Frika nga pushtimi rus i Ukrainës rritet! Rusët japin sërish shenja pozitive: Të vazhdojnë bisedimet! Zelensky: Anëtarësimi në NATO, garanci për sigurinë e vendit

Më shumë se një duzinë vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe SHBA, u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina mes paralajmërimeve për një pushtim "të afërt" nga Rusia. Kjo e fundit mohon planet për të pushtuar, pavarësisht se ka grumbulluar 100,000 ushtarë në kufijtë e Ukrainës. Pavarësisht tensioneve dhe kërcënimeve nga ana e Moskës, duket se kjo nuk e ka penguar presidentin e Ukrainës të shprehë hapur se vendi do të vazhdojë me kërkesat për të qenë pjesë e NATO-s.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se “Ukraina do të vazhdojë të kërkojë anëtarësimin në NATO. Ne e kuptojmë se anëtarësimi në NATO do të garantonte sigurinë dhe integritetin tonë territorial”,

Më tej Zelensky shton se gazsjellësi i diskutueshëm ruso-gjerman Nord Stream 2 është një “armë gjeopolitike”.

Lidhur me situatën me Ukrainën, edhe ministri i Jashtëm Sergei Lavrov ka zhvilluar një takim Presidentin Putin, të cilin e ka këshilluar që Moska të vazhdojë rrugën diplomatike në përpjekjet e saj për të nxjerrë garancitë e sigurisë nga perëndimi edhe pse përgjigjet nga Bashkimi Evropian dhe aleanca ushtarake e NATO-s nuk kanë qenë "të kënaqshme".

Nga ana tjetër ambasadori i Rusisë në BE Vladimir Chizhov, ne nje interviste për “The Guardian” ka thënë se Moska do të ishte brenda të drejtës së saj për të nisur një “kundërsulm” nëse mendonte se kishte nevojë të mbronte qytetarët rusë që jetojnë në Ukrainën lindore. Chizhov i përshkroi pretendimet se trupat ruse ishin tashmë në rajonin e Donbasit si një “gënjeshtër”, por paralajmëroi se një përshkallëzim i papritur i konfliktit atje, ose një “provokim ukrainas”, mund të përshpejtojë veprimet nga Kremlini.

Ndërsa televizionet ruse nxisin tensionet me Ukrainën duke thënë se nacionalistët e Kievit planifikojnë të masakrojnë rusët. Gjatë fundjavës, emisionet kryesore të lajmeve politike në kanalin shtetëror të Rusisë Rossiya 1 dhe NTV të Gazprom-Media flasin për masakra dhe të vrarë rusë nga ukrainasit, mes tyre edhe fëmijë, duke lënë të kuptohet se ata ishin viktima të krimeve të luftës. Raporti i një korrespondenti më vonë tregoi një luftëtar separatist që pretendonte se nacionalistët ukrainas kishin kërcënuar se "do të vinin t'ju vrisnin dhe t'ju thernin të gjithëve".

Megjithëse përpjekjet diplomatike vazhdojnë, ekspertët e huaj thonë se ato janë të varura më shumë te shpresa sesa te pritshmëritë.

Ditën e djeshme Ukraina kërkoi një takim urgjent me Rusinë dhe dhjetëra shtete evropiane, për të marrë një shpjegim lidhur me grumbullimin e forcave ruse në kufi me Ukrainën.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se Rusia ka injoruar kërkesën zyrtare të Kievit për shpjegim pse Moska ka pozicionuar mbi 100,000 trupa dhe armë të avancuara përreth Ukrainës. Ende nuk ka ndonjë përgjigje zyrtare nga Moska për kërkesën e Kulebas.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:54
Tha se Ukraina do të pushtohej më 16 shkurt, tërhiqet Zelensky! Stafi: Presidenti është ish-humorist

Disa orë pasi lëshoi ​​një deklaratë duke thënë se kishte dëgjuar se Rusia do të sulmonte vendin e tij më 16 shkurt, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u tërhoq nga parashikimi duke sqaruar se ai i referohej vetëm raporteve të mediave. Deklarata e parë tronditi mediat dhe tregjet botërore.

“Na është thënë se 16 shkurti do të jetë dita e sulmit”, tha Zelenskyy në një deklaratë video të postuar në Facebook.

Megjithatë, pasi komentet e tij u morën nga shumë veta, zëdhënësi i tij, Sergii Nykyforov, tha se presidenti, i cili është një ish humorist, po thoshte vetëm atë që është raportuar diku tjetër.

“Presidenti iu referua një date që u përhap nga media,” tha zëdhënësi i tij.

Ora 22:47
Zëdhënësi i Kremlinit thotë se Putin është 'i gatshëm të negociojë'

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se presidenti rus Vladimir Putin është "i gatshëm të negociojë", duke shtuar se kriza në Ukrainë ishte vetëm një pjesë e shqetësimeve më të mëdha të sigurisë së Rusisë.

"Para së gjithash, Presidenti Putin ka kërkuar gjithmonë negociata dhe diplomaci," i tha Peskov Frederik Pleitgen të CNN të hënën vonë.

"Dhe në fakt, ai inicioi çështjen e garancive të sigurisë për Federatën Ruse. Dhe Ukraina është vetëm një pjesë e problemit, është një pjesë e problemit më të madh të garancive të sigurisë për Rusinë dhe natyrisht presidenti Putin është i gatshëm të negociojë”, tha ai.

Më herët gjatë ditës, Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov i tha Putinit se ai shihte një "shans" për dialog diplomatik me Perëndimin lidhur me shqetësimet e sigurisë së Rusisë, duke thënë se ai rekomandoi vazhdimin e përpjekjeve të tilla.

Ora 20:57
SHBA zhvendos operacionet e ambasadës nga Kievi në Lviv

Shtetet e Bashkuara po zhvendosin operacionet e ambasadës së tyre në Ukrainë nga kryeqyteti Kiev në qytetin perëndimor të Lvivit, tha të hënën Sekretari i Shtetit Antony Blinken, duke përmendur "përshpejtimin dramatik në grumbullimin e forcave ruse".

Lëvizja vjen pasi zyrtarët amerikanë po paralajmërojnë se Moska mund të nisë një sulm ndaj Ukrainës, përfshirë Kievin, çdo ditë, pasi grumbulloi më shumë se 100,000 trupa pranë kufirit lindor të ish-republikës sovjetike dhe më shumë forca në Bjellorusi në veri.

Sekretari Blinken tha në një deklaratë se vendimi ishte marrë për shkak të shqetësimit për sigurinë e stafit të ambasadës. Shumica e stafit të ambasadës tashmë është urdhëruar të largohet nga Ukraina dhe gjithashtu qytetarët amerikanë janë këshilluar të largohen nga vendi.

"Ekipi im dhe unë vazhdimisht shqyrtojmë situatën e sigurisë për të përcaktuar se kur maturia dikton një ndryshim në sjellje," tha Blinken, duke shtuar se Uashingtoni do të vazhdojë të punojë për një zgjidhje diplomatike të tensioneve.

Operacionet e ambasadës po zhvendosen përkohësisht në Lviv -- afërsisht 80 kilometra nga kufiri perëndimor i Ukrainës me Poloninë -- por ambasada do të mbetej e angazhuar me qeverinë ukrainase në Kiev, tha sekreari Blinken.

Ora 20:46
Konflikti me Rusinë, Zelensky: Anëtarësimi i Ukrainës në NATO, garanci për sigurinë e vendit! Nord Stream 2, armë gjeopolitike

Në kuadër të përpjekjeve diplomatike për të zbutur tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë, kancelari gjerman Olaf Scholz takoi sot Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenksiy në Kiev, ndërsa nesër udhëheqësi gjerman ndalon në Moskë për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin. Analistët thonë se veçanërisht nga Rusia, zoti Scholz duhet të përcjellë mesazh të qartë se perëndimi ka unitet dhe se nuk mund të përçahet.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se vendi i tij do të vazhdojë të ndjekë synimin për anëtarësim në NATO, pavarësisht kundërshtimit rus dhe skepticizmit të disa vendeve perëndimore.

“Sot, shumë gazetarë dhe udhëheqës po japin shenja të vogla për Ukrainën se është e mundur që të shmanget rreziku dhe që të mos ngrihet vazhdimisht çështja e anëtarësimit në aleancë në të ardhmen, sepse këto rreziqe lidhen me reagimin e Federatës Ruse” tha zoti Zelenskiy në një konferencë të përbashkët me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

“Besoj se duhet të vazhdojmë të ecim në rrugën që e kemi zgjedhur”, shtoi udhëheqësi ukrainas.

Nga ana e tij, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se pret hapa konkretë nga Rusia për të shmangur konfliktin me Ukrainën, ndërsa shtoi se Gjermania dhe aleatët perëndimorë janë të gatshëm për dialog serioz me Rusinë mbi çështjen e sigurisë evropiane.

Udhëheqësi gjerman njoftoi një kredi të re prej 150 milionë eurosh për Ukrainën, ndërsa shtoi se Perëndimi është gati për vendosjen e sanksioneve të gjera dhe të efektshme, nëse Rusia shkel integritetin territorial të Ukrainës.

Vizita e zotit Scholz në Ukrainë është në kuadër të përpjekjeve diplomatike për të zbutur tensionet e larta mes Kievit dhe Moskës, ndërsa zyrtarët perëndimorë të zbulimit paralajmërojnë se një sulm rus ndaj Ukrainës është gjithnjë e më i afërt.

Të martën zoti Scholz ndalon në Moskë, ku do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin. Gjermania, sikur edhe disa vende tjera, u ka bërë thirrje qytetarëve të saj të largohen sa më parë nga Ukraina.

Qeveria ka refuzuar furnizimin me armë të Ukrainës dhe ka shmangur deklarimin konkret se cilat sanksione ndaj Rusisë do të mbështeste Gjermania. Pozicioni i paqartë gjerman ka ngjallur kritika brenda dhe jashtë vendit. Ekspertët thonë se veçanërisht gjatë vizitës në Moskë, është e rëndësishme që zoti Scholz të theksojë se Gjermania është në të njëjtën linjë me aleatët evropianë dhe amerikanë.

"Zoti Scholz duhet të përcjellë një mesazh të qartë në Moskë se aleanca perëndimore ka unitet. Moska duhet ta kuptojë se aleanca perëndimore nuk mund të përçahet”, thotë Markus Ziener nga Fondi Gjerman Marshall.

Megjithë ngurrimin gjerman për të komentuar të ardhmen e gazsjellësit Nord Stream 2 në rast se Rusia pushton Ukrainën, ekspertët mendojnë se e ardhmja e furnizuesit me gaz natyror është nën rrezik.

Presidenti amerikan Joe Biden tha javën që shkoi se Nordstream 2 do të bllokohej në rast të sulmit rus.

Kjo do të dëmtonte ekonominë ruse, por gjithashtu do të shkaktonte probleme për furnizimin me gaz të Gjermanisë. Punimet e gazsjellësit kanë përfunduar, por ai ende nuk është vënë nën funksionim.

"Gjermania nuk ka shumë mjete për të ushtruar ndikim, përveç nëse thotë se nuk do të miratojë gazsjellësin Nord Stream 2. Gjermania është shumë e kufizuar. Vendi është zotuar për furnizim me gaz. Ndryshe nga vendet e tjera evropiane, ne nuk kemi diversifikuar furnizimet tona me gaz dhe jemi zvarritur në tranzicionin energjetik. Pra ne kemi bërë shumë gabime dhe tani po pagujmë çmimin”, thotë Ckaudia Kemfert nga Instituti gjerman për Kërkime Ekonomike.

Rusia ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa përgjatë kufirit të saj me Ukrainën dhe ka kryer një seri manovrash ushtarake në rajon, por thotë se nuk ka plane për të pushtuar fqinjin e saj.

