Frroku ishte i pranishëm këtë të hënë në Gjykatën e Lartë ku së bashku me deputetin e Shkodrës Tom Doshi dhe Durim Bamin nga Fushë-Kruja akuzohen për kallëzim të rremë dhe inskenim të atentatit ndaj deputetit Doshi, vrasje e pretenduar prej tyre se do të kryhej me urdhër të kryeparlamentarit Ilir Meta.
Në seancën e parë për këtë akuzë, ku Doshi e Bami janë hetuar në masën e sigurisë "arrest shtëpie", avokati Ilir Murati që mbron Bamin dhe Tonin Prendi mbrojtës i Frrokut, kërkuan që dy klientët e tyre të gjykohen në çështje të ndarë nga Doshi, pasi asnjëri nga ta nuk gëzon mandat deputeti. Në këto kushte, Kolegji penal i Gjykatës së Lartë vendosi të pezullojë çështjen ndaj tyre dhe t'ia çojë për interpretim Gjykatës Kushtetuese. Do të jetë kushtetuesja e cila do të vendosë nëse Frroku dhe Bami do të gjykohen në Gjykatën e Tiranës apo në të Lartën bashkë me deputetin Doshi.
Mark Frroku hoqi dorë nga mandati pak ditë më parë ku e quajti veten "kurban të dekriminalizimit". Ai ndodhet në paraburgim në masë sigurie "arrest me burg" për akuzën e vrasjes së një shqiptari në vitin 1999 në Bruksel, të fshehjes së pasurisë dhe pastrimit të parave.
Prokurorët Adnand Xholi dhe Altin Binaj kërkuan që ky gjykim të bëhet nga gjykata e lartë pasi veçimi i dosjes do të krijonte probleme duke prishur hetimet. Por kjo kërkesë u kundërshtua nga avokatët mbrojtës të Mark Frrokut e Durim Bamit të cilët u shprehen se klientët e tyre janë pa status në këtë gjykim dhe një vendim i gjykatës së lartë do t'i humbte atyre të drejtën e ankimit. Për deputetët është Gjykata e Lartë që i gjykon, e në rast ankimimi ata mund t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Kjo ishte seanca e parë që Gjykata e lartë mbajti për Tom Doshin, ish-deputetin Mark Frroku dhe Durim Bamin, pasi seanca u shkuar u shty për shkak të mungesës së Frrokut.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)
