Durrës/ 6 fëmijë të një shkolle preken nga fruthi! Burime nga ISHP: Nuk janë të vaksinuar

Nga 17 rastet e konfirmuara me fruth në vendin tonë, 6 prej tyre, nxënës të një shkolle 9-vjeçare, janë nga Durrësi dhe kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin.  Nxënësit janë izoluar prej një jave për të shmangur përhapjen e infeksionit, dhe rezulton se janë të pavaksinuar.

 Nga të dhënat për këto raste, rezulton se 3 fëmijë janë pjesë e një familjeje, ndërsa tre të tjerë janë kushërinj të tyre. Gjendja e fëmijëve të izoluar në banesë po monitorohet nga mjekët pediatër.

Drejtuesja e kujdesit shëndetësor në Durrës Aurora Hyka ngre shqetësimin për mungesën e bashkëpunimit nga disa prindër për të vaksinuar fëmijët. 

“Aktualisht flasim për një numër prej 6 rastesh në Durrës. Janë edhe të konfirmuara nga ISHP. Ajo që për mua është me interes të thuhet me zë të lart është se janë kontakte të ngushta familjare dhe janë të pa vaksinuar, gjë e cila konfirmon thirrjen e të gjitha strukturave shëndetësore për kryerjen e kësaj vaksine që është në radhën e vaksinave me prioritet për tu kryer. Problemi është tek rezistenca që kemi nga prindërit. Kemi rezistencë nga disa kategori që refuzojnë kryerjen e vaksinës dhe ndjekjes nga ana jonë. Kemi rezistencë dhe në dhënien e informacioneve”, tha Aurora Hyka, drejtore NJVKSH Durrës.

Sipas drejtueses së Kujdesit Shëndetësor në Durrës gjendja e fëmijëve po monitorohet nga mjekët pediatër.

“Janë raste që përveç ndjekjes nga ana mjekësore, është edhe izolimi i tyre pasi janë nxënës shkolle dhe normalisht kontaktet që mund të kenë me të tjerë mund të jenë burim infektimi”, tha Hyka.

Në të gjithë vendin, janë mbi 13 mijë fëmijë të pa vaksinuar me vaksinën kundër fruth-rubeolës dhe shytave .

Drejtues të kujdesit shëndetësor në Durrës konfirmojnë se bashkëpunimi me një grup të caktuar prindër që vendosën të mos i vaksinojnë fëmijët e tyre mbetet i vështirë, duke refuzuar vaksinat sipas protokollit shëndetësor për grupmoshën 0-18 vjeç.

Në kushte mjekët apelojnë për më shumë ndërgjegjësim të prindërve për t’i vaksinuar fëmijët e tyre.

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni