Togjet me plehra në hyrje të fshatit Qafrrap në bashkinë e Këlcyrës, janë kthyer në një shqetësim për banorët, të cilët apelojnë ndaj autoriteteve vendore të ndërhyjnë. Ndërmarrja e Pastrimit në Bashkinë e Këlcyrës në vend të reagojë, ka hequr edhe kontejnerët për grumbullimin e mbeturinave.

Në këtë fshat jetojnë 58 familje të komunitetit egjiptian, të cilët kanë vënë alarmin pasi me rritjen e temperaturave, rreziku për kontaminimin nga sëmundjet ngjitëse është i lartë.

'Vajtëm kaq vite aty nuk vjen njeri t'i heq. Kemi vajtur në bashki, por nuk vjen njeri t'i heq. Fëmijët vejnë lozin jo këto viruset janë sheshit", tha një banore e zonës.

"Plehrat janë aty, shkon në këmbë, shkon makina, vuri një zjarr fëmija pasi gënjehet e loz, janë problem", u shpreh një tjetër banore.

"Nuk ka ardhur bashkia, gënjen dhe plehrat ndodhen ende aty. Sëmundja është sheshit, të tërë jemi të sëmurë, çfarë do bëjmë me këto plehrat",  tha shqetësimin e saj një banore tjetër.

Më parë tre minorenë janë shtruar në spital për pasojë të prekjes me hepatit pasi luanin në afërsi të territorit ku depozitohen mbetjet.

Banorët e këtij fshati thonë se janë pagues të rregullt të taksës vendore të pastrimit dhe si të tillë, kërkojnë shërbim.