpamjen e tyre për të caktuar Tiranën si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm". Por kemi edhe sot specialistë dhe Byro Projektimi në Shqipëri që janë në gjendje të realizojnë këto projekte. Ata duhet t'i bëjnë këto projekte, ose të marrin pjesë në to, sepse janë vendas, ata e njohin qytetin dhe ata mund të bëjnë një punë më dashuri për qytetin dhe fëmijët e tyre. Një shembull është projekti shumë i arritur i një studioje në Tiranë, e cila përgatiti Projektin e Restaurimit të Kalasë së Beratit në një kualitet të lartë, por mjerisht ai nuk u muar parasysh nga Ministria e Kulturës, nga Bashkia e Beratit dhe Delegacion Evropian në Tiranë dhe si rrjedhim, në vënd të restaurimit të kalldrëmeve të rrugëve të kalasë së Beratit si dokumenta historike të traditës, është shkaktuar dëmtimi i pakthyeshëm i tyre. Mjerisht individë të veçantë të institucioneve shtetërore dhe ministrore janë duke kryer aktualisht me energji dhe shpejtësi veprime në dëm të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, shpesh edhe në dëm të dokumentave historike me vlerë kombëtare. Qyteti i Tiranës ka shembujt e veta për këtë.
(sg/shqiptarja.com)