Frrok Çupi: Beleri, Berisha dhe bisha kthehen te preu i lënë

Frrok Çupi: Beleri, Berisha dhe bisha kthehen te preu i lënë

Fredi Beleri dhe Sali Berisha

E para, bisha që mund të jetë ujku ose edhe grabitqarë të tjerë, është e njohur botërisht se çfarë bën me prenë e vet. Pasi e ka ngrënë gjysmën e qengjit, e lë aty ku e preu dhe kthehet prapë pastaj.

Ka një ngjashmëri tragjike në habitatet e ndërgjegjshme të humanëve me instinktet e egërsirave të pyllit:

Sali Berisha, ish president i Republikës dhe kryeministër, i dëbuar politikisht nga aleatët e Shqipërisë si një rrezik për shtetin dhe demokracinë, po tenton të kthehet aty ka lënë prenë e tij në vitet më herët. Dhe në fakt, diçka po arrin. Po tenton të marrë pushtet në bashkitë e vendit duke u fshehur, njësoj si ujku, nën pemën e Ilir Metës. Në vend që të ishte ‘i harruar’, ai vërtitet përditë mes njerëzve me qëllim që t’u manifestojë se ‘Jam këtu’. Sapo të fitojë lirinë e egërsirës, do të kafshojë prenë që la këtu para se ta godiste Amerika.

Preja është jeta e popullit shqiptar, e  cila është zvarritur prej tij, njësoj si preja në pyll, sa në vjedhje, në vrasje dhe në shëmtim.

Berisha, edhe kur është dëbuar me forcë nga populli shqiptar, ka gjetur vrimë dhe është kthyer atje ku e la. Në vitin 2005 u kthye si kryeministër, nëpër një të çarë të fortë të socialistëve që kishte përballë. Një numër njerëzish, mes tyre edhe hetues të politikës e strategjisë, u lëshuan në prehër të mendjelehtësisë dhe thanë se ‘Berisha nuk është më ai që ishte!”. Kjo shkonte deri në injorancën e atyre që nuk kanë mësuar asgjë për instinktet e egërsirave të pyllit.

Sali Berisha, me ardhjen e dytë, bëri si ujku i përrallës me këmbën e bardhë. Bëri të njëjtat akte kafshërore me prenë e vet, si ato që kishte kryer nga viti 1992 deri në 1998. Madje shtoi edhe disa akte të tjera instinktive. Pas vitit 2005 vrau njerëz të pafajshëm dhe të pagjykuar- njësoj si deri në vitin 1998; vrasje që nga skutat e errëta deri në bulevard dhe në furrat e Gërdecit. Nën drejtimin e tij u grabit ekonomia e vendit njësoj si në skemat piramidale ku shqiptarët u treguan me gisht si ‘mendje të vjetëruar’ që ndjekin modelin mafioz Ponzi. Sali Berisha, në menynë e ‘bishës me prenë’, shtoi edhe vjedhjen e pronave përmes familjes së tij dhe për familjen e tij.

Tani, tek tenton të kthehet në politikë, aplikon të njëjtën sjellje si edhe të bishës së pyllit. Gjuetarja e pyllit kthehet te gjysma e qengjit që ka lënë herën e  fundit.

Çfarë e çoi Fredi Belerin që të strehohet në ‘Foltoren’ e Berishës; apo e kundërta: Cila është nuhatja që e çon ‘ujkun’ Berisha drejt erës së gjahtarit të njerëzve Fredi Beleri?

Fredi Beleri është arrestuar dje për krime zgjedhore. Ai u shpall kandidat për kryetar i Bashkisë së Himarës nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ me në krye Sali Berishën dhe Ilir Metën. Ai është dënuar me burg 3 vjet edhe një herë tjetër më parë, pikërisht me akuzën se urren njerëzit e kombësisë shqiptare. Fred Beleri është shpallur gjuetar me pushkë në masakrën e Peshkëpisë, Gjirokastër, të kryer në prill 1994. Erdhi nga përtej kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë, në përbërje të një grupi terroristësh të organizatës terroriste MAVI, me synimin për të vrarë ushtarakët shqiptarë që ruanin kufirin. Vranë! Vranë në mënyrë makabre ushtarin Arsen Gjinin dhe komandantin e repartit, kapiten i parë, Fatmir Shehu. Plagosën tre të tjerë: ushtarët Ardian Velmishi, Janaq Zaka, Frederik Kalemi.

Aq njerëz kishte posta kufitare shqiptare, dhe këta nuk lanë gjë të gjallë mbi dhè, veç kufomat e dyve dhe gjakosjen e tre të tjerëve.  Shumë armë të bandës terroriste mbetën rrugës dhe u kapën më vonë; terroristët ia mbathën në Greqi. Mes tyre Fred Beleri.

Por Fred Belerit i mbeti mendja te preja që nuk e kishte ‘gëlltitur’ të tërën. Ata që la të plagosur, ai i donte të vdekur. I donte t’ua kalonte kufomat nëpër duar. Dhe u kthye përsëri në mars të vitit 1995. Këtë herë u kthye më egërsisht, siç ndodh në mbretërinë e xhunglës. U bë bashkë me pesë të tjerë:

Jorgo Anastasulis, komando e njohur me emrin “Pirro i Parë” 34 vjeç, oficer i ushtrisë greke me gradën toger. Apostolos Karvelas, 26 vjeç, punonjës i policisë greke zëvendës komandant i grupit. Mario Kutulla, 25 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, punëtor. Fredi Bejleri, 23 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, me profesion hidraulik. Jorgo Kristo, 26 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë.

Të gjithë u cilësuan si anëtarë të grupimit terrorist MAVI që kreu masakrën e Peshkopisë vetëm një vit më parë, prill 1994.

Fred Beleri është betuar, njësoj si Berisha dhe vetë bisha, se nuk do t’i ndahet presë së tij. Deri më sot ka tentuar edhe tre herë të tjera që të bëhet kryetar bashkie në Himarë, me parullën se ‘Himara është greke!’. Hera e fundit është kjo e tanishme, nën ombrellën e Berishës dhe Metës. 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren