Fredi Belerit (Dhionisios Alfred Petro Beleri), ju refuzua dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kandidimi për kryetar të Bashkisë së Himarës në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, pasi rezultoi të ishte subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Fredi Beleri, kandidat i pavarur për bashkinë e Himarës, rezulton të jetë i dënuar me burg, por edhe pse dënimi është i hershëm, penalizimi ndaj tij erdhi pasi Beleri nuk ka përfunduar periudhën e ndalimit ose rehabilitimit.

Sot, ministria e Jashtme e Greqisë në një reagim, thotë se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk ka bazë ligjore.

“Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri për të mos lejuar kandidimit e zotit Beleri është tepër shqetësues. Me sa jemi në dijeni deri më tani ky vendim nuk ka bazë ligjore. Jemi duke ndjekur zhvillimet dhe jemi të gatshëm të ndihmojnë përfaqësuesit e minoritetit”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtmë greke.

Fredi Beleri ka qenë dënuar me 3 vite nga gjykata e Vlorës për nxitje të urrejtjes rreth 10 vite më parë dhe e kap ligji i dekriminalizimit. Periudha e rehabilitimit që është 10 vite e përcaktuar, i përfundon një muaj pas zgjedhjeve lokale.

Zgjedhjet janë në qershor dhe Beleri është brenda periudhës së ndalimit, të cilën e përfundon në fund korrikut. Thënë më thjesht, nëse data e zgjedhjeve do të ishte pas muajit korrik, Fredi Beleri do të pranohej si kandidat i rehabiluar nga dënimi i marrë, siç ligji i dekriminalizimit e parashikon.

Alfred (Fredi) Bejleri është një emër i njohur, pasi ishte njëri nga anëtarët e komandos ekstremiste  të masakrës së Peshkëpisë e ndodhur në 10 prill 1994 në Gjirokastër.

Pavarësisht asaj që kishte ndodhur në 1994 në Gjirokastër, ai mori guximin dhe kandidoi për kryetar të bashkisë së Himarës në zgjedhjet lokale të 2015 në siglën e PBDNJ dhe i mbështetur nga opozita e djathtë, por nuk arriti që të fitonte. Ndërkohë që kandidoi sërish tani por u rrëzua nga KQZ, ndërsa dosja e Peshkëpisë është rihapur.

Reagimi i Ministrise se Jashtme greke