Frederik Stamati: Muzeu Kombëtar
të strehojë reliket e bandës “Vatra”

Frederik Stamati: Muzeu Kombëtar<br />të strehojë reliket e bandës “Vatra”
TIRANE - Edhe pse restauruesi Frederik Stamati e quan fat që në Fondin Etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike ruhen disa relike nga “Banda Vatra”, ai shprehet se degradimi i tyre “ka nisur që nga origjina e tyre muzeale”. Stamati kritikon mungesën e vëmendjes për strehimin dhe ruajtjen e tyre nga Muzeu Kombëtar.

Objektet që rrezikohen sipas Stamatit janë: 1)Flamuri i 1918-ës, ku në të shkruhet: “Banda kombëtare “Vatra”, dhuratё nga shoqёria drenovare Bashkimi 1918”. 2)Trumpeta, e cila paraqitet në fotografinë e bandës dhe është në këtë gjendje: Lëkura e njërës është ҫarë nga rrudhosja e tharjes së përtejme dhe e dëmtuar. 3)Gran cassa, apo daullja.

Stamati thotë për të se “Ajo ka pasur fatin e një restaurimi primitiv, jo muzeal. Lëkura origjinale është zëvendësuar me një të re, që ta bënte daullen të binte në një konkurrimin amator. Edhe lëkura e re, e vënë në vitet ’70, është ҫarë në të dyja anët. Pra kjo është çfarë ka mbetur nga daullja e fotografisë së vitit 1918, ndoshta pranë së cilës qëndron Petro Bexho, ai “i daullkave”, apo në një gjuhë më “akademike” instrumentisti i perkursionit, gjë që duhet përcaktuar më mirë”, tha dje Stamati me ironi.

Stamati me këtë rast bëri apel që të restaurohen sa më parë këto dy instrumente në një gjendje shumë të dëmtuar. “Trumpeta është prekur edhe nga insektet që sulmojnë drurin. Disa pjesë mungojnë apo janë dëmtuar. Daullja ka edhe arna prej sholle, të mbërthyera nallbanҫe”, tha ai duke treguar pamjet në ekran.

Pasi foli për instrumentet e shkatërruara Frederik Stamati tha se “Nuk mund të ketë një bandë pa uniformën e saj. Edhe Banda Kombëtare “Vatra” e kishte uniformën e vet: një kostum të zi dhe kasketë me stemë”. Duke treguar xhaketën e uniformës së kësaj bande Stamati tregoi në ekran xhaketën e grirë mola dhe kasketën shumë të dëmtuar.

Stamati i ka mëshuar faktit se “restaurimi i të gjitha këtyre sendeve, duke përfshirë edhe flamurin, do të jetë një punë që do ta dinë vetëm ata që do të merren me të!” Ndërkohë Stamati u shpreh edhe për mbledhjen dhe ruajtjen në muze të relikeve të mbetura nga kjo bandë, të cilat aktualisht ruhen me fanatizëm nga pasardhësit e famijarëve të anëtarëve të Bandës “Vatra”.

“Ilia Tërpini e ruan me kujdes të rrallë instrumentin e trashëguar. Kurse Ethim Dodona na premtoi se do të na dhurojë diҫka nga ajo bandë. Sado që u munduam, nuk arritëm ta mësonim me saktësi se ҫfarë: ai e ruan surprizën për ndonjë rast më të shënuar. Mësuam se zoti Kristaq Jorgji i ka dhënë zotit Pandi Bello një fotografi të bandës, së bashku me emrat e instrumentistëve.

Por ka edhe një rast të cilin nuk duam ta besojmë: zoti Vaskë Morcka thotë se vëllai i tij, Roberti, ka dorëzuar në Muzeun Historik të Korҫës, natyrisht në kohën kur ai muze funksiononte, një uniformë të plotë të njërit prej instrumentistëve të bandës. Sot ajo uniformë nuk gjendet më. Në inventarin e muzeut nuk figuron një uniformë e tillë… Ndoshta është harruar diku…Duhet kërkuar!”, vërejti studiuesi Stamati.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngacmime dhe ironi në ‘Frontline’, Hoxha: Jeni ‘të kapur’ nga Kastrati! Dhuli: Protestën e bëjmë ne të pakapurit! Muça: Vërini 'flakën' Apelit! Nurja: Protestë dhe në Parlament

Ngacmime dhe ironi në ‘Frontline’, Hoxha: Jeni ‘të kapur’ nga Kastrati! Dhuli: Protestën e bëjmë ne të pakapurit! Muça: Vërini 'flakën' Apelit! Nurja: Protestë dhe në Parlament