Frutat janë shpesh në qendër të debateve për shkak të përmbajtjes së tyre me fruktozë, por sipas nutricionistit Altin Joka, shumë nga informacionet që qarkullojnë janë të pasakta.
I ftuar në emisionin “Rreze Dielli”, Joka foli për rëndësinë e frutave në organizëm dhe sqaroi se fruktoza natyrale nuk duhet krahasuar me sheqernat e ushqimeve industriale.
“Shumë dëgjohet se fruktoza është problem, por këto nuk janë të vërteta. Madje, shpesh janë krijuar për efekt marketingu. Ka kompani që kanë folur kundër frutave për të rritur shitjen e produkteve të tyre”, u shpreh ai.
Pse frutat nuk sjellin mbipeshë?
Sipas nutricionistit, organizmi nuk i trajton frutat si sheqer të zakonshëm. Ato përmbajnë fibra, ujë dhe pak kalori, duke ndihmuar trupin të funksionojë më mirë.
“Frutat kanë fibra dhe niveli i fruktozës tek ato është i ulët. Fibrat ndalojnë rritjen e insulinës dhe na ndihmojnë të shmangim mbipeshën. Një frut ka shumë ujë dhe pak kalori”, tha Joka.
Ai shtoi se fruktoza që vjen nga frutat është një “paketë biologjike” krejt ndryshe nga sheqernat e përpunuara që gjenden në produktet industriale.
Kujdes me lëngjet e frutave
Ndërkohë, Joka paralajmëroi se problemi nis kur frutat shtrydhen dhe konsumohen në formë lëngu.
Sipas tij, procesi i shtrydhjes largon fibrat dhe bën që fruktoza të ndikojë më shumë tek mëlçia.
“Frutat e plota janë të sigurta. Rreziku vjen nga sheqernat e shtuara dhe jo nga frutat”, theksoi ai.
Sa fruta duhet të konsumojmë në ditë?
Nutricionisti rekomandon konsumimin e 3 deri në 5 frutave në ditë, duke theksuar se kjo është mbështetur edhe nga studime shkencore.
Sipas tij, koha më e mirë për të konsumuar fruta është mëngjesi, pasi organizmi është më aktiv. Megjithatë, gjithçka varet nga mosha, aktiviteti fizik dhe gjendja shëndetësore e secilit person.
Komente











