Frrok Çupi: Më fal ndoj send, Zotni... dhe profili i PD-së për nesër!

Frrok Çupi: Më fal ndoj send, Zotni... dhe profili i PD-së për nesër!

Partia Demokratike

Është dikush që i vjen pas ose i shkon në derë dikujt, ky është një lypsar dhe i kërkon ‘nji send…’. Nuk e di pse kjo skenë mu montua në mes të Durrësit, aty ku kurrë nuk ka qenë Migjeni. ‘Kur mëngjesi përtërihet nëpër rrugat e qytetit, rrezet e diellit fillojnë të ngatrrohen nëpër kambët e njerzvet, hiet e automobilavet e karrocave fillojnë të rrëshqesin nëpër dhe – atëhere ndër trotuare ja fillon një refren, refren i bukur i qytetit tem: “Zotni, zotni, të lutëm, zotni, ma fal ndoj send!“, shkruante poeti në Pukë.

Që nga sheshi i qytetit është përhapur një lajm i politikës, teksa po bëhen gati zgjedhjet lokale të 6 marsit. Lajmi thotë se njëra nga dy PD-të ka nisur të ndalë në rrugë disa çirakë të saj politik e t’u kërkojë ‘ma fal ndoj send’. Kjo, njëra nga PD-të, është pjesa më e egër, pjesa më e pushtetshme, pjesa më militare dhe e frikshme…, ndërsa ‘çirakët politik’ të saj janë partitë e vogla që herë i rrahu, herë i ushqeu, herë i la jashtë portës në akull. Para këtyre ‘qenushëve’, tani njëra nga partitë Demokratike po kërkon sendin që i duhet për mbijetesë.

Sendi është veç një vulë…, ose një sigël.

Partia është krijuar në stadium para një muaji, por nuk ka ende emër, herë e quajnë ‘Foltore’, herë ‘Rithemelim’. Ajo po shkon në zgjedhje…, por si? Të lëshohet fushës me blegërima delesh e me ‘simfoni sfurqesh’?- siç kanë shkruar disa letrarë pro ‘Foltore’?.., kjo nuk po funksionon. Duhet sigla, por sigël as vulë nuk ka. Rithemelimi po troket në derën e partive të vogla që u kishte mbetur vetëm pakogjë: ‘Ma fal noj send, zotni!’.

Zotnia po i shtrin dorën lypsit.

A do të pranojnë partitë ‘çirake’ që të japin sendin? Lajmet nga Durrësi dhe nga Lushnja (të paktën) thonë se çirakët kanë mbyllur dyert. As PR, as PDK, as PDIU, as PAA…, asnjë nga bashkimet e shkronjave të alfabetit latin, nuk jep sigël dhe vulë për ‘zotninë’.

PR, më e afërta e shefit të Foltores Berisha, tash kërkon haraç. Kryetari i PR ndodhet në prag të burgut për shkak të tragjedisë së Gërdecit ku vdiqën 27 vetë; biznesi ishte i familjes Berisha, por barra i mbeti ministrit. ‘Eja këtu, zotni, ose sill djalin në burg që të dal e të marrësh vulën”, i thotë kryetari i partisë së vogël familjes Berisha….

As PAA tani nuk e bën këtë; kunati i PAA dergjet në spitalin e burgut dhe shpirti  i tij po u thërret kunetërve: ‘Larg tij bre vëllezër!’. Më i madhi i tyre ndodhet në sikletet e një korrupsioni që nuk e shpëton dot ‘zotnia i shkuar’. Atëherë pse t’i japë vulën atij?.

As partia e çamëve ‘nuk pè do, bre ‘lla!’,- kishin për të thënë kosovarët; në kohën e tij Berisha i la me ‘barkun thatë’ dhe pasuroi rrethin e vet. Tash ça të bëjnë çamët, atë shkojnë edhe në Pukë? Partia e Demokristianëve po lufton ‘mes vedi’ me Jozefinën, partia nuk po e vë re ‘zotninë’…

A në Pukë, a në ferr?

Nëse dikush nga të gjitha partitë që formohen me germat latine, i jep sigël ose vulë ‘Foltores’, atëherë kjo parti shkon në ferr për vete. Tash është e qartë si dielli. Shtetet e Bashkuara ka deklaruar se me ‘asnjë parti të lidhur me Berishën nuk ka punë”, dmth nuk ka fjalë as marrëdhënie; domethënë secila parti që i afrohet Foltores do të quhet një parti ‘e rrezikshme dhe minuese’. Këta ‘lypsarët’ e djeshëm nuk kanë gjë tjetër veç siglës e vulës, por kanë aq mend sa të mos shkojnë në ferr bashkë me Foltoren.

Zotnia tash asht vetë lypsi.

Tash zotnillëku është kthyer së prapthi. Këtë nuk e kishte menduar Migjeni në Pukë. Zotnia i djeshëm është bërë lypsar dhe po vjen rrugëve të qytetit ku ‘rrezet e diellit i ngatërrohen nëpër këmbë’. ‘Ma fal noj vulë, zotni!’, i kërkon atij që dje ishte lypsi…

A ka mbet kund zotnillëku?

Por as tjetra, domethënë e dyta nga ‘dy PD-të’, nuk është më ‘një Zotni’. Kësaj here PD e Bashës po shkon në zgjedhjet e 6 marsit për 6 bashkitë e mbetura në vakancë; por po shkon duke u lazdruar se ‘ja ku jemi, po shkojmë’. Herën e kaluar nuk shkuan fare; dhe tani ‘hijen’ e quajnë fitore. PD e Bashës tani është si  në çastin kur “hiet e automobilavet e karrocave fillojnë të rrëshqesin nëpër dhè – atëhere ndër trotuare ja fillon një refren…”, shkruan Migjeni.

A do të ketë ‘nesër’?

Nesër PD e Bashkës do të ndodhet para një rreziku më të madh se ‘si hije’ sot. Paska ligjësi të çuditshme jeta! Ndërsa PD e Foltores po troket dyerve të ‘çirakëve’ për një vulë, PD e Bashkës mban mbi shpatulla ‘vulat’ e rënda të qeverisjes kur ishin bashkë ‘një e vetme PD’. Nuk po shikoj ndonjë ‘hije’ barre se si po tenton t’i lëshojë zoti Basha. Gjysma tjetër, PD- Basha, nuk po e denoncon qeverisjen e ‘luftës civile’, as të ‘grushtit të shtetit’, as të ‘korrupsionit të madh’, as të ‘minimit të shtetit’… PD provoi tre dekada se ishte një shtrembërim i vullnetit të kombit.

Basha nuk po jep as dëshminë e aktit të përbashkët të vrasjes shtetërore në oborrin e qeverisë në 21 Janar… PD e Bashës po mundohet me na e gërdit Atdheun dhe Demokracinë; dhe kjo, me siguri, nesër do ta kthejë në ‘një Zotni’ rruge duke trokitur aty- këtu me ‘refrenin ma fal noj send, Zotni’. Unë po e shikoj vizatimin e këtij profili…, zot mos e afro më shpejt.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen