Requiem ose ‘rest in peace’, dmth., ‘pushoftë në paqe!’.
A ka vdekur apo jo!, askush nuk e thotë se ka vdekur, por në jetë nuk është. Apartamenti vazhdon të bëjë hije aty ku ka zënë vend që në epokën e komunizmit; herë laget në shi e herë fërshëllen në erë. Tani nuk dihet se kush e banon; nuk dihet nëse banohet apo nuk banohet që nga viti 1996.
Në krah të pallatit të vjetër me tulla të kuqe si me eshtra të dala, është ngritur një pallat i ri dhe një tunel në katin e parë. Hapësira ku kalojnë qindra njerëz në ditë nën një kurorë të frikshme betoni, ka marrë emrin ‘Tuneli i Salës’. Po të mos ishte krijuar ky toponim i shurdhët, as që do të ishte zbuluar nga arkeologët e nesërm se në apartamentin e vjetër ka banuar Sali Ramë Berisha.
Vetë apartamenti është një qenie misterioze; njëfarë kohe shkëlqeu nga lavdia e pastaj u zhyt në harresë. Lavdia i erdhi nga pronari i tij, por edhe harresa- nga po ai pronar. Kur pronari ishte ‘doktor i lavdishëm’, edhe apartamenti ishte i lavdishëm. Doktori nuk kishte shëruar asnjë pacient në jetën e tij, por quhej ‘i famshëm’ sepse punonte në Bllokun e Byrosë Politike të Partisë Komuniste. Ndërsa misteri i apartamentit lidhej me një telefon që kishte Saliu në shtëpi. Gjithë Tirana nuk kishte më shumë se tre ose katër telefona si ai; ndoshta Enver Hoxha kishte një, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu- dy të tjerë. Të katërtin e kishte Sali Berisha. Me atë telefon mund të thërrisje çdo numër tjetër telefonik, por askush nga jashtë tij nuk mund të thërriste. Misteri ishte i dyfishtë: Sa për shkak se doktori kishte një telefon misterioz ‘si ata atje lart’, aq edhe për shkak të profesionit e ‘humanizmit të doktorit’.
‘Po sikur dikush do të ishte duke dhënë shpirt nga zemra, vallë si do ta thërriste doktorin?!’.
Mister i vërtetë.
Ndërsa palavdia e atij apartamenti që dergjet në harresë, lidhet me ditën kur doktor Berisha e braktisi. Ka qenë një moment kur çdo eshtër e pallatit, nisën të vajtonin nga hidhërimi pse ‘zoti ynë na tradhtoi!’. Po të kishin gojë ato eshtra të pjekura në diell, këto fjalë do të thonin me siguri. Berisha, fillimisht e kishte mashtruar dhe në fund e ‘preu në besë’ apartamentin e tij të dhuruar nga Enver Hoxha. Sapo mori frenat e turmave të mërzitura që krijuan lumenj njerëzorë kudo, Sali Berisha premtoi para tyre se ‘nuk do të largohem kurrë nga apartamenti popullor’. Apartamenti u ngrefos dhe u ndie i përkëdhelur. Saliu u ngjit në fronin e presidentit dhe që aty prapë premtoi se ‘do të jetoj si populli’.
Një ditë, aty nga viti 1996, kur sapo kishte përgatitur gjakosjen e popullit të vet dhe të opozitës në sheshin e Tiranës, e braktisi apartamentin e ‘virgjërisë’ dhe u ngul në Pallatin e Brigadave. Pastaj, në vitin 1997, u ngujua me kallashnikov në dorë, në zyrën e presidentit; kishte lëshuar fjalë se ‘po vjen Vlora të më vrasë’.
Apartamenti i vjetër u ndie i braktisur dhe i tradhtuar. Populli shqiptar u ndie i tmerruar nga terrori i Berishës, tradhtia do të ishte gjëja më e vogël. Populli vuri në punë mrekullinë e tij, kujtesën. Populli, kur ia bën për borxh, të bën ‘hasha’, të harron emrin dhe varrin. Njësoj si në Athinën e lashtë ku zjarrvënësit merrnin dënimin më të rëndë:
‘Vendimi: Të mos përmendet emri!’.
Kjo rruga ‘e Salës’ që të nxjerr në Brrakë, një lagje historikisht e banuar nga romët, me sa duket ka mbajtur mbi shpatulla mallkime të mëdha, deri te ‘Tuneli i Salës’ që duket një mallkim që hyn fshehurazi në lagje si në kohë ilegalësh ose si me ‘Kalin e Trojës’. Lagjja quhet ‘Brrakë’, por rrugës kryesore i vunë emrin tiranas ‘Fortuzi’. Për ca kohë, lagjja i mbajti të dy emrat. Kur komunistët i vunë emrin ‘Asim Vokshi’, e deri më sot, qytetarët e lagjes e refuzuan atë emër dhe bënin sikur ‘nuk e dinin’. ‘E ç’ne ky emër, thonë se Vokshi ka qenë luftëtar në Spanjë e jo te ne, ardhur nga Kosova!’.
Asgjë nuk i përshtatej lagjes.
Lagjja nuk zuri kurrë ‘karar’, derisa u ndje e rrezikuar kur Saliu nga Malësia e Gjakovës u ba ‘ma i madhi i lagjes së Brrakës’. Mandej u bë më i pasuri i Shqipërisë.
Lagjja aplikoi harresën ndaj ‘zjarrvënësit’, dhe krijoji vetëm toponimin e frikshëm të tunelit. Sa më shumë pallate ndërtonte familja e Berishës, aq më të thellë e bënte harresën Brraka. Sa më shumë vjedhje tokash, vjedhje deti, dhunë në banka, frikë nga lufta, konflikte mes shqiptarëve, grushte shteti, vrasje në oborrin e zyrave qeveritare, vrasje e djegie njerëzisht në Gërdec…, aq më thellë në dhè Brraka groposte kujtimin për Berishët.
Deri dje apartamenti në lagjen rome kishte mbetur ‘pa të zonë’. Tani ka ardhur dita kur vetë Sali Berisha nuk ka ‘një shtëpi ku të arrestohet’. Drejtësia e Re i ka gjetur disa rrënjë të krimeve të tmerrshme dhe vjedhjeve të Berishës, dhe ka vendosur ta arrestojë. Tani Berisha është i burgosur në shtëpi. Por shtëpinë e deklaruar ia ka sekuestruar shteti. Edhe shtëpitë, edhe pallatet, edhe financat e bijve dhe të dhëndrit. Urdhri i Gjykatës për ‘arrest në shtëpi’ tanimë nuk ka kuptim; sepse nuk ka shtëpi.
Ndoshta ky është mallkimi i apartamentit në rrugën e vjetër ‘Fortuzi’. Ai ka vdekur. ‘Rest in peace!’, requiem për atë apartament që nuk ka asnjë faj pse strehoi zjarrvënësin.
Zjarrvënësin tani nuk e kujton më lagjja e tij.
I dashur Frrok ! Ti je nga Repsi i Mirdites,pra kufi me rrethin e Pukes,pikerisht ku e ka prejardhjen Sali Berisha.Pra Saliu mohon origjinen dhe kjo eshte e turpsheme,por e ka nje shkak.Thone se gjysherit e tij kane qene katolik nga fshati Berishe i Pukes,se kane vra priftin dhe fshati i ka perzene si fis dhe jane ngulur ne Vicidol te Tropojes,kane ndrruar fene,pra jane bere mysliman,dhe kane b/jetuar ne ate fshat.Thone qe ne Puke ka qene familja me ngatrrestare .Pra Saliu eshte trashigimtari i kesaj familje.Jemi shume kurjoz te dime kete histori,pye dhe beje nje shkrim si e din ti .
PërgjigjuShume bukur shkrimi Z. Cupi per shtepine modeste te Berishes. Kujtese per kedo se nga kane ardhur milioneret e rinj te Shqiperise. Mallkim votat e Shqiptareve qe besuan, por jo me. Game over funderinat e demokracise se re. Luftuan demokracine te maskuar me luften kunder komunizmit. Tragjedi-komedi e shemtuar.
Përgjigju