Kryetari i Partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi, gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të FRD-së Foto: Agim Dobi
TIRANË, 11 Nëntor/ATSH- I. Vata/-Fryma e Re Demokratike ka mbledhur sot kryesinë e saj, ku në fokus ishte vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd dhe në luginë e Presheves, duke e konsideruar si një qëndrim dinjitoz të kryeministrit Rama, si një lidërship modern dhe me vizion  evropian.
Kryetari i Frymës se Re Demokratike, Bamir Topi, duke folur ne mbledhjen e kryesisë, tha se "Kryeministri Edi Rama përfaqësoi në mënyrë dinjitoze shqiptarët në vizitën e tij në Serbi dhe Preshevë. Fryma e mirëkuptimit dhe e bashkërendimit, tashmë është konsoliduar në politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë në të gjithë dimensionin e politikën shqiptare".
"Nuk mendoj që një shqiptar sillet në mënyrë më patriotike se një shqiptar tjetër, por politika e sotme  moderne duhet t'i sjellë shqiptaret në ngjarje të tilla në sintoni të plotë qëndrimi. Sigurisht, politika e brendshme ka karakteristikat e veta, por jam i bindur se cilido që është në opozitë duhet të thotë të vërtetën, por kur vjen puna e përfaqësimit të interesave të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama ishte tepër dinjitoz në përfaqësimin e politikës shqiptare dhe interesave të tyre, kudo që ndodhen", tha Topi. /a.ke/