Frrok Çupi: Të vdekurit ngatërrohen

Frrok Çupi: Të vdekurit ngatërrohen

Sali Berisha në sulmin ndaj Report Tv

Sali Berisha iu gërmush gazetares, thellë në sy, si t’i hynte në kafkën e kokës. Vetëm pse ajo i zgjoi të vdekurit e palosur në mendjen e vrasësit. E pyeti për katër të vrarët e qeverisë në 21 janar. Berisha u përgjigj për të tjerët, për të vdekurit e Gërdecit. ‘Jo, jo, fola për Gërdecin”, tha Berisha, si në lojën e një çmendine ku luhet me kukulla të vdekur.

Të gjithë vrasësit janë njësoj: Ditën e  fundit u bien në qafë të vdekurve.

… Diktatori i parë, sapo kishte vrarë kryeministrin, Mehmet Shehu… Ndodhi njësoj, ja kështu si në numërimin e viktimave post- diktaturë.

Ishte ditë qershori, e nxehtë, vetëm një vit pas vrasjes. Enver Hoxha vjen në Kongresin e Veteranëve të Luftës, në sallën e koncerteve në Akademinë e Arteve. Udhëheqësi vendosi që në pushim mes seancave të takonte një grusht veteranësh të zgjedhur me dorë; jo të gjithë dhe jo shume prej tyre. Lulishtja e Akademinë, bënte hije për njëqind burra.

Të parin, sapo doli nga salla, takoi Gani Tuçepin; një burrë i gjatë, i drejtë ‘si pushka’, thuhej. Ganiu ishte mjeshtër i pashoq i kanaleve ujitëse, dibran i mësuar në Bullgari.

-Është Gani Tuçepi…, sot mbushi 100 vjeç- i tha Enverit, Ramiz Alia.

– O, jetë të gjatë, Mehmet Shehu!- lëshoi frymën Enver Hoxha dhe e pa thellë në sy, si t’i hynte brenda kafkës. “Të rroni ju, shoku Enver”, tha Heroi i Punës Socialiste dhe bëri sikur nuk kuptoi çfarë emri të vdekur tha tjetri.

I dyti qe Riza Veipi, ‘Hero i Popullit’, ish komandant i Brigadës së Pestë. Ishte caktuar të takonte Enverin.

-Është Riza Veipi, shoku Enver- tha prapë Ramiz Alia.

-O Mehmet Shehu!, kam në shtëpi biçakun që më ke dhuruar gjatë luftës- iu drejtua Enveri.

Rizai, një burrë i shkurtër, në mërmëritje tha  se ‘është nder’ që e mban atë biçak; por u tkurr e u bë sa një grusht kur diktatori e thërriti me emrin ‘Mehmet Shehu’.

I fundit ishte Shefqet Peçi. Edhe këtij i tha ‘o Mehmet Shehu!’.

“Mos thuaj se Fushë- Bardhën e bëra unë, o Mehmet Shehu…, e bëri Partia, Mehmet”.

Shefqeti, i shquar për trimëri, në atë çast nuk po i gjente vendi vend ku të futej.

Mehmet Shehu ishte vrarë dhe ishte i vdekur; autori i vrasjes e ngatërronte me të tjerë. Puna ime si gazetar më çoi të isha i pranishëm në këtë lojë si në tragjedi makbethiane.

Edhe gazetarja Rovena Cerka, njësoj si unë, u gjend në një skenë të ngjashme mbrëmjen kur në vendin ku ra gjaku i 4 të vrarëve në kryeministri. Veçse kjo mundi të pyesë autorin.

Si janë kështu, të gjithë vrasësit, njësoj!? Vjen një moment kur fajësojnë të vdekurit. ‘Ata të katër kanë qëlluar mbi xhamat e zyrës…, prandaj i vramë!’, tha kryeministri.

I fajësojnë edhe pse ‘i zuri gjaku i të vrarëve’. Gazetari Mero Baze shkruan se ish- kryeministrit, në turbullirën e gjakut të zënë ‘i ngatërrohen të vdekurit’.

Vrasësve u krijohen neurozat, obsesionet dhe histeritë; dhe, për këtë ndëshkojnë prapë të vdekurit prej tyre.

Po të ishte e mundur 28 të vdekurit e Gërdecit dhe 4 të vrarët në oborrin e kryeministrisë, do të zhyteshin qindra metra në tokë, veç të mos flisnin e të mos flitej kurrë rreth tyre.

Në vendin tonë ka ‘luftë civile’, por nuk ka të vrarë; ka më shumë se 3 mijë të vrarë pas ‘demokracisë’, por nuk ka vrasës. Vrasësi i fundit sfidon të gjallët: ‘Jo se nuk kam vrarë, por ju nuk keni dëshmi!’.

Këtu janë urdhëruar militantët e njërës krahinë për të vrarë njerëzit e krahinës tjetër; por nuk ekziston faji. Këtu ka grabitje të pasurisë publike nga familja e kryeministrit, por nuk ka krim; vjedhja dënohet nga kanuni, por jo nga ligji.

Këtu përditë ata që kanë vrarë po na hyjnë thellë në kafkën e kokës e na thonë ‘do të kthehemi prapë, e prapë do t’u vdesim’, por as kjo nuk quhet për gjë. Ne nuk kemi Drejtësinë me vete, domethënë edhe ne quhemi të vdekur.

Këtu u dashka që edhe presidenti tjetër i Republikës të vijë nga kompania e vrasëse, ose të jetë vrasës, sepse ‘kemi demokraci’. Ne nuk kemi asgjë; të gjitha i kanë ata.

Drejtësia nuk ka asnjë mundësi të flasë me të vdekurit; e prandaj deri atëherë nuk ka drejtësi për të gjallët. Drejtësia mund të hapë çështje gjyqësore për të dënuar të vdekurit me akuzën: ‘Pse gjaku juaj na zuri udhëheqësit!?’.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë