Drejtësia belge e ka dënuar Frrokun me 10 vite burg për vrasjen në Bruksel të Aleksandër Kurtit.
Aktualisht Frroku ndodhet i ndaluar në burgun nr 302 në Tiranë ndërsa sot u shfaq para Gjykatës së Krimeve të Rënda pikërisht për vrasjen e kryer 18 vite më parë.
“Nga burgjet belge, në ato holandeze dhe shqiptare më të vështira janë burgjet shqiptare”, shprehet Frroku për të përditshmen belge duke shtuar se dëshiron që të ndryshohet ideja se për të burgu është sikur të jesh me pushime.
"Përse u shpall ai deputet?" Pyet gazeta. "Për të marrë imunitetin dhe t’i shpëtonte drejtësisë belge ku rrezikon 10 vite burg?"
“Unë u zgjodha në mënyrë të rregullt, përballë kandidatëve seriozë me 7000 vota në avantazh. Nuk kishte trukime, sigurisht”, e mbyll fjalën e tij ish-deputeti.
Pak ditë më parë po kjo gazetë publikoi një artikull për Frrokun duke shkruar se ndërsa ai konsiderohet vrasës në Belgjikë në Shqipëri është deputet.
“Katër shqiptarë të akuzuar për vrasjen e kryer në Belgjikë 18 vjet më parë. Po sa i përket protagonistit kryesor Mark Frroku, a do të dënohet edhe ai? Asgjë nuk është e sigurt, sepse ai është i afërt me qeverinë”, shkruan gazeta.
Si mbërriti Frroku në Bruksel në vitin 1995? Duke mashtruar autoritetet belge duke u paraqitur si shtetas kosovar i njohur me emrin Besnik Morina lindur në 6 tetor 1972 në Gjakovë.
Së bashku më vëllanë, sipas të përditshmes ngritën një rrjet prostitucioni. Aleksandër Kurti ishte rival i tyre të cilin në mars 1999 e vrasin.
Një ditë më pas citohet në shkrim Frroku largohet nga Belgjika, zhvendoset në Holandë dhe nis të merret me trafikimin e lëndëve narkotike për të cilën Gjykata Holandeze e dënon në fund të 2002 me 3 vite burgim.
Më pas në 2004 ai lirohet me kusht dhe kthehet në Shqipëri. Ndërkohë Gjykata e Krimeve të rënda në Bruksel e dënon në vitin 2010 me 10 vite burg për vrasjen e Kurtit, Belgjika kërkon ekstradim. Por deri më tani Frroku gjithmonë shpëton.
“Si”? ngre pyetjen gazeta belge dhe përgjigja e saj është :”Në sajë të politikës.”
Redaksia Online
Al.N/e.m/Shqiptarja.com