Moska kërkon garanci nga Perëndimi se NATO nuk do të lejojë anëtarësimin e Ukrainës dhe vendeve të tjera ish-sovjetike në aleancën veri-perëndimore. Rusia gjithashtu kërkon që NATO të ndalojë dërgimin e armëve në Ukrainë dhe tërheqjen e trupave të tyre nga Evropa Lindore. Shtetet e Bashkuara dhe NATO i kanë refuzuar këto kërkesa./ VOA

Ora 20:07
Presidentja e PE: Pozicioni ynë është i qartë, jemi me Ukrainën

Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola shprehu mbështetjen e parlamentit të BE për Ukrainën mes paralajmërimeve për një pushtim rus.

“Pozicioni i kësaj shtëpie është i qartë, ne jemi me Ukrainën,” tha ajo. Ajo kërkoi që “kundërshtimi i Ukrainës duhet të përputhet me vendosmërinë dhe unitetin e vazhdueshëm evropian. Ajo që ne po dëshmojmë është një kërcënim serioz për paqen në Evropë”, shtoi ajo.

Metsola kërkoi de-përshkallëzimin e tensionit aktual, por tha se Parlamenti Evropian është “i gatshëm të mbështesë veprimin e shpejtë, të fuqishëm dhe konkret”.

“Ne e bëjmë këtë në koordinim me institucionet e tjera evropiane dhe komunitetin ndërkombëtar nëse situata përkeqësohet,” shtoi ajo.

Ora 20:01
Televizionet ruse nxisin tensionet me Ukrainën: Nacionalistët e Kievit planifikojnë të masakrojnë rusët

Që nga viti 2014, media ruse pro-Kremlinit ka akuzuar forcat ukrainase për kryerjen e mizorive kundër civilëve, shpesh me prova në mungesë.

Gjatë fundjavës, emisionet kryesore të lajmeve politike në kanalin shtetëror të Rusisë Rossiya 1 dhe NTV të Gazprom-Media transmetuan nga rajoni lindor i Ukrainës Donbas, ku flisnin për masakra dhe të vrarë rusë nga ukrainasit, mes tyre edhe fëmijë, duke lënë të kuptohet se ata ishin viktima të krimeve të luftës.

Prezantuesi i Rossiya 1, Dmitry Kiselyov, pretendoi se "mijëra civilë janë torturuar dhe vrarë egërsisht" në Donbas dhe akuzoi Perëndimin për "injorimin me kokëfortësi të krimeve të regjimit të Kievit". Këto deklarata u shoqëruan me një mbishkrim: "Ata po përgatiten të vrasin".

Raporti i një korrespondenti më vonë tregoi një luftëtar separatist që pretendonte se nacionalistët ukrainas kishin kërcënuar se "do të vinin t'ju vrisnin dhe t'ju thernin të gjithëve".

Veçanërisht, disa nga pretendimet e programeve kishin të bënin me fazat e mëparshme të konfliktit dhe praktikisht nuk kishte asnjë raportim për luftime aktuale që po ndodhnin atje për momentin.

Ora 19:59
Ish-kryeministri ukrainas: Situata shumë serioze, Putini do luftë si Hitleri

Arseniy Yatsenyuk, kryeministri i Ukrainës në vitet 2014 dhe 2016, foli për BBC në Kiev. Yatsenyuk vë theksin te një zgjidhje diplomatike, por gjithçka varet nga presidenti rus Putin. Ai thotë se nëse Putini vërtet dëshiron të bëjë luftë, duhet të kuptojë se “do të mbahet mend si Adolf Hitler”.

I pyetur se çfarë mund të sjellë kancelari gjerman Olaf Scholz në negociata kur të takohet me Putinin të martën, Yatsenyuk thotë se Scholz nuk mund ta zgjidhë problemin i vetëm, por ka nevojë që bota perëndimore gjithashtu të ndihmojë. Megjithatë, ai thotë se nuk beson në dialogun me Putinin nëse nuk mbështetet nga “një qëndrim shumë i fortë, financiar, ekonomik dhe ushtarak”.

Ish-kryeministri thotë se njerëzit në Ukrainë janë nervozë për atë që do të ndodhë. Ai thotë se Ukraina është në “gjendje lufte” dhe shton se vendi i tij duhet të luftojë sepse “këtë kemi bërë në 2013 dhe jemi gati të bëjmë në 2022”.

Kur u pyet se presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky e minimizon kërcënimin nga Rusia, Yatsenyuk thotë se mendon ndryshe. Ai thotë se beson se situata është “shumë, shumë e rrezikshme” dhe presidenti aktual duhet t’i drejtohet popullit ukrainas në një “mënyrë të hapur dhe të vërtetë”.

Lidhur me anëtarësimin e Ukrainës në NATO, ai thotë se i vetmi kompromis që Putin do të pranojë është “kapitullimi i Ukrainës”.

Ora 19:58
Ambasadori rus në BE paralajmëron Kievin: Nëse na provokoni, mos u habisni kur të kundërsulmojmë

Ambasadori i Rusisë në BE Vladimir Chizhov, ne nje interviste për “The Guardian” ka thënë se Moska do të ishte brenda të drejtës së saj për të nisur një “kundërsulm” nëse mendonte se kishte nevojë të mbronte qytetarët rusë që jetojnë në Ukrainën lindore .

“Ne nuk do ta pushtojmë Ukrainën nëse nuk provokohemi për ta bërë këtë. Nëse ukrainasit nisin një sulm kundër Rusisë, nuk duhet të habiteni nëse ne kundërsulmojmë. Ose, nëse ata fillojnë të vrasin hapur qytetarët rusë kudo Donbas apo kudo.”, tha ai.

Chizhov i përshkroi pretendimet se trupat ruse ishin tashmë në rajonin e Donbasit si një “gënjeshtër”, por paralajmëroi se një përshkallëzim i papritur i konfliktit atje, ose një “provokim ukrainas”, mund të përshpejtojë veprimet nga Kremlini.

“Ajo që dua të them me provokim është se ata mund të organizojnë një incident kundër republikave të vetëshpallura të Donbasit, duke i provokuar dhe më pas duke i goditur me të gjitha forcat e tyre, duke provokuar kështu Rusinë të reagojë për të shmangur katastrofën humanitare në kufijtë e saj”, tha ai.

Ora 19:13
Tensionet me Rusinë, presidenti i Ukrainës: Gabim spostimi i stafit të ambasadave në qytetin Lviv

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi e sheh të gabuar vendimin e disa shteteve të Perëndimit, duke përfshirë Shteteve të Bashkuara, për të spostuar diplomatët nga Kievi, pas shqetësimeve për një pushtim të Rusisë.

“Është gabim i madh që disa ambasada  ndonëse është vendimi i tyre  të largohen nga Kievi dhe të vendosen në qytetin Lviv. Nuk ka Ukrainë Perëndimore, ka vetëm Ukrainë, është e tërë. Prandaj, nëse ndodh diçka, do të përhapet gjithandej" tha Zelenskyi.

Disa shtete kanë tërhequr diplomatët e tyre dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina.Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar largimin e shumicës së stafit diplomatik në Kiev, ndonëse do të mbajnë disa konsuj në qytetin perëndimor, Lviv. Kanadaja është duke mbyllur ambasadën e saj në Kiev përkohësisht, duke bartur operacionet diplomatike në Lviv, ashtu sikurse Australia.

Ora 18:44
Britania: Pushtimi i Ukrainës mund të jetë i pashmangshëm

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është “shumë e qartë se mund të ketë një pushtim të afërt të Ukrainës”, tha sekretarja e Jashtme.

Duke folur për mediat ndërkombëtare pasi kryesoi një takim të komitetit të urgjencës qeveritare, Liz Truss paralajmëron se Rusia mund të nisë një pushtim “pothuajse menjëherë” dhe përsërit thirrjet që britanikët të largohen nga Ukraina tani, ndërsa rrugët janë ende të disponueshme.

Truss thotë se oligarkët dhe kompanitë ruse do të viheshin në shënjestër të sanksioneve “të rënda” nëse Moska do të pushtonte, por ajo thotë se Mbretëria e Bashkuar është ende “duke ndjekur rrugën e diplomacisë dhe de-përshkallëzimit”.

Ora 15:54
Frika për luftë tremb edhe fluturimet me avionë, hapësira ajrore e Ukrainës pothuajse bosh

Në prag të luftës me Rusinë, hapësira ajrore më Ukrainë është pothuajse bosh nga avionët. Siç shihet edhe nga një vëzhgim në Flyradar, tensionet mes dy shteteve duket se ka trembur edhe kompanitë e fluturimeve të cilat kanë devijuar lëvizjen në sipërfaqen ajrore t Ukrainës.

Ora 15:36
Rusët japin sërish shenja pozitive, Lavrov pas takimit me Putin: Të vazhdojnë bisedimet

1644849449_FLjtNyvXwAcI0c.jpg

Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov e ka këshilluar Presidentin Putin që Moska të vazhdojë rrugën diplomatike në përpjekjet e saj për të nxjerrë garancitë e sigurisë nga perëndimi.

Lavrov u takua me Putin të hënën dhe tha se Moska duhet të vazhdojë dialogun me perëndimin, edhe pse përgjigjet nga Bashkimi Evropian dhe aleanca ushtarake e NATO-s nuk kanë qenë "të kënaqshme".

I pyetur nga Putin nëse ka kuptim vazhdimi i përpjekjeve diplomatike, Lavrov u përgjigj se mundësitë për bisedime nuk ishin ezauruar dhe propozoi vazhdimin e negociatave.

Ora 14:29
Boris Johnson i prerë: E drejta e Ukrainës për anëtarësim në NATO nuk mund të këmbehet

“Të drejtat sovrane të popullit ukrainas për të aspiruar anëtarësimin në NATO nuk mund të këmbehen", kështu deklaroi kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, duke i dhënë kështu një përgjigje të qartë Rusisë.

Kjo deklaratë e Johnson vjen pas tërheqjes së Ministrisë së Jashtme të Ukrainës nga komentet që ambasadori i tyre në Mbretërinë e Bashkuar bëri të dielën, i cili sugjeroi se Ukraina mund të konsideronte të mos kërkonte të bashkohej me NATO-n në një përpjekje për të parandaluar luftën me Rusinë.

Ora 13:43
Boris Johnson: Rusia po përgatitet seriozisht për pushtim e Ukrainës! Situatë shumë e rrezikshme, Perëndimi duhet të jetë i bashkuar

1565532656_johnson.jpg

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson thotë se "provat janë mjaft të qarta" dhe Rusia po planifikon një pushtim të Ukrainës. Gjatë një vizite në Skoci, ai tha se ka përgatitje serioze nga ana e Rusisë për të nisur një pushtim.

Sipas Johnson kjo është një "një situatë shumë, shumë e rrezikshme dhe e vështirë", por ka ende kohë që presidenti Putin të tërhiqet". Ai bëri thirrje për më shumë dialog dhe i kërkoi Rusisë të shmangë një pushtim "katastrofik".

Po ashtu Johnson shtoi se Perëndimi duhet të jetë i bashkuar kundër agresionit rus.

 “Është shumë, shumë e rëndësishme që Perëndimi të qëndrojë i bashkuar, veçanërisht që NATO e ka bërë këtë. Ka qenë shumë inkurajuese të shohësh mënyrën se si vendet janë bashkuar", tha ai.

/I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Beni: 14/02/2022 20:46

    Nxitesit e kesaj lufte jane Amerikanet duke perdorur Ukrainen per ti thene botes qe ja kush eshte Rusia por ne te vertete agresoret jane vendet e Natos por kane gjetur vendin e gabiar per tu kruajtur se hurin do marin legenat e kane bere tere boten front lufte

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